Albspirit

Media/News/Publishing

Irena Dragoti: Planetare

Mëngjes…

Kurorat gjumashe të bredhave,

strukur ndër qeshje resh,

gjerbojnë ditën me lotë halorësh,

mbi ngjyra fshehjesh!

Dielli, rrugëpushtuar,

ngushëllohet në mua!

*

Më përmbytin mendjen, shirat gri

Të pata frymë,

dhe fjalën… dritë

Tani këndohesh si himn fitoresh

në një zjarr të madh që ndriçoi shkurt

Netët kam plot zhurma

dhe zgjimet rënkojnë

kam humbur farin

t’i gjej bregun, dashurisë.

*

Kështu u mbath dhe ky mëngjes,

si ngurim njerëzor.

U fola reve, ca fjalë mjegullash,

të parrokshme për ty!

*

Ky mëngjes sa një shkëmb rëndon!