Ismet Hajrullahu: Politika pa parime, pushtet pa përfaqësim
Në politikën moderne, një qeveri nuk vlerësohet nga emri që mban, por nga parimet mbi të cilat e qeveris vendin. Kur mungon morali, transparenca dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve, çdo qeveri humbet legjitimitetin e saj dhe mbetet thjesht një strukturë boshe në pushtet. Ky konstatim nuk është retorikë, por revoltë qytetare, e artikuluar si akt moral kundrejt një pushteti që përfaqëson vetëm vetveten.
Në rastin konkret, qeveria e Albin Kurtit, për mendimin tim, ka krijuar një atmosferë përçarjeje të qëllimshme, polarizim ekstrem, izolim ndërkombëtar, vendnumëro të reformave, bllokim të ndihmave dhe granteve nga Bashkimi Europian, prishje të imazhit të vendit dhe një diplomaci amatoreske, duke krijuar në përgjithësi një tension institucional. Mbështetësit e saj e lavdërojnë për liberalizimin e vizave dhe përmbylljen e mandatit, por realiteti që përjeton qytetari është i zhveshur nga shpresat, mundësitë dhe siguria që të ketë një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja, të cilat e shohin perspektivën, fatkeqësisht, jashtë Kosovës.
A të përmendim shifra? A të përmendim sa kompani janë zhvendosur gjatë këtij mandati jashtë Kosovës? A të përmendim situatën aktuale që po kalojmë si popull, si vend…? Kjo qeveri do të mbahet mend për dështime të njëpasnjëshme, për mungesë vizioni dhe për nxitje të urrejtjes jo vetëm me deputetët, por mes njerëzve të thjeshtë, mes shteteve që na kanë përkrahur e mbështetur në rrugën e pavarësisë dhe shtetndërtimit!
Por problemi nuk ndalet vetëm tek qeveria. Opozita ka qenë po aq e papërgjegjshme dhe apatike gjatë legjislaturës së udhëhequr nga VV-ja, por edhe gjatë kësaj periudhe ku vendi ka më shumë se kurrë nevojë për një qeveri stabile dhe të përgjegjshme.
Në vend që të kërkojë zgjedhje të reja dhe të largohet nga Kuvendi si akt moral e strategjik, opozita heshti dhe po përfiton duke u paguar nga taksat publike, pa asnjë veprim konkret, duke u mbyllur në sallën parlamentare, pa bërë asnjë përpjekje për organizim qytetar, pa asnjë strategji për përmbysje të kësaj klase politike si mazhorancë, për përmbysje të këtij pushteti uzurpues e diktatorial.
Nëse opozita do të kishte kërkuar me seriozitet zgjedhje të reja, dhe nëse Kurti nuk do ta kishte respektuar këtë kërkesë, atëherë qeveria do të duhej të përballej me qytetarët, me mosbindjen civile, me protesta dhe mobilizim politik. Por kjo nuk po ndodh, pasi ‘kundërshtimi’ nuk ekziston realisht. Kritikat më të zëshme, më të logjikshme, u shfaqën në media, jo në praktikë.
Kështu që, një qeveri pa mandat, pa parime, pa vizion, po qëndron në pushtet jo se është e ‘fortë’, por sepse askush nuk po e sfidon realisht. Një qeveri mund të firmosë ligje dhe të japë intervista, të bëjë bilance të arritjeve dhe sukseseve, por nuk mund të fitojë asnjëherë besimin e qytetarëve duke promovuar antivlerat! Kur mungon ndershmëria, përfaqësimi dhe drejtimi, mbetet vetëm një aparaturë që komandon, por që nuk mund të udhëheqë duke u bazuar në vlerat e demokracisë së vërtetë.
Fjala “qeveri” nuk mund të jetë një zbukurim institucional, por duhet vlerësuar si përfaqësim i denjë i qytetarëve. Në momentin kur ky përfaqësim mungon dhe politikë bëhet pa parime, atëherë kemi një klasë politike komplet të dështuar dhe që nuk e meriton besimin e qytetarëve!