Poezia e Pavle Goranoviqi vjen në shqip nga Argëzon Sulejmani
KUR POETI SHKRUAN
Kur poeti shkruan,
toka lëvizë pakëz
në vendlindjen e parardhësit të tij.
*
Nga fjalori nisin të bien gërma.
Një djalosh shkruan një grafit me ngjyrë të kuqe:
mesazh që shënohet në gjuhën spanjolle.
*
Kur poeti shkruan,
kuvendojnë brezat,
ndërrohen kohët.
*
Diku shtresohet shkëlqimi.
Diku një përmendore e rëndësishme lehtë përkulet.
*
Kur poeti nisë të shkruaj,
e bën këtë përmes ëndrrës dhe kryeneçësisë.
*
Pikëla shiu marrin fuqi në një libër.
Ai libër do bëhet ujë.
*
Në atë çast –
pasardhësit dyshues nuk e vlerësojnë,
prozatorët ngazëllehen,
piktorët bashkëndiejnë.
*
Kur poeti shkruan,
rrokë përvoja të poetëve të amshuar,
rijetëson brengat e tyre.
*
Në një vend plasaritet shtegu,
që të hyjë lagështia në zërin e dikujt që ka diçka për të kumtuar.
*
Palpon qarkullimin e vet poeti
teksa shkruan.
*
E lë në kopertinë emrin e një gruaje:
ajo grua njëherë ka qenë Dezdemonë.
*
Murosë ai poeti – me guralecë,
me të njëjtit që ishte gurëqëlluar.
*
E mandej,
mbulohet me një grusht dheu.
KUR POETI E KRYEN POEZINË
Kur e kryen poezinë,
nuk mund ta besojë poeti se për çfarë shkroi.
Që ka hyrë në diskutime teologjike,
që i është tëhuajësuar vetes,
që kërkon shtëpi tjetër,
dashuri tjetër
dhe fat tjetër.
*
Kur e kryen poezinë,
e kupton që e ka thënë dhe atë që nuk e kishte menduar,
që i janë përvjedhë dhe fjalë të huaja.
*
Pastaj që, nuk e di kush është, nga është.
Që ka hulumtuar dete,
– ende vijon të mbetet ai që gjurmon dashurinë?
*
Dikush do të thotë që kjo ishte
veç replikë mbi aromat.
*
Kur e kryen poezinë,
poeti e kupton që është veçse në fillim.
Që nuk ka lëvizë,
sikur e gjithë ajo kohë ka ecur mbrapsht.
*
Qorrazi duart kanë bërë lëvizje qarkore.
*
Ai pikërisht, atëherë, ia nisë.
Kur e kryen poezinë,
atëherë nisë të kuptojë,
që asnjëherë dhe asnjë poezi,
faktikisht, s’ka për ta përfunduar.
KUR MENDON SE U BË POET…
Kur poeti e kërkon temën,
kryqëzohen rrugët njëkahëshe.
Stopohet karuseli,
stepet njeriu,
letrat flatrojnë gjithandej,
kërkojnë adresa të moçme.
*
Ndjehet fajtor poeti
për atë që s’e ka bërë.
Biles më shumë se për vetë ato që ndanë bashkëfajësinë.
*
Përfundon në mes të verës motmoti –
erëmon në qafën e një gruaje bergamoti.
*
Epoka e tij është mendimi i trishtë i botës.
Beson që e gjithë kjo s’i ndodhë veç atij,
s’ndodhë veçse në atë çast.
*
Përderisa shkruan poeti,
është barrë e kohës.
Dhe zgavër në mes kohësh.
*
Nëse e mbanë veten,
e pranon humbjen me klas,
përshëndetë dhe dëshpërimtarët e panjohur.
*
Dhe nisë e kupton se sa është larg vetes,
se sa nuk është ai që donte të bëhej.
••• ••• •••
• Pavle Goranoviqi (1973), shkrimtar malazez. Krijimtaria e tij është përkthyer dhe shpërblyer disaherësh.
• Pavle Goranović (1973) je crnogorski pisac. Njegovo stvaralaštvo je više puta prevođeno i nagrađivano.
• Shqipëroi: Argëzon Sulejmani,