Albspirit

Media/News/Publishing

Nano fiton në apel gjyqin me qeverinë, përfiton 100 mijë euro, reagimi i ambasadës së SHBA pas shkarkimit

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar edhe “betejën” e dytë me qeverinë. Euronews Albania mëson se Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke “çertifikuar” me formë të prerë si të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra. Me anë të një përgjigje zyrtare, pas një kërkese për informim, administrativja e Apelit bën me dije se vendimi është marrë nga gjyqtarët Ardian Dvorani (relator) dhe Gentian Hamiti e Sokol Ibi (anëtarë). Ky trup gjykues ka rrëzuar ankimin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme që kërkonin prishjen e vendimit që i dha të drejtë ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në bazë të vendimit tashmë shteti duhet t’i paguajë Nanos 60 paga mujore për 5 vite, rreth 100 mijë euro, sa mandati i parashikuar në ligj, i cili u ndërpre nga shkarkimi i qeverisë në 31 gusht 2022, me argumentin se nuk kishte realizuar objektivat. Shkarkimi erdhi me propozim të ish-Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, ndërsa kryeministri Rama ka pohuar publikisht se i kishte kërkuar dorëheqjen ish-kryepolicit Nano. Vendimi është marrë më 26 qershor dhe nuk dihet nëse qeveria do të depozitojë rekurs në gjykatën e lartë brenda afatit 30 ditor. Në borderon e shtetit tashmë do të vijohet të paguhen 2 paga për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa Gledis Nano është kualifikuar nga komisioni i SPAK për në fazën e dytë të garës për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ambasada e SHBA: Ishte një partner i fortë i SHBA

  Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar për shkarkimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. “I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i Amerikës si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit,” – shkruhet në reagimin e ambasadës amerikane në twitter. Kujtojmë se me vendim të Këshillit të Ministrave, Gledis Nano u shkarkua sot nga posti që mbante prej 10 muajsh, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.