Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare: Frashëri dhe Fishta kanë qenë dhe mbeten dy poetët kombëtarë të Shqipërisë

Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta kanë qenë dhe mbeten dy poetët kombëtarë të Shqipërisë, të vetmit, të fundmit dhe të papërsëritshmit. Poeti kombëtar nuk është e thënë të ketë atë stërhollim artistik, atë përkryerje apo magji të epërme që ka shpesh arti luksoz dhe elitar. Poetët kombëtarë, për arsye që dihen, e kanë flijuar shpesh artin e tyre në një tjetër altar. Ndërkaq, ata krijojnë me kombet e tyre një raport të habitshëm, gati-gati misterioz, një njëjtësim me peizazhin historik e shpirtëror, të tillë që, duke u bërë njësh me atë të kombit, arrin disa herë ta dyzojë atë. Nëse shpesh ata qëllojnë që nuk janë shkrimtarët më të parapëlqyer e më të lexuar, ata janë, pa dyshim, më të domosdoshmit. Të tillë na ngjajnë sidomos në kohë të vështira, kur kombi ligështohet dhe katastrofat shfaqen në horizont. Kam bindjen se, në kohën që jetojmë, në këtë fillim problematik të shekullit XXI, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë përsëri më të nevojshëm se kurrë.

(Fragment nga Kadare, Vepra XX, Onufri, Tiranë, 2009)