Nga privilegji i përjetshëm te zhvillimi i përkohshëm: Shqipëria mes dy iluzioneve
Vladimir Marku
Ky reflektim qytetar vjen si një thirrje për ndërgjegjësim të thellë shoqëror, në një kohë kur Shqipëria ndodhet përballë dy iluzioneve të mëdha: privilegjeve të pamerituara për një kastë të paprekshme politike dhe shpresës së rreme se luksizmi turistik do të shpëtojë ekonominë.
Opinionet e shumë intelektualëve, akademikëve dhe atdhetarëve të vërtetë, të shprehura prej vitesh në media apo në forume publike, ngrejnë me të drejtë alarmin për një padrejtësi të heshtur: politikanë që, edhe pas largimit nga detyra, vazhdojnë të përfitojnë nga shteti, përmes pensioneve të majme dhe favoreve ligjore që shpesh tejkalojnë me shumëfish atë që merr një qytetar i zakonshëm.
Në një vend me ekonomi të brishtë dhe pabarazi të theksuar, kjo nuk është më vetëm çështje morali, por krizë e thellë besimi shoqëror dhe shenjë e deformimit institucional. Politika, në vend që të jetë një mision shërbimi, është shndërruar në një strehë privilegjesh të trashëguara, ku pushteti nuk përfaqëson më interesin publik, por garanton përfitime edhe pas largimit.
Dhe ky fenomen nuk kufizohet në 140 deputetët aktualë – janë me qindra ata që kanë kaluar ndër vite në institucione dhe që vazhdojnë të mbahen nga buxheti i shtetit, pa një filtrim real të kontributit dhe përgjegjësisë.
Në këtë kontekst, ideja e “pashallarëve të kuq”, e përshkruar dikur nga Ismail Kadare, duket se ka marrë një trajtë të re: një kastë e re e paprekshme, e veshur me kollare moderne, por me të njëjtën mendësi për t’u shkëputur nga hallet e njerëzve dhe për të mos e lëshuar asnjëherë privilegjin e pushtetit. Kjo kastë nuk largohet as kur nuk është më në detyrë – ajo vijon të rëndojë mbi supet e shoqërisë, në mënyrë të heshtur, por të pandërprerë.
Në anën tjetër të kësaj medaljeje, është iluzioni tjetër – ai që lidhet me zhvillimin përmes turizmit elitar. Propaganda zyrtare përpiqet të na bindë se ndërtimi i resorteve luksoze, rritja sezonale e turistëve apo rritja e vlerës së pronës janë shenja të një ekonomie në rritje. Por një vend nuk mund të ndërtojë zhvillim të qëndrueshëm mbi dy muaj verë dhe mbi një pakicë të pasur që shpesh nuk ka as lidhje emocionale, kulturore apo ekonomike me këtë vend.
Shumë nga këta të pasur – vendas apo të huaj – i çojnë fitimet jashtë, pa e ndjerë asnjëherë detyrimin moral ndaj tokës që i pret, ndaj shoqërisë që i rrethon. Ndërsa shtresa e mesme, që është baza e çdo shoqërie të shëndetshme, mbetet e papërfillur. Pikërisht kjo shtresë – më e ndershmja, më e qëndrueshmja, më e lidhura me realitetin dhe më konsumatoreja – ka nevojë për mbështetje reale, për politika që i japin mundësi, jo që e shtrydhin.
Të ardhurat e operatorëve turistikë shpesh mjaftojnë vetëm për mbijetesë dhe mirëmbajtje minimale. Turizmi është potencial, jo shpëtim kombëtar.
Shqipërisë i duhen shtylla të vërteta të zhvillimit: industri prodhuese, bujqësi dhe teknologji moderne, energji e rinovueshme, arsim i avancuar, sistem shëndetësor i qëndrueshëm dhe transparencë fiskale. Pa këto, çdo shpresë zhvillimi është iluzion i momentit.
Ndërkohë, raporti pensionistë ndaj të punësuarve është në nivel kritik: 1 me 1.17. Ky nuk është thjesht një tregues statistikor – është një kambanë alarmi për të ardhmen e sistemit social dhe financiar të vendit. Me një bazë kaq të ngushtë kontribuesish, çdo sistem që mbështet luksin dhe përfitimin pa prodhim e punë reale është i destinuar të shembet.
Mbi të gjitha, duhet thënë troç: pangopësia, kur ushqehet në kurriz të publikut dhe të përbashkëtës, nuk është më thjesht problem moral – është krim social. Pasuritë e ngritura mbi shkatërrimin kolektiv nuk sjellin zhvillim, por degradim të përgjithshëm. Dhe ky është fati që e pret çdo shoqëri ku privilegji përjashton përgjegjësinë, ku pushteti konsumon por nuk krijon, ku shteti mbron të fortët dhe harxhon të dobëtit.
Historia ka treguar se ndryshimi i vërtetë nuk bëhet me profiterë të përjetshëm të shtetit, por me njerëz të karakterit dhe përulësisë, siç ishin Qemal Ataturku në Turqi apo Angela Merkel në Gjermani – figura që lanë gjurmë jo për shkak të pasurisë apo pushtetit personal, por për vizionin, ndershmërinë dhe vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të drejtë dhe modern.
Edhe Shqipëria ka pasur rastin të njohë modele të tilla qytetarie dhe përulësie në krye të shtetit – si Alfred Moisiu apo Rexhep Mejdani – të cilët nuk shfrytëzuan detyrën për të ndërtuar pasuri apo për të trashëguar privilegje, por për të ruajtur dinjitetin e institucionit dhe për të përçuar frymën e bashkimit kombëtar.
Një shoqëri e drejtë ndërtohet me njerëz të drejtë. Përkundrazi, zhvillimi i vërtetë ndërtohet mbi ndershmëri, kreativitet dhe vizion kombëtar – mbi njerëz që punojnë me përkushtim për të ndërtuar një të ardhme për të gjithë, jo vetëm për një pakicë.
Shqipëria ka nevojë për një riformatim të prioriteteve: më pak privilegje për politikën dhe më shumë investim te njeriu i zakonshëm, te punëtori, mësuesi, bujku, inxhinieri, sipërmarrësi lokal – pra te ata që çdo ditë e mbajnë këtë vend në këmbë.
Koha për ta ndryshuar këtë realitet, këtë rrumpallizëm, që po punohet me moton sot për nesër dhe kap çfarë të kapin, është sot.
Është vonë për të zhbërë gjithçka, por nuk është kurrë vonë për të filluar drejtimin e duhur.