Diversioni i rëndë anti-Kadare nga një pronar shkolle private
Për të kuptuar një Nastradin sui generis, një lloj Lejfeni apo një Ebu Qerim të dytë, mjafton të lexosh shkrimin për “Pallatin e Ëndrrave”, me titull “Interpretimi përfundimtar i romanit të Ismail Kadaresë”, një keqkuptim i madh; mjerim për atë që e ka shkruar, pronar i një shkolle private, dy herë mjerim për atë që e publikon. Nuk ndodh që në Angli, Gjermani, Francë, Hollandë, pra në vende perëndimore dhe më gjerë që një pronar shkolle të bëjë një diversion ndaj dy personaliteteteve të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadaresë dhe Naim Frashërit. Bota perëndimore nuk të censuron mendimin e lirë, qoftë edhe idiotesk, por nuk të lejon të kesh një shkollë që arsimon dhe edukon brezat. Nuk di kush ministër arsimi i ka dhënë licensë në 1997, por si individ i lirë në demokraci, mund t’i jepet një tjetër për gjithfarë punësh, por kurrsesi për një shkollë private. Me apo pa SPAK, prokuroria e Tiranës duhet të nisë sa më parë një hetim kryesisht dhe të ndëshkojë ose mua si denoncues, ose pronarin e shkollës që shikon një endërr në ditë vere dhe denigron publikisht një personalitet kulture që e bëri artin shqiptar dhe gjuhën shqipe, pjesë të universit botëror…
Poeti modern Ezra Paund, për lajmet fashiste që transmetonte në Romë u rrëmbye nga amerikanët dhe u mbyll në një kafaz se binte në kundërshim me vlerat perëndimore, por nuk iu prek asgjë nga krijimtaria e tij…
——
Historiku i shkurtër i botimit dhe ndalimit të romanit “Pallati i ëndrrave”
“Pallati i ëndrrave” u shkrua nga Ismail Kadare në vitet 1976-1981 dhe u botua për herë të parë më 1981 në përmbledhjen “Emblema e dikurshme” nën titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Romani flet për një shtet totalitar që në shikim të parë duket si Perandoria Osmane, ku ekziston një institucion shtetëror i quajtur Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave), synimi i të cilit është mbledhja e ëndrrave të qytetarëve, shqyrtimi dhe interpretimi i tyre për të gjetur shenja të rebelimit ndaj shtetit ose paralajmërimeve për fatkeqësi. Studiues shqiptarë dhe të huaj, kanë vënë në dukje se Tabir Saraji është aluzion për Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë.
Në 1980, kur po botoheshin romanet “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Dasma” në një vëllim të përbashkët, Kadare futi aty edhe dy kapitujt e parë të romanit “Pallati i ëndrrave”. Një vit më vonë, me rastin e ribotimit të një përmbledhjeje me tregime e novela. Kadare e përfshiu romanin e plotë pa u vërejtur nga censura zyrtare.
Pas botimit njerëzit filluan të vërenin ngjashmëri mes përshkrimeve të qytetit ku luheshin ngjarjet në roman dhe Tiranës. Disa veçori të Tabir Sarajit u kujtonin njerëzve ndërtesën e Komitetit Qendror të PPSH-së. Edhe atmosfera e terrorit në roman të kujtonte atmosferën e terrorit në Shqipërinë e regjimit totalitar. Për shkak të aluzioneve të hapura kundër regjimit komunist, në mars 1982 u thirr në mënyrë urgjente një plenum i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë si Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha; romani “Pallati i ëndrrave” u dënua ashpërsisht, kurse Kadare u akuzua se në vepër kishte futur aluzione kundër regjimit komunist në Shqipëri, duke i thënë që ishin në dijeni se “Pallati i Ëndrrave” ishte në fakt Komiteti Qendror i PPSH-së. Pos tjerash, autori u akuzua se kishte bërë sulme të fshehta ndaj sistemit socialist dhe izolimit të Shqipërisë. Si rrjedhojë romani u ndalua. Prej një arrestimi të mundshëm autori shpëtoi falë njohjes ndërkombëtare.
Shtypi botëror reagoi ndaj dënimit të romanit; në Perëndim pati edhe protesta për të mbrojtur autorin. Në 2019 u publikuan për herë të parë materiale sekrete mbi bisedat e Enver Hoxhës me ministrin e brendshëm në vitin 1982:
Ministri: […]E dyta, kam frikë se francezët mund të kenë pasur si ndërlidhës dhe me Ismail Kadarenë.
Enver Hoxha: Cilin? Ismail Kadarenë?
Ministri: Po, po, Ismail Kadarenë. Nuk e di nëse ju ka rënë juve në sy që shtypi francez tani…
Enver Hoxha: Jo vetëm që më ka rënë në sy, po e pe ç’ka bërë tjetër shtypi francez? Libraria që ndodhet përpara ambasadës sonë në Paris një vitrinë të tërë ia ka kushtuar Ismail Kadaresë. Atje pyetën ambasadorin tonë se çfarë kritike i keni bërë ju Ismail Kadaresë në lidhjen e Shkrimtarëve? Megjithatë unë mendoj se Ismail Kadareja s’është nevoja t’i bëjë këtu, në Shqipëri, takimet me francezët, se kushedi sa herë ka shkuar ai në Paris, ku është takuar me Fajarin e me të tjerë.
Ministri: Ky është një drejtim i mundshëm, prandaj rrethi i tij mendoj se duhet parë me kujdes, shoku Enver.
Enver Hoxha: Duhet kujdes, duhet Kadri, se ai do të na bëhet nesër një disident, në qoftë se ne do ta lejojmë këtë njeri të vejë në Francë dhe ky do të përpiqet të gjejë shumë arsye për të vajtur. Një nga këto arsye mund të jetë filmi që ka nja pesë vjet që flitet se po përgatitet, kurse në pesë vjet mund të xhirohen dhjetëra filma dhe jo të mos bëhet dot nga ana e francezëve një film si ai për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, që nuk kërkon as skena të mëdha. Ky film është si një tryelë që francezët e kanë ngulur te ne për të varur kapelën e Ismail Kadaresë. Tani na vihet problemi do ta lejojmë ne Ismail Kadarenë të vejë në Francë? Atë e kish ftuar Fajari, gjoja për të shtypur një libër që ka dërguar atje. Po ne nuk e lejuam Ismailin të vente. I thamë përse dëshiron të vesh? Librin francezi e shtypi natyrisht pa e pyetur fare këtë dhe s’kishte pse ta pyeste, po patjetër që e ka thirrur t’i thoshte diçka për Mehmet Shehun.
Botimet Fayard për “Pallatin e ëndrrave”
“Për një kohë të gjatë, kisha dashur të ndërtoja një ferr. Megjithatë, e kuptova sa ambicioz dhe madje edhe imagjinar ishte një projekt i tillë, duke ndjekur punën e egjiptianëve anonimë, Virgjilit, Shën Agustinit dhe veçanërisht Dantes…”, rrëfeu Ismail Kadaré për këtë roman, i cili mund të konsiderohet kryevepra e tij.
Pjesë e një familjeje të shquar nëpunësish civilë të rangut të lartë, Mark-Alem punësohet nga institucioni më sekret, i fuqishëm dhe i tmerrshëm që mund të imagjinohet: një administratë e ngarkuar me mbledhjen e ëndrrave të të gjithëve, madje edhe në provincat më të largëta, duke i mbledhur ato në një vend të vetëm, pastaj duke i renditur, klasifikuar dhe interpretuar ato, në mënyrë që të izolojë këto “Ëndrra kryesore” në të cilat mund të deshifrohet fati i Perandorisë dhe tiranit të saj. Një mision dantesk: të thajë dhe centralizojë pavetëdijen kolektive të një vendi të tërë! Një detyrë kafkiane: të thajë dhe centralizojë pavetëdijen kolektive të një vendi të tërë! Rreth pas rrethi, Mark-Alem promovohet përmes rrathëve koncentrikë të kësaj katedre të lartë pushteti, derisa të bëhet mjeshtri i saj i plotfuqishëm. Por një mjeshtër i përndjekur nga frika se mos shtypet nga ana tjetër nga burokracia infernale që ai drejton: a nuk do të përfundojë një ditë duke lexuar, në rebusin e ndonjë ëndrre anonime, turpin dhe dënimin e familjes së tij?
Qendra e mbretërisë së errësirës, Pallati i Ëndrrave është si arketipi i atyre policëve të ndërgjegjes që, që nga përjetësia, janë ngarkuar me përjetësimin e tiranive. I shkruar dhe botuar në Shqipëri në vitin 1981, ky roman jehon si një britmë tmerri në natën e perandorive lindore që po vdesin – një nga ato britma të lëshuara papritur nga ata që flenë, të paaftë të dalin plotësisht nga makthi që sapo i ka zgjuar me një tërbim.