Zana Tako: Kuvendim nëne me të birin
Skicë
Bir, më pëlqen mali, sepse është vendi ku matet fuqia. I ngjitesh për të arritur majën, lodhesh, provon muskujt sa të fortë janë, provon durimin e lodhjes, pushon e ngjitesh përsëri e nuk sprapsesh, se nuk të le dëshira për të mbërritur atje, te maja, te suksesi për mundimin, për lodhjen, vështirësinë.
Bir, për të mbërritur tek kjo majë nuk mund të ngjitesh dot me shpejti, se nuk është rrugë e shtruar me asfalt.
Mund të biesh, të rrëzohesh, të gjakosesh, të thyesh ndoshta edhe ndonjë dorë a ndonjë këmbë, por ai që ka guxim nuk sprapset, ia le vendin kurajos, e cila me duar të padukshme të tërheq fort pas vetes, duke të të pëshpëritur… edhe pak… edhe pak…
Dhemb trupi bir, lodhet e këputet, por për çudi, kur mbërrin në majë, freskia të shlodh e të heq çdo lodhje e mundim. Pushon në këtë freski bir, duke e parë në sy fitoren, jo si fitimtar mbi lodhjen dhe mundimin, por si njeri që ia dole mbanë, falë ndihmës së vullnetit për të mundur vështirësinë.
Pra me kurajo dhe vullnet bir, ushqen shpirtin dhe mendjen, se asgjë nuk është e pamundur të arrihet, se asgjë nuk mund ta ndalë qëllimin për të kryer punë të mëdha, për atë që e ka shpirtin plot me ëndrra që furnizojnë jetën.
Bir, falë ndihmës së Zotit krijues, njeriu mund të realizojë atë që i kërkohet duke mundur rreziqet e kohës.