Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Romani i ri i Thanas Dinos

“Në qafë” titullohet romani më i ri i Thanas Dinos, botoi Nereida, Tiranë, 2024. “Në qafë” (domethënë në kapërcyell) është një afresk i gjerë me reliev të pasur në ngjarje e në personazhe i një krahine të quajtur kazaja e Delvinës.

Romani të lë shtang me atë prurje të historive të vjetra të vjela nga goja e njerëzve që i jetuan kohët që nuk vijnë më e që vdesin me njerëzit po nuk i regjistrove. Të gjitha krahinat kanë patur heronjttë e tyre në kohëra kur kjo mbijetesë vihej për herë në fije të perit nga abuzimi me pushtetin i më të fortëve me të dobtin, i më të kamurve me të vobektin, i shumicës mbi pakicën. Ishte një qytetërim i lashtë ku kush “ka kokë, blen tokë”, ku njerëzit visheshin e ushqeheshin me bulmetin e me leshin e bagëtive të tyre. Sot kur vlera e këtyre dy burimeve jetësore, tokës dhe gjësë, është baraz me zero, ky qytetërim kur për gjënë e tokën lije kokën, ka marrë fund. Kanë marrë fund dhe marrëdhëniet që diktonte kjo mënyrë jetese, kanë marrë fund baladat për trimat, baladat për nuset, pra gjithë ajo trashëgimi shpirtërore fshatare u rropos me zhvlerësimin e tokës si taban e burim i jetës. Tani pa tokë dhe pa nuse që martoheshin me këngët e kohës së tokës, njerëzit kanë marrë rrugët e mërgimit. Ata që rrojnë këtu, duhet të mësojnë të jetojnë me ligjet e kohës së tregut, të parasë.

Toka ka “vdekur” bashkë me baladat, trimat dhe nuset e bukura, puset e vathat e bagëtive, me zakonet e mira e me huqet e të këqinjve. Këtë vdekje, Thanasi e ngjall.

Romani “Në qafë” me një material të gjerë burimor shkon në rrënjët e kujtesës së vogël, të atyre ngjarjeve që me gjipëryerin e madh të gjakut qepnin historinë e traditave, e mjeshtërive e martesve e gjakmarrjeve. Duke i sjellë të gjalla, të ashpëra, pa i hedhur ujë verës, autori përjetëson një histori, që nuk ngjallet më.

Kapërcyelli është një gjendje ku gjërat janë përherë në këmbim, në paqëndryeshmëri. Janë lebër që me bagëtitë zbresin në vërri, në vurg, janë grekë minoritarë që fshehin në sepete flamurin e etnisë së tyre, janë vllehë që në kërkim të kullotës për gjënë e tyre bëjnë miqësi e hasmëri. Lufta vjen me ide të reja, me personazhe të rinj si Mustafa Matohiti, Lefter Talua, Nathanaili, Qemal Karagjozi. Nga ana tjetë janë partizanë grekë po dhe priftërinj e nacionalistë grekë që sjellin ndikimet e tyre mbi krahinën.

Jeta këtyre njerëzve mbetet në qafë, në kapërcyell. Historinë e madhe e bëjnë të tjerët. Këtyre u ka mbetur të mbijetojnë. Kjo mbijetesë u ka mësuar që përtej ndarjeve ideore, a fetare, a nacionale, duhej ruajtur mirësia në marrëdhëniet e vogla të njeriut me njeriun, të familjes me familjen. Kjo strehë te humaniteti i marrëdhënieve, i miqësive, i ndjenjave të gjakut, i përshtatjes ndaj rrethanave i ka bërë të dalin mbi përplasjet e përçarjet që sjellin ndasitë ideore a fetare.

Kështu komunizmi hëngri kokat e atyre që e sollën në këto fshatra. Eliminoi me mënyrat e veta të pushkës pas krahëve të luftëtarëve të orëve të para, të Lefter Talos, të Mustafa Matohitit, të Qemal Karagozit. Kazaja prapë mbeti… në qafë.

Edhe ky roman ndjek traditën e “kronikës” së Kadaresë, traditën e baladave duke u kapur në majat e ngjarjeve, në spikamën e njerëzve të virtytit e të dyfekut, është një prozë e ngjeshur fort, me një shkrim muskuloz dhe të dendur.

Ngjarjet i sjell një rrëfimtar anonim, një njeri i krahinës me forma gramatikore të fjalëve, të foljeve, në nëndialekt, rrëfimtar që e ngjyron ligjërimin me një pasuri idiomatike që nuk e gjen as në fjalorët tanë më të mirë.

Post scriptum:

Thanas Dino sot është autor i mbi dhjetë romaneve, veç dramave dhe librave publicistikë.

Më poshtë po sjell një status të Petro Mejdiut mbi fillimet e Thanasit më 1972. Ja si shkruan Petro Mejdiu:

Duke shfletuar me kujdes koleksionin e botimeve letrare “Drita”, “Nëntori” dhe “Zëri i Rinisë”, vumë re se në vitin 1972 në këto organe është botuar poezia më e bukur në kuadrin e asaj letërsie që quhej Lëtërsia e Realizmit Socialist. Shënjat e para u dhanë nga poetët që në 1970, por kulmin e pati në 1972, apogjeun dhe rënien e saj. Poezia e këtij viti u bë objekt diskutimi dhe dënimi në Pleniumin e Katërt, Qershor 1974.

Në vitin 1972, gazeta “Zëri i Rinisë” u bë tribuna kryesore e kësaj poezie me botimin e cikleve të gjata për secilin poet.Kështu që u dha mundësi lexuesve për të krijuar një ide me të plotë për poezinë e çdo poeti.

Zhurmën më të madhe, por dhe dhimbjen më të madhe, e pati një cilël poetik i botuar në revistën “Nëntori”. Është fjala për cilklin poetik të gazetarit të “Dritës”, prozatorit dhe dramaturgut të ardhshëm, Thanas Dino, për të cilin pakkush e di se ai është një shkrimtar shqiptar që vjen nga rradhët e minoritetit grek të Shqipërisë, nga Përmeti.

Ne nuk e zgjodhëm të parin e një cikli shkrimesh për poezinë e vitit 1972 për këtë veçansi, por se është i pari poet i këtij viti, që e dhe pse pa i përmendur emrin, Enver Hoxha ka sjellë si shëmbull vargje të Thanas Dinos, për të ilustruar atë që ai e quajti, shfaqje liberale dhe ndikime të izmave borgjezo – revizioniste në poezinë shqipe. Thanas Dino ishte i pari ndër poetët e shkrimtarët e këtij viti, që ndaj tij u morën dhe ndëshkime administrative. Po sjellim këtu të plotë ciklin poetik të botuar në “Nëntori”, cilki më i famshëm i poezisë shqiptare, jo vetëm nga risia e re që solli në poezi, por dhe se tërhoqi vëmëndjen e kupolës më të lartë partiake dhe shtetërore të asaj kohe:

1- NJË MËNGJES –

Më 25 qershor, në orën pesë,

gjithçka m’u duk jashtëzakonisht e pastër.

Uji i detit m’u duk tjetër

tjetër m’u dukën bananet.

(Deti i porsalindur. Pemët të sapombira)

Dhe vetja mu duk tjetër.

Atëhere e kuptova se mundet që unë

të tretesha e të bëhesha banane me gjethe të gjatë,

horizont, vajzë, ujë deti.

2 -TOKA DHE DETI –

Ne të dy

jemi toka dhe deti.

Jemi mbushur me iriq,

peshq, guaska dhe qiparisa.

Shumë gjera i japim njëri-tjetrit

si toka detit.

Mbi të dy derdh dritë të argjendë

buza e prerë e hënës.

Si toka detin

duam njëri-tjetrin.

3 -DHËRMIU –

Për pesëmbëdhjetë ditë

këtu fjetëm krah për krah me detin.

4 -SARANDA –

Saranda si hënë e re

rënë në breg të detit,

uji i thellë, kështu

mbetur që nga kohët e vjetra.

5 -NDARJA –

Si kërmilli

gjithçka do marr me vete

dhe këngë,

dhe heshtje.

6 -UNË JAM FIK DETI –

Gjethet e tij janë duart e mia,

Rrënjët e tij janë zëmra ime,

Trungu i tij janë vitet e mia,

Qumështi i tij pikon pikë pikë, është jeta,

Arkitektura e tij e çuditshme është gjuha ime.

Unë jam fik deti.

(Botuar për herë të parë në numurin 10 të revistës “Nëntori” të vitit 1972).