JANI MALO: IDIOT(E) MUND TË JETË EDHE…
Një karkalec që mendon se ngjyra jeshile e bën kameleon.
Një krimb që mendon se mund të bëhet fokë nëse shkon në palestër.
Një laraskë që mendon se mund të bëhet moderatore nëse bën disa seanca motivimi.
Një qen kur imiton njeriun edhe për gjërat që i di më mirë se ai.
Një derr që e lejon miun të strehohet nën lëkurën e tij për t’iu fshehur maces, por harron se miu duhet të hajë dhjamin për të bërë folenë.
Një lepur që mendon se po e kapën duke vjedhur karota kodi penal do e dënojë me burg dhe jo me therje.
Një gomar që beson se mund të zgjidhet deputet, nëse i zoti e lë fare pak kohë pa punë.
Një mizë që ngatërron zemrën e hurmës me bythën e kalit.
Një gjel që është i bindur se është ai babai dhe i vezës dhe i pulës, por nuk di cila është nëna e tij.
Një mace që mendon se po të kishte një llogari në instagram do qe bërë influencere dhe do fitonte para.
Një dele që shkon vullnetarisht në thertore sepse mendon që veshja e saj leshtë është pengesë për të ndjekur modën.
Një iriq që shkon në parukeri dhe rruan kokën që të duket i forti i pyllit.
Një mi që e zë gjumi në shtratin e maces.
Nga libri në proces “33×333 dhe ushtrime të tjera për idiotë”.