Irma Kurti boton librin e 31-të në gjuhën italiane, me fotografi të Biagio Fortinit
Sapo është botuar libri i ri i poetes Irma Kurti, i shoqëruar me imazhe të fotografit italian Biagio Fortini, nën kujdesin e Immagine Arte by Maria Grazia Vai. Libri titullohet “L’alba tinge tutto di luce “, (Alba lyen çdo gjë me dritë) dhe mban logon e shtëpisë botuese Youcan print. Piktura e kopertinës është vepër e Serena Cendron. Në parathënien e shkruar nga Pier Carlo Lava, Alessandria Today, midis të tjerash, shkruhet: “Poezia e Irma Kurtit është një melodi fjalësh që rrjedhin plot hijeshi, sikur çdo varg të ishte një pikturë delikate emocionesh. Aftësia e saj për të shndërruar dhembjen në bukuri është e dukshme në çdo poezi, duke e bërë lexuesin pjesë të një udhëtimi emocional unik. Fotografitë e Biagio Fortinit, me atmosferën që krijojnë, paralajmërojnë thellësinë e emocioneve që përmbyllen në faqet e librit”.
Poetja dhe kritikja letrare Vesna Andrejevic mbi artin e fotografit Biagio Fortini shkruan kështu: “Një udhëtar i apasionuar në vende të ndryshme të botës, përmes fotografive të tij, Fortini na çon në botën e poezisë me imazhet e tij, të cilat me vite përvoje dhe përkushtimi janë bërë kopertina të mbi shtatëdhjetë veprave letrare. Kjo aftësi e jashtëzakonshme, e shoqëruar me një ndjeshmëri të rrallë dhe më pas e përkthyer në dëshirën e dukshme për të ndarë emocionet me publikun, vërehet në imazhet spektakolare të natyrës, të bëra në vende të ndryshme dhe të largëta. Fortini është pra një fotograf i lëvizjes. Në çdo kuptim”.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese.Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 96 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, Greqi, ShBA, Kanada, Filipine, Liban dhe Kinë. Ka shkruar rreth 200 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në shumë festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhepërkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.Ajo ka botuar mbi 110 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime.Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur Hasan Kurti dhe Sherife Mezini që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugëtimit letrar.
Irma Kurti është një nga poetet shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 21 vende të botës.