Wikipedia përballet me ligjin britanik, në rrezik anonimë dhe patronazhistë
Wikipedia do të përballet këtë javë me Gjykatën Mbretërore të Drejtësisë në Londër, ku Fondacioni Wikimedia do të sfidojë rregulloret e reja të Mbretërisë së Bashkuar, të cilat sipas tij kërcënojnë operimin dhe vetë parimet e platformës.
Sipas padisë, legjislacioni i ri, pjesë e Aktit të Sigurisë Online (OSA), e vë Wikipedia-n në rrezik të lartë duke e kategorizuar si një faqe “me rrezik të lartë” të Kategorisë 1, çka përfshin detyrime të rënda, si verifikimi i identitetit të mijëra vullnetarëve dhe patronazhistëve të saj.
Fondacioni paralajmëron se një kërkesë e tillë do të minonte sigurinë dhe privatësinë e kontribuesve, të cilët shpesh mbeten anonimë për të shmangur përndjekjen, hakmarrjen ligjore ose ndëshkimin nga regjime autoritare. “Nëse gjykata vendos në favorin tonë, do të vendoset një precedent global për mbrojtjen e projekteve me interes publik në internet,” tha Stephen LaPorte, këshilltar i përgjithshëm i Wikimedia.
Në fokus të çështjes është një grup i kufizuar rregulloresh shtesë të quajtura Rregulloret e Kategorizimit, të cilat përveç kërkesave për identifikim, parashikojnë përgjegjësi më të mëdha për menaxhimin e përmbajtjes dhe përdoruesve. Sipas Wikipedia-s, këto rregulla mund të dobësojnë cilësinë e faqes dhe të rrezikojnë mjete të rëndësishme teknologjike si algoritmet e përkthimit apo sistemet për zbulimin e vandalizmit.
“Ne nuk po kundërshtojmë nevojën për rregullim të arsyeshëm online,” shkroi këshilltari kryesor Phil Bradley-Schmieg në një postim në blog, “por shërbime si Wikipedia nuk mund të funksionojnë nëse ligjet e reja rrezikojnë privatësinë, vullnetarizmin dhe misionin informativ të platformës”.
Me rreth 844 milionë vizita mujore nga Mbretëria e Bashkuar, Wikipedia hyn brenda kufijve të përcaktuar për faqet e Kategorisë 1. Por Bradley-Schmieg argumenton se rregullorja nuk dallon qartë mes përdoruesve që aksesojnë një faqe në mënyrë të rastësishme dhe atyre që konsumojnë përmbajtje të dëmshme në platforma sociale, duke sjellë një qasje disproporcionale për Wikipedia-n.
Gjykata pritet të shqyrtojë çështjen më 22 korrik, ndërsa vendimi i saj mund të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm funksionimin e Wikipedia-s në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe standardet ndërkombëtare për privatësinë, lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion online.