Kozeta Zavalani: Xheni Krypi – gruaja që bashkon inteligjencën, bukurinë dhe lidershipin
Porsa lexova statusin në facebook: Padyshim ajo që kalova në atë spektakël të mrekullueshëm, jo vetëm që ka lënë gjurmë të pashlyeshme, por njëkohësisht më ka rritur dhe përgjegjësinë si grua, si nënë dhe si intelektuale që ajo c’ka bëtë ju dhe ç’ka unë prezantova të jetë gjithmonë në të ardhmen një frymëzim për të realizuar ato pikësynime që kërkoj të realizonte ai spektakël i mrekullueshëm. Falenderoj të dy juritë si në Shqipëri dhe në Kosovë për vlerësimin që më bënë. Mirënjohje pa fund dhe suksese në veprimtaritë tuaja të ardhshme… Vendosa të shkruaj
Jam njohur me të gjatë spektaklit Miss Mama 2025, i cili u zhvillua në qytetin e Elbasanit, organizuar nga ideatorja, producientja dhe prezantuesja Xhilda Toska, Xheni Krypi shkëlqeu me prezencën dhe karakterin e saj, duke lënë mbresa të forta te publiku dhe juria. Në këtë ngjarje të veçantë, ku bukuria dhe personaliteti i grave nëna vlerësohen në nivele të larta, Xheni u vlerësua në prani të një jurie të përzgjedhur, ku bënin pjesë me zonja te nderuara si Vitore Stefa Leka nga diaspora, Sevdije Berisha nga Kosova, etj. Personalisht e përzgjodha figurën e saj si një grua e plotësuar – inteligjente, elegante dhe me ndikim pozitiv në shoqëri.
Kur u takuam së bashku Xheni ishte veshur thjesht por të mbërthente, si themi ne korçaret, me një pamje shumë pozitive dhe elegante. Ajo ka flokë të gjata, të zeza dhe të lëshuara. Mban veshur një bluzë të bardhë, e cila i jep një pamje të freskët dhe verore. Aksesorët e saj përfshijnë një varëse të madhe dekorative dhe syze dielli me kuadër katror, që i japin një pamje moderne dhe të sigurt në vete. Buzëqeshja e saj është e ngrohtë dhe e sinqertë, duke reflektuar vetëbesim dhe qetësi. E gjithë paraqitja e saj tregon një grua me stil, klas dhe një prezencë të fortë.
Xheni Krypi ra menjëherë në sy për elegancën dhe hijeshinë e saj, por ajo që të linte pa fjalë ishte thjeshtësia – ajo cilësi që, siç themi ne korçarët, “të mbërthen pa bërë zhurmë”. . Dhe i thashë me shumë kënaqësi: “Më vjen mirë që nga Nëna je korçare si unë.” Sepse ajo mbart atë përzierje të rrallë të finesës, krenarisë, fisnikërisë dhe butësisë që ne, si korçare, e njohim mirë dhe e vlerësojmë thellë. Një grua që e përfaqëson denjësisht figurën e nënës, profesionistes dhe qytetares bashkëkohore shqiptare.
Xheni, keni dy fakultete, një master shkencor, eksperiencë në mësimdhënie dhe drejtim institucional. Si ka ndikuar kjo rrugë në formimin tuaj personal dhe profesional?
Përgjatë gjithë karrierës sime, kam synuar gjithmonë të ndërtoj një bazë të fortë akademike dhe profesionale. Financat më dhanë strukturën, analizën dhe qasjen pragmatike, ndërsa matematika më mësoi logjikën e pastër dhe përqendrimin. Këto dy fusha më kanë ndihmuar të krijoj një profil të balancuar mes racionales dhe lidershipit strategjik. Eksperiencat në institucione publike më kanë përballur me sfida reale që kërkojnë vendimmarrje të mençur dhe të qëndrueshme. Ndërsa mësimdhënia më ka lidhur gjithmonë me rininë dhe dijen – dy burime të pashtershme frymëzimi.
Si është të jesh një grua në pozicione drejtuese në Shqipëri, veçanërisht në institucione të rëndësishme si Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave?
Të jesh grua në pozicione të tilla kërkon më shumë se thjesht përgatitje teknike. Kërkon durim, vendosmëri, integritet dhe aftësi për të përballuar paragjykimet e natyrshme që ende ekzistojnë në shoqërinë tonë. Por besoj se çdo pengesë është një mundësi për të treguar vlerat e tua reale. Në pozicione drejtuese, gjithmonë kam ndjerë përgjegjësinë për të qenë shembull jo vetëm si profesioniste, por edhe si grua që frymëzon.
Brenda një viti keni fituar dy çmime: “Miss Mama” në Shqipëri dhe “Miss Personalitet” në Kosovë. Si lindi dëshira për të marrë pjesë në këto aktivitete?
Ishte një sfidë personale. Shpesh shoqëria jonë përpiqet të na vendosë në korniza: ose je e ditur, ose je e bukur; ose je nënë, ose je e suksesshme. Unë doja të tregoja se një grua mund të jetë gjithçka – dhe ta bëjë me dinjitet. “Miss Mama” dhe “Miss Personalitet” ishin më shumë se çmime – ishin mesazhe për të gjitha gratë që hezitojnë të dalin përpara dhe të tregojnë potencialin e tyre të plotë.
Çfarë përfaqëson për ju titulli “Miss Personalitet”?
Ky çmim më preku shumë, sepse nuk ishte thjesht për pamjen, por për karakterin, energjinë dhe vlerat që përcjell. Për mua, personaliteti është arma më e fortë që një njeri mund të ketë. Është ajo që mbetet kur fjalët harrohen dhe pamja ndryshon. Ky titull më dha konfirmimin që rruga ime ka qenë me ndikim, jo vetëm në profesion, por edhe në jetën shoqërore dhe njerëzore.
Si e menaxhoni të qenit nënë, pedagoge, drejtuese dhe njëkohësisht pjesëmarrëse aktive në aktivitete publike?
Me shumë dashuri dhe përkushtim. Nuk është e lehtë, por kur vepron me pasion dhe vërtetësi, çdo rol bëhet një shtyllë që të forcon. Familja ime është mbështetja më e madhe dhe motivimi im kryesor. Nënësia më ka mësuar durimin, pedagogjia më ka dhënë misionin, drejtimi më ka dhënë sfidën, ndërsa pjesëmarrja në aktivitete publike më ka hapur horizonte të reja vetërealizimi.
Çfarë këshille do t’u jepnit vajzave dhe grave që ndihen të kufizuara nga paragjykimet shoqërore?
Mos lejoni askënd të vendosë kufijtë e ëndrrave tuaja. Shkolloni veten, dashuroni veten, sfidoni veten. Mos kini frikë të shkëlqeni. Jeta është shumë e shkurtër për të jetuar sipas pritshmërive të të tjerëve. Fuqia është brenda nesh – mjafton ta besojmë.
—
Xheni Krypi është një shembull frymëzues i gruas moderne shqiptare – një figurë e dijes, elegancës dhe qëndresës. Ajo na kujton se bukuria dhe inteligjenca nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por në të vërtetë, kur bashkohen, krijojnë një forcë të jashtëzakonshme transformimi në shoqëri.