Ismet Hajrullahu: Manifesti i rrënjëve tona në dekadën vendimtare
Ka çaste kur historia nuk troket, por shpërthen me vrull, duke sjellë në vemendje atë që ne e kemi lënë në hije me shekuj, besimin e të parëve, e që mbi gjithçka është një përcaktues i rëndësishëm i identitetit tonë kombëtar, në këtë Evropë të trazuar e konservatore…
Lëvizja e Deçanit është pikërisht ai shpërthim i ndërgjegjes kombëtare që po ndodh në dekadën vendimtare të shekullit XXI. Ajo nuk është thjesht një nismë fetare, e aq më pak duhet të trajtohet si e tillë, por në vetvete ajo përbën një lëvizje shpirtërore, ideologjike dhe historike, që kërkon të rikthejë shqiptarët në rrënjët e të parëve, në trungun që frymon shqip, me identitet të qartë e me krenarinë që na ka karakterizuar ne si komb ndër shekuj….
Pa besimin e të parëve, e thënë figurativisht, ky komb nuk ka trung, por vetëm cunga të thata, që çdo erë e stuhi mundet me i shkëput shumë lehte..
Pushtimi osmano-serb nuk na mori vetëm tokën, por edhe shpirtin. Na shkëputi nga Iliria, nga trashëgimia që lidhet me besimin që predikoi Shën Pali “që nga Jeruzalemi e deri në Iliri”.
Ky slogan nuk është vetëm kujtesë historike, por thirrje për rikthim në vetvete, një thirrje që gjaku nuk e harron kurrë.
Në atë thirrje, Pjetër Bogdani, në shekullin XVII, u ngrit kundër osmanëve me 6,000 shqiptarë, myslimanë e të krishterë.
Në përpjekjet dhe rezistencën që ai e udhëhoqi nuk u luftua për fe, por për çlirim të vendit dhe atë shpirtëror po ashtu.
Në Çetën e Profetëve, ai shkroi për “dheun e Arbënit që dergjet në robëri të errët”…
Lëvizja e Deçanit është vijimësia e heshtur që Bogdani nisi me zë shekuj me parë.
Ka mijëra qytetarë që ndjejnë thirrjen e gjakut, që e dinë se nuk janë aty ku u përkasin, por hezitojnë.
Hezitojnë nga paragjykimi, nga presioni, nga hijet që u thonë të rrinë larg rrënjëve. Por gjaku nuk bëhet ujë. Ajo ndjenjë që nuk shuhet, është kujtesa historike që nuk vdes. Lëvizja e Deçanit është ftesë për kthim, për pajtim me rrënjën, për bashkim me vetveten.
Mbështetja për këtë lëvizje është mbështetje për dinjitetin historik, për lirinë e ndërgjegjes, për identitetin e vërtetë shqiptar. Nuk është rrebelim, por një zgjim, një pranim i hapur se nuk jemi të huaj në tokën tonë, e me një shpresë që buron nga rrënjët tona dhe e kaluara e dhimbshme e kombit tonë që ka kaluar gjatë historisë…
Dhe për ata që hezitojnë e qendrojnë të heshtur në këto kohëra vendimtare për kombin, sakrifica e zëri i Bogdanit thërret për të qenë vetvetja, në trojet tona, krenar për rrënjët dhe kombin tonë…
Bogdani që u zhvarros nga osmanët dhe iu hodh qenve, pasnjëherë nuk u zhduk nga zemra e kombit!
E në vazhdimësi, në çdo periudhë të vështirë për qenien tonë si komb, ne kemi ditur të qëndrojme krah së drejtës sonë e të bashkuar karshi çdo të keqe që ka kërkuar për të gjetur terren…
Pikërisht, në këtë udhëkryq historik për kombin tonë, jam i bindur që do të dimë të jemi në rrugën e duhur, vetëm nëse mbështetemi në tabanin e rrënjëve tona, në gjakun dhe sakrificën e të gjithëve atyre që dhanë jetën për liri!