Albspirit

Media/News/Publishing

Feti Zeneli: PRESIDENTI I SHQIPËRISË NË TROJET E ATINTANISË

*Rastësi apo përzgjedhje e mençur ishte udhëtimi i Presidentit Bajram Begaj në“rrugën e ushtrisë”, nga Sinja në Rabie, e quajtur ndryshe, si itinerari i kufirit të sipërm të Atintanisë ilire?

*Legjenda “vëllavrasëse” e Shpiragut me Tomorrin dhe mesazhet paqtuese të Kuvendit të Sinjës.

*Maskara e Teqes sëRabies dhe rruga që duhet ndërtuar për të përkujtuar viktimat e saj.

*Dy izolimet, COVID-19dhe mungesa e infrastrukturës rrugore, që nuk e ndalën Hetem e Natasha Barjamin të investonin në vendlindje.

Dhjetëditshin e fundit të korrikut, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bajram Begaj, mori pjesë në përkujtimin e dy ngjarjeve të rëndësishme historike, të ndodhura; njera në prag të shpalljes së pavarësisë dhe tjetra në periudhën e luftës nacionalçlirimtare, siç ishte Kuvendi i Sinjës i vitit 1912 dhe Masakra e Teqes së Rabies, 31 vite më vonë. Që të dyja ngjarjet, datojnë në 23 korrik. Natyrisht, përkimi kohor është rastësi, por s’mund të jenë të tilla; intinerari i vizitës së Presidentit, kufirit të sipërm të Atintanisë ilire; si dhe këshillat e dhënae zotimet e mara, kudo ku shkoi; në Sinjë, Rabie apo tek “Vila Soifia” në Gllavë. Po, përveç mesazheve që përcolli me këtë rast kreu i shtetit; dhe që lidhen me ruajtjen e identitetit kombëtar, vlerave e virtyteve të trashëguara, frymës së bashkimit dhe bashkëjetesës paqësore me njeri-tjetrin, etj., e rëndësishme është të dihet diçka më shumë rreth ngjarjeve e vendeve ku ato kanë ndodhur; pra rreth asaj, që Dionisi i Halikarnasit, e quan “…filozofi e nxjerrë nga shembujt”. Sepse, vetëm në këtë mënyrë, historia nuk përjetohet si “përrallë”, apo si diçka që i përket tjetër kohe e tjetërkujt. Drejt së ardhmes nuk mund të shkohet pa njohur mirë të shkuarën, deri “…edhe faktet që nuk kanë ndodhur”, siç thotë një shkrimtar polak. Siç dihet, një nga sëmundjet e kohëve moderne është shurdhëria për të mos dëgjuar dhe verbëria për të mos parë të shkuarën historike, e cila kurohet vetëm duke e shndërruar “historinë e fakteve” në “histori ndjenjash” njerëzore. Në fund të fundit, historia e botës s’është gjë tjetër, veçse histori e shpirtit njerëzor.

Le të flasim më konkretisht. Në aspektin historik, por dhe atë gjeografik, itinerari presidencial i 23 korrikut 2025 përkon me kufirin e sipërm të Atintanisë ilire, e cila bashkon rrjedhën e Lumit Luftinjë e Vjosë me atë tëOsumit. Legjenda të lashta sa bota dhe histori të ndritshme qytetërimesh ngacmojnë kujtesën e vagullt të shekujve përgjatë këtij kufiri, që Presidenti i njeh; sa për shkak të origjinës prindërore, po aq dhe të detyrës së mëparshme në radhët e ushtrisë. Jo shumë larg pjesës veriore tëShpiragut vija-vija nga “shpata vëllavrasëse” e Tomorrit gropa-gropa, kalon Egnatia e Antikitetit. Periudha e ndërtimit të kësaj rruge në shekullin e dytë p.e.s., përkon me qytetërimin ilir të Rabies – GradishtënAntike. Pjesë e këtij territori historiko-kulturor është dhe “Kryevendi”, “Tri Avgat”, grykat dhe pllajat rreth e rrotull tyre; ku Skënderbeu e Tafil Buzi përgatisnin e nisni ushtri drejt “Beligradit” (Beratit) të zaptuar nga osmanët, apo ku vetë Duçja organizonte batalionet e ushtrisë italiane kundër asaj greke, në luftën mes tyre. Shpallja e pavarësisë dhe lufta kundër pushtuesit kanë patur “ushtarët dhe komandantët” e vet në këtë zonë, po aq të denjë e të përkushtuarsa dhe paraardhësit e tyre në kalanë ilire të Gradishtës. Kjo është jo vetëm treva e njerëzve trima, por dhe e burrave të mençur. Thënie të tilla si: “Shqipëria është e të gjithëve, bir, e të gjallëve dhe e të vdekurve” e Baba Ali Tomorrit, “Le të vdes në skamje e mjerim! Ndihem krenar se të gjithë detyrimet e mia karshi Atdheut i kam realizuar me nder!” e Reiz Mane Skëndit, apo “Haki! (Haki Toska) Kur dualëm malit për liri, i premtuam popullit shumë gjëra të mira. Nuk e lamë kështu, ju në Bllok e ne në pyll.” të Sefedin Lime Krecit, etj., janë monumente të fjalës së mençur, plotë vërtetësi, trimëri dhe atdhedashuri, të stërnipërve ilir në këtë zonë të Atintanisë së Sipërme. Por në vitet e pasluftës, ata janë qeverisur, kryesisht nga “më pak të mençurit” dhe “më pak dashamirësit”.Për rrjedhoj kanë qenë zonat dhe njerëzit më të shpërfilluar dhe më të pambështetur nga pushteti i kohës. Kjo përbën përvuajtjen e vërtetë specifike, që i shtohej përvuajtjessë përgjithëshme kombëtare në vitet e monizmit. Tashmë, me rehabilimtimin e rrugës së vjetër Berat-Këlcyrë, duket se ështëngulur një “gozhdë” ku mund të varen shpresat e zhvillimit të përgjithshëm të zonës. Megjithatë, përballja pa frikë me realitetin e jetës, është mënyra më e mirë për t’ia dalë në çdo rrethanë. Shembulli më domethënës në këtë drejtim është ndërtimi i “Vila Sofia” në një kohëtë vështirë qëtë pengonte jo pak, por “…s’të ndalonte të bëje aq sa mundeshe”, sidomos atje ku e ardhmja i ka rrënjët mbi të shkuarën…

Legjenda e “vëlla” Shpiragut dhe Kuvendi i Sinjës

“Atë çfarë ka krijuar përralla (legjenda), nganjëherë e përsërit historia”, thotë Viktor Hygo. Sinja, edhe si vend edhe si Kuvend, është shembulli më i mirë ilustrues në këtë drejtim. Diçka të ngjajshme me filozofinë këshilluese të shkrimtarit të shuar francez, por dhe me mesazhin e legjendës “vëllavrasëse” midis Tomorrit dhe Shpiragut, kishte edhe fjala përshendetëse e kreut të shtetit në Muzeun e Sinjës, që e konsideroi Kuvendin e këtushëm të 113 viteve më parë, si “…një shprehje e fuqishme e unitetit dhe harmonisë kombëtare…”, duke lënë mënjanë“…ndasitë fetare, krahinore e personale”.Nuk mund të gjeje vend më të përshtatshëm se sa fshatinërrëzën jugore të Shpiragu, për të përcjellë një mesazh të tillë paqtimi e reflektimi, në një kohë, kur tek ne, jo vetëm për motivin e legjendës së mësipërme, por dhe atë të Kainit me Abelin, disa individë kanë filluar të urrejnë “vëllezërit” më shumë se sa armiqtëe tyre. Dhe sot, nuk bëhetshkak një “zanë shumë e bukur”, e cila i detyron dy vëllezërit – male të ngrenë dorë kundër njeri-tjetrit, respektivisht me “shpatë” e “topuz”, por diçka materiale; një pronë e trashëguar, një gardh a një burim uji, një sukses i arritur në punë a në jetë; pse jo dhe një gjest a një fjalë e keqkuptuar. Mësuam shumë gjëra që s’i dinim për jetën në këto vitet e fundit, por harruam të bashkëjetojmë si vëllezër. Kur përdorim fjalën vëllezër, sigurisht nuk kemi parasysh një rreth të ngushtë individësh me lidhje gjaku, po të gjithë njerëzit, të njohur e të panjohur, që jetojnë në një territor të caktuare flasin një gjuhë; pra për “bashkim zemrash”. Ndaj Presidenti foli për “frymën e Kuvendit të Sinjës”, që lidhet me “përgjegjësinë e përbashkët” publike dhe “besimin ndaj njeri-tjetrit”, për të jetuar të bashkuar, me dinjitet e nëpërputhje me kodet e mira morale.“I vetmi tempull vërtet i shenjtë është bota e njerëzve të bashkuar nga dashuria”, thotë Leon Tolstoi. Ishte pikërisht dashuria për atdheun, ajo që i bashkoi në Sinjë 49 përfaqësuesit e komiteteve çlirimtare dhe çetave patriotike të Shqipërisë së Jugut, si dhe 5 patriotët nga krahina e Roskovecit, ndërkohë qënë “horizont” po shfaqej një luftë e re ballkanike, e cila mund të çonte në copëtimine Shqipërisë. Në këtë situatë, deputetët shqiptarë të parlamentit turk në Stamboll, vendosën ta shfrytëzonin gjendjen e vështirë të Turqisë, për ta detyruar atë që të njihte më në fund edhe autonominë e Shqipërisë. Në pushtet ishin xhonturqit, kurse në opozitë partia “Liri dhe Marrëveshje”. Grupi i deputetëve dhe një sërë personalitetesh politike shqiptare, të cilët përkrahnin opozitën turke, u mblodhën në Stamboll dhe e kërcënuan qeverinë turke me nisjen e një kryengritjeje të përgjithshme në rast se shpërfillej kërkesa e tyre. Ky lloj organizimi i përfaqësuesve shqiptarë nisi në janar të vitit 1912, ndërkohë që xhonturqit vendosën tëshpërndanin parlamentin dhe tëzhvillonin zgjedhjet e përgjithshme,të cilat do të mbaheshin në pranverë të atij viti. Për të organizuar kryengritjen e re, Hasan Prishtina u vu në krye të këtij grupi,dhe udhëtoi drejt Kosovës, qëpërbënte vatrën më aktive të Lëvizjes Shqiptare në atë kohë.

Ndërsa Ismail Qemali u nis drejt Europës për të siguruar mbështetje politike, por dhe financime e armë për kryengritjen e përgjithshme që filloi në prill të vitit 1912 në Malësinë e Gjakovës dhe u përhap në Kosovë e pjesën veriore të Shqipërinë.Në 21 Maj 1912,përfaqësuesit politikë dhe kryengritësit shqiptarëmblidhen në Kuvendin e Junikut, ku shpallin programin e tyre, me kërkesa të tilla si: ngritja e një administrate shqiptare, përdorimi i shqipes si gjuhë zyrtare dhe i flamurit kombëtar, si dhe autonomi e Shqipërisë brenda kuadrit të Perandorisë Osmane. Kuvendi i Junikut, me programin e tij, ndikoi në zgjerimin e kryengritjes edhe në Shqipërinë e mesme e të jugut gjatë verës së 1912-ës. Pikërisht në datën 23 korrik të këtij viti, udhëheqësit e komiteteve kryengritëse të Shqipërisë së Jugut u mblodhën në Sinjë, në jug të malit të Shpiragut dhe hartuan një memorandum autonomist po prej 12 pikash, i cili ishte i ngjashëm me “Librin e Kuq” (Memorandumin) të Greçës, i vitit 1911. Sinja u zgjodh pikërisht nga pozicioni i saj gjeografik, si pikëlidhje e krahinave të Sanxhakut të Beratit.Për të njoftuar gjithë qytetet e Shqipërisë, si dhe kryeministrin turk të zgjedhur vetëm një ditë më parë, Ahmet Myftar Pashën,për vendimet e Kuvendit të Sinjës, kryengritësit e 49 çetave luftarake që morën pjesë në të, zbritën në Fier, të cilin e çliruan nga forcat osmane. Gjithashtu ata autorizuan Hasan Prishtinën për t’i përfaqësonte në bisedimet me komisionin Osman, që tashmë kishin nisur në Prishtinë, dhe për të vazhduar më pas në Shkup.

I përmenda përmbledhtazi ngjarjet historiko-shoqërore që kulmuan me Kuvendin e Sinjës, jo për të argumentuar vërtetësinë dhe saktësinë e mesazheve të Presidentit Begaj, po për të sjell në vëmendje të publikut nevojën e varjes sëshpresave të ndryshimit tësë ardhmes edhe tek trashëgimia dhe identiteti ynë kombëtar. Nuk ka mësim më të shenjtë e më të shtrenjtë se sa ai, që të dimë të trashëgojmë “një botë që nuk është më”; pra atë, kur: “Ishim së bashku, pjesën tjetër të kohës e kam harruar”,siç thotë Uollt Uitman. Sepse ndryshimet, sado të ardhuruara qofshin, nuk mund të mos marrin parasysh “të përbashkëtat”, që na ka rezervuar fati historik dhe gjeografik.

“Masakra e Rabies” dhe një rrugë për të përkujtuar të rënët

Ka patur një “rrugë ushtrie” të kohës së monizmit, që lidh Sinjën e Beratit me Rabien e Tepelenës, e cila kalon përgjatë kufirit të sipërm të Atintanisë ilire. Ndoshta dikur ka qenë njëdegëzim i hershëm i Rrugës Egnatia, e cila nga Kutallia e Beratit dhe Sinja rrëzës së Shpiragut, nëpërmjet Qafës së Gllavës, të nxirrte nëqytezën e lashtëilire të Gradishtës (Rabia e sotme). Atëitinerar përshkoi Presidenti Bajram Begaj për të marrë pjesë nëpërkujtimin e 82-vjetorit të Maskarës së Rabies. Të zgjedhësh një rrugë të tillë, ndërkohë që segmenti Berat-Gllavëështë drejt rehabilitimit të plotë pas investimit të qeverisë shqiptare, do të thotë se po ecën në rrugën e mesazheve politiko-shoqërore, që do t’i përcjellësh publikut. E mira dhe e keqja në këtë rast nuk janë materiale, por morale, ja ashtu siç e përcakton shkrimtari anglez, Aldus Ukslei: “E mirëështë gjëja që na bashkon. E keqe është gjëja që na ndan”.Një nga gjërat që na ka bashkuar ne shqiptarëve në të shkuarën ka qenë patriotizmi, i cili ishte feja jonë. Kjo ndjenjë e lartëfisnike i ka bërë shqiptarët njerëz të mirë e atdhetar të devotshëm, që të luftojnë me vetmohim për vendin e tyre;e që, për hir të së vërtetës, gjithnjë ka qenë “nga ana e së drejtës”. Një nga ngjarjet më dëshmuese të frymës atdhetare e patriotike është dhe rezistenca e Baba Abaz Sherif Memushaj, së bashku me krerikë e besimtarë të tjerë, në 23 korrik 1943 në Teqenë e Rabies.Deviza e bektashinjve, “pa atdhe nuk ka fe”, ka gjetur këtu materializim të plotë. Baba Abazi e kishte kthyer Teqenë e Rabies në një vatër atdhedashurie dhe mbështetje të fuqishme për mobilizimin në luftë të rabijotëve dhe popullsisë rreth e qark saj, por dhe në një bazë për furnizimin me ushqime e armatime të ndryshme të formacioneve partizane. Forcat italiane që ndodheshin në Mallakastër, pasi kishin marrë dhe më parë informacione rreth aktivitetit patriotiko-atdhetar të Baba Abaz Memushaj, në dhjetëditëshin e fundit të korrikut, nisin një operacion spastrimi në të gjithë zonën që shtrihet nga Mallkastra në Rabie; ku kryejnë vrasje, djegie shtëpish, plaçkitje të pronave të fshatarëve, etj. Ishte ora dy pas mesnate, kur forcat italiane rrethuan Teqenë. Ndërkohë Baba Abazi kishte refuzuar një kërkesë të Abaz Shehut, për t’u larguar nga teqeja, në mënyrë që të mbrohej nga hakmarrja fashiste, me arsyetimin se, “…nuk mund të largohem dhe t’i lë vetëm njerëzit”,që e besonin dhe e mbështesnin. Ai u qëndroi deri në fund të jetës së tij, të gjitha torturave barbare. Ja shpuan me bajoneta trupin, i nxorrën sytë, i shkulen mjekrën për së gjalli, duke e varur kokëposhtë. Edhe besimtarët dëshmuan të njëjtën rezistencë e vendosmëri përballë torturave çnjerëzore të pushtuesve italianë. Kjo gjakderdhje barbare, ku u vranë Baba Abaz Memushi, 5 dervish dhe 26 persona të tjerë, pa përfshirë djegjet dhe plaçkitjet e ndryshme në fshat, mund të konsiderohet më e madhja për nga numri i viktimave të shkaktuara prej pushtuesve italianë, jashtë frontit të luftës; për më tepër që bëhej fjalë për viktima të pafajshme. Kësisoj, Masakra e Teqes së Rabies është një nga ngjarjet më të bujshme të kohës së luftës, e cila për nga numri i viktimave dhe mënyra e shkaktimit të tyre është krahasuar shpesh me masakrën e Qerbelasë,ashtu siç e përshkruajën dhe vargjet: “Pa dëgjoni o Shqiptarë, në Rabie çfarë u bë,/ Baba e dervish i vranë, teqeja nuk është më,/ Edhe besnikët s’u ndanë, vanë përjet me të,/ Njëzet e shtat të vrarë, si në Qerbela u bë…”.

Ishte hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që kreu i tij tëshkelte në këto anë, dhe të përkujtonte një ngjarje të tillë. “Dua të shkojë në zona ku nuk ka shkelur njeri”, kjo ishte motua me të cilën Presidenti qe nisur në këtë rrugë të harruar për dekada nga zyrtarë të lartë shqiptarë. Tregon kryetari i Bashkisë Memaliaj, që e shoqëronte Presidentin në këtë ceremoni: “Kreu i shtetit u prek shpirtërisht teksa pa gjithë atë listë të gjatë viktimash të pafajshme. U interesua për mirëmbajtjen e varrezave të tyre dhe më tha të shkojë ta takoj në presidencë, ku do të ftoj dhe ambasadorin italian të bisedojmë, mbase ndihmonnë një farë mënyre me financime e investime…”. “Merrni përgjegjësi për vrasjet që bën paraardhësit tuaj!, -do t’i them, kish vijuar bisedën Presidenti, -të paktën kontribuoni për rrugën që të përkujtojmë të rënët!”.

Kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, që kur ka ardhur në këtë detyrë, po punon e lobon për ndërtimin e segmentit rrugor Ninsh-Gllavë, që kalon mespërmes Rabies dhe që ai e konsideron “Unaza Verilindore e Bashkisë Memaliaj”. Kohët e fundit, me mundësitë e pakta të vetëBashkisë, më e varfëra në vend, asfaltoi një pjesë të këtij segmenti rrugor nga Ninshi në Levan, ndërsa pjesën e mbetur e ka marrë përsipër ta asfaltoi Bashkia Mallkastër. Kësisoj, mbetet segmenti Levan-Rabie-Gllavë, jo me shumë se 10 km, në mënyrë që dy rrugët më të rëndësishme nacionale në jug të vendit, Levan-Tepelenë dhe Berat-Këlcyrë të shkëmbejnë me njera-tjetrën, në pak kilometra, qarkullime të ndryshme njerëzish e mallrash, duke bashkuar krahina të tëra, që, sipas Skënder Anamalit, në kohën e Gradishtës ilirike, kufizoheshin: “… në veri me Apoloninë, në verilindje me partinët, në juglindje me atintanët, në jug me kaonët dhe në perëndim me detin Adriatik”.

Historia e re që po shkruan “Vila Sofia”

Nga Rabia, duke ecur mespërmes fshatit Gllavë, Presidenti bëri një vizitë tek “Vila Sofia” – “dallëndyshja e parë” e biznesit turistik në zonën e Buzit. Më të shumtën e rrugës e përshkoi në këmbë, fare pak me makinë. Ndalonte sapo ndeshte banorë të fshatit, për të shkëmbyer dy-tre mendime me ta. Xhevdet e Përparim Coraj, ndonëse banojnë në Tiranë, i takoi në Gllavë. Xhevdeti ka qenë drejtues lokal në një kohë kur “politika ishte në plan të parë”. I thotë Presidentit: “Na gëzove e na nderove që erdhe në anët tona. Gjithë kohën kemi shërbyer e kurrë nuk jemi shpërblyer. Edhe Mbreti Zog këtu e merrte mjaltin. Janë vende të begata këto. Pastaj për histori, nga më të shquarat…”. Të njëjtat mendime ndan edhe me më të moshuarin e fshatit, Resul Cenaj. “Na u bëre si djali ynë, si Hetemi i “Vila Sofia”, i thotë veç të tjerash ai. “Për atje jam nisur, -ja kthen Presidenti, -nuk mund ta lija pa vizituar këtë investim pasionat, që po shkruan historinë e re të kësaj zone plotë histori të lashta”. Mbërrin tek “Vila Sofia”. E presin me buqeta me lule, Davidi dhe Sofia, nipi dhe mbesa ruso-shqiptare e Hetemit dhe Natashës, fëmijtë e Enos. Sërish emocione në fytyrën e paqtë e fisnike të Presidentit. Pastaj i afrohen për një foto, turistë të huaj që ndodheshin aty atë ditë fatlume; danezë, sllovenë, gjermanë. Në këtë atmosferë fantastike, fjalën e marrin të zotët e shtëpisë, Hetemi me Natashën, të cilët e njohin kreun e shtetit me iniciativën, sfidat dhe arritjet në këtë lloji biznesi familjar, këtu në qendër të “Kryevendit” jugor të Shqipërisë,të privilegjuar bujarisht, jo vetëm nga Zoti, por dhe nga natyra: 

“Kokë, majë, kryevend”, ky është kuptimi i fjalës “Gllavë”, dhe emri me të cilën u thirr pas dyndjeve sllave, ky territor urban i barazlarguar nga Mallkastra, Berati, Skrapari, Tepelena dhe Përmeti. Kjo ishte arsyeja, që në vitin 1928, Baba Murat Gëllava, me cilësinë e deputetit në Parlamentin Shqiptar, do t’u kërkonte organeve shtetrore të kohës, që vendlindja e tij të shpallej apo të caktohej qendër tregtare, pse jo dhe qëndër administrative për krahinat rreth e qark saj. Por nuk ja mbërriti dot ta bënte realitet, këtë projekt për bashkëfshatarët e tij, për shkak të ndarjes së papritur nga jeta.

I ndodhur në këto vende, natyra në çdo kohë të ofron pamje mahnitëse. Sidomos tani në periudhën e verës. Lëndinat dhe livadhet, që u mbështillen nga të gjitha anët “Tre Çukave”, duken si të vendosura me dorë, dhe ashtu të lidhura harmonikisht,ndoshta duan të ngrihen në supe malesh drejt qiellit, për të marrë e dhënë mesazhe shënjtërie.Presidenti u ngjit sipër në ato maja,nga ku mund të shihen në 360 gradë ishulli i Sazanit, qyteti i Fierit, Berati, Kuçova, Tepelena, Memaliaj, Gjirokastra, Delvina, Saranda, etj. “Kur librat e shenjtë përmendin parajsën, ndoshta përshkruajnë këto vise”, tha ai.Nga këto lartësi, duke drejtuar vështrimin në jugperëndim, mund të vështrosh kurorën e shenjtë matanë Vjosës, dhe pasi çmallesh me të, hedh sytë në verilindje nga ku Baba Tomori të rrëmben në gji me pamjen dhe ndjesinë hyjnore. “Tre Çukat” e Gëllavës janë monumentet e kësaj bukurie, të këtij “Kryevendi”. Është një bukuri që flet me gjuhën e lashtësisë dhe të historisë së veçantë njerëzore. Ka të paktën 15 shekuj që flitet kjo gjuhë, por që gradualisht ka filluar të harrohet, sidomos në këto vitet e demokracisë. Sepse gllaviotët kanë nisur të mësojnë gjuhë migrimi dhe emigrimi kudo në botë; fjalë ngushëlluese, të ndara nga njerëzit dhe sendet që përfaqësojnë. Fjalë që nuk e kanë peshën e “gurit të rëndë… në vendin e vet”, apo forcën e duhur të ndjeshmërisë, që të virbojnë shpirtin si; “vendlindje”, “trashgimi”, “atdhedashuri”; por edhe “traditë”, “fisnikëri”, “mikpritje”, “mundësi”, etj. Se zemra lodhet njëlloj si trupi, ku i vetmi melhem është fjala me urtësinë e saj, që dolën, së fundi, këtyre anëve, nga goja e Presidentit shqiptar. E më së shumti këto fjalë i mertion çifti Barjami për këtë investim bashëkohor në një nga zonat më të varfëra e më të braktisura të vendit, siç është zona e Buzit.

Ishte kohë pandemie, 5 vite më parë. Çoroditja, vetmia dhe frika kishin “konfiskuar” gjithë hapësirat e “hipotekuara” të shpresës. Pa filluar ende mbyllja e detyruar për shkak të pandemisë, çifti Barjami la Tiranën dhe u zhvendos në Gëllavë, ku nisi ndërtimin e një bujtine të pagëzuar me emrin e mbesës (vajzës së djalit) “Vila Sofia”, në trojet e të parëve të tij. Mjaftuan 3-4 muaj pune intensive dhe gjithëçka ishte gati për t’u inaguruar pikërisht sapo ishte hequr “shtetrrethimi” për pandeminë.Akti dhe investimi i ndërmarrë ndoshta ishin unikal për situatën e vështirë që po kalonte pothuajse mbarë bota, ku shumica e njerëzve e shtynte ditën me rimburësime pagesash nga shteti. Natyrisht që kjo nuk ishte një zgjidhje e momentit, thjesht për t’u arratisur nga “burgu” i Covid-it, por një vendim i mirëstudjuar, pasi Hetemi dhe Natasha kishin gati 3 dekada biznes në “profesion të lirë”, shumicën e kohës në Tiranë. Mbase mund të ishin larguar edhe më shpejt nga kryeqyteti, për t’u “rehatuar” këtu mes bukurive të natyrës, që zbresin magjishëm, mëngjes për mëngjes, së bashku me diellin prej “tre Çukave” të Gëllavës, por ndoshta shpresonin që të mos kthehen në të njëjtën rrugë, që i kishte detyruar të iknin nga këto troje. Pra, të mos udhëtonin sërish nëpërmjet kalldrëmit të zi dhe pluhurit ngjyrë gri, që në të njëjtën gjëndje infrastrukturore kishte përcjellë prej gati një shekulli me radhë; ngjarje lufte, ovacione kolektivizimi, dhe së fundi, edhe ditirambe demokratizimi. Por ata, si biznesmenë të sukesshëm e dinë më mirë se kushdo tjetër, që pritja dhe shtyrja “për nesër” e punëve që duhen bërë sot, nuk janë element suksesi. Dhe arritjet nuk munguan të vinë, qoftë edhe pa filluar rehabilitimi i rrugës së vjetër Berat-Këlcyrë. Turistë nga e gjithë bota u turrën drejt këtij oazi “në zemër të shkretëtirës”.“Shumica, -thotë Hetemi, -janë nga vendet perëndimore; anglezë, amerikanë, hollandezë, danezë, gjermanë, spanjollë, francezë, austriak, italianë, zviceranë, suedezë, belgë, finlandezë, norvegjezë… Nga vendet e lindjes më pak; kryesisht çekë e polakë; por edhe letonezë, bjellorusë, ukrahinas, pakistanezë… nga gjithë bota. Nuk kanë munguar as ata nga Brazili, Alaska, Zelanda e Re, etj. E pëlqejnë shumë natyrëne zonës; relievin, pyjet, bimësinë, produktet bio, ajrin e freskët me “0” lagështi…”.Tashmë “Vila Sofia” është shtuar me hotelin “Sofia On Top” – “…një superinvestim, realizuar falë njerëzve vizionarë…”, si Hetemi me Natashën, pozicionuar në anë të rrugës nacionale Berat-Këlcyrë, e cila pas investimit të qeverisë shqiptare po shndërrohet në një nga akset rrugore më të mira në vend, që veç të tjerash është dhe një segment i turzimit kulturor në jug të Shqipërisë, midis dy qendrave më të njohura historike, siç janë Berati dhe Gjirokstra, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

***

Natyrisht mund të ndaleshim dhe më gjatë në këtë vizitë të veçantë të Presidentit Bajram Begaj në itinerarin Sinjë-Gllavë-Rabie, pasi mesazhet me fjalë e me gjeste të tij përmbanin vlera përtej konceptit rutinë të detyrës. Në këtë mënyrë ai dëshmoi, se; mënçuria e vizioni për të ardhmen e vendit, nuk ka nevojë për “shtim kompetencash kushtetuese”, po për ndjeshmëri njerëzore, në mënyrë që të krijohet shpresë tek njerëzit, bazuar tek rrethant në të cilat ata ndodhen, si në “Viti 1984” të George Oruellit, sepse; “kush ka në dorë të shkuarën, ka në dorë të ardhmen, kush ka në dorë të tashmen, ka në dorë të shkuarën”…