Albspirit

Media/News/Publishing

DRAMA E NJERËZVE TË UÇK-SË ËSHTË SE ATA E HUMBËN NË PAQE FLAMURIN ME TË CILIN FITUAN LUFTËN KUNDËR SERBISË

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë

Nga dr. Mujë Buçpapaj

Fjalë kyçe:

Kosova, UÇK, bashkimi kombëtar, Flamuri kuq e Zi, paqja e pasluftës, shtetformimi, ndërhyrja ndërkombëtare, Gjykata Speciale, identiteti kombëtar.

Më 7 gusht në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) organizoi një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë. Kjo protestë është shumë më tepër se një akt solidariteti: është një thirrje për kujtesë, një përpjekje për t’i kthyer historisë dinjitetin që po i mohohet.

Fitorja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qershorin e vitit 1999 shënoi një pikë kthese historike për shqiptarët e Kosovës. Megjithatë, kjo fitore nuk u kurorëzua me realizimin e objektivave kryesore të Luftës – çlirimin e plotë të territorit dhe bashkimin kombëtar. Në vend të tyre, filloi një periudhë paqeje e mbështetur në ndërhyrje ndërkombëtare, e karakterizuar nga kompromiset politike, shtetformimi i asistuar dhe ndryshimi i simboleve kombëtare. Ky artikull synon të analizojë në mënyrë kritike këtë tranzicion dhe të vërë në pah kontradiktat ndërmjet qëllimeve të luftës dhe realitetit të pasluftës.

2. Simbolika e Flamurit dhe roli i UÇK-së

Flamuri kuq e zi nuk ishte vetëm simbol kombëtar, por edhe flamur lufte dhe bashkimi. Ai shërbeu si mjet mobilizues dhe i dha legjitimitet moral dhe kulturor rezistencës së UÇK-së. Himni i saj dhe diskursi politik ishin të orientuar kah bashkimi kombëtar dhe çlirimi i plotë i tokave shqiptare. Pranimi i një flamuri tjetër pas luftës, pa asnjë lidhje simbolike me shqiptarët, përfaqëson një ndarje të qëllimshme nga kjo trashëgimi e ideologjise kombetare të bashkimit.

3. Paqja e kushtëzuar dhe kompromiset territoriale

Pas përfundimit të luftës, UÇK nuk vijoi vendosjen e autoritetit shtetëror në veri të vendit. Rajoni përtej lumit Ibër mbeti nën ndikimin e Serbisë, duke krijuar një gjendje të përhershme të sovranitetit të kufizuar. Po ashtu, Kosova humbi territore në marrëveshje të mëvonshme me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Këto lëshime ishin rezultat i qasjes së re politike që vinte theksin tek njohja ndërkombëtare, shpesh në kurriz të interesave kombëtare.

4. Struktura të imponuara dhe fragmentimi i shtetësisë

Paketa e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës sollën elemente të tilla si vetëqeverisja për komunat me shumicë serbe në veri, duke vendosur një strukturë të brendshme që cenon unitetin funksional të shtetit. Këto forma të decentralizimit ekstrem përforcuan ndarjen etnike dhe rrezikuan dhe rrezikojnë integritetin territorial të Kosovës.

5. Gjykata speciale dhe diskursi i barazimit me pushtuesin

Krijimi i Gjykatës Speciale për krime lufte vetëm ndaj anëtarëve të UÇK-së është një nga zhvillimet më të diskutueshme. Ndërsa krimet e ushtrisë serbe nuk janë ndjekur në mënyrë të barabartë, kjo gjykatë ka ndikuar në delegjitimimin e narrativës së çlirimit dhe në dobësimin e figurës së luftëtarit si hero kombëtar. Kjo ka pasoja afatgjata për kujtesën historike dhe ndërtimin e identitetit shtetëror.

6. Qëndrimi i Serbisë ndaj UÇK-së dhe instrumentalizimi i narrativës së Luftës

Serbia, që prej përfundimit të luftës në Kosovë, e ka ndërtuar një diskurs të qëndrueshëm kriminalizues ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e paraqitur atë jo si forcë çlirimtare të një populli të shtypur, por si organizatë kriminale dhe terroriste. Ky qëndrim ka qenë pjesë integrale e përpjekjeve të Beogradit për ta relativizuar përgjegjësinë për krimet e luftës që ushtria dhe policia serbe kanë kryer në Kosovë dhe për të ndërtuar një narrativë alternative të konfliktit. Në këtë kontekst, përndjekja e ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, e ndodhur mbi bazën tërësisht të njëanshme të pretendimeve te pabaza për “krime të UÇK-së”, ka krijuar ndjesinë se po realizohet një delegitimim institucional i Luftës Çlirimtare, i cili, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, shërben interesave të Serbisë. Ndërsa Serbia nuk ka dorëzuar ende asnjë nga krerët ushtarakë  përgjegjës për krime lufte në Kosovë, proceset ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së perceptohen nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare si një barazim i padrejtë midis agresorit dhe viktimës, i cili po ndihmon Serbinë të rikthejë legjitimitetin ndërkombëtar.. Kjo situatë shton ndjenjën e zhgënjimit dhe tradhtisë, dhe forcon bindjen se drejtësia ndërkombëtare po përdoret jo për të vendosur paqe dhe të vërtetë, por për të prodhuar kompromise të reja politike që dëmtojnë kauzën e lirisë së Kosovës. Serbia vijon të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës duke ju  referuar  për propagandë dhe diversion Rezolutës 1244 të OKB-së, edhe pse ajo faktikisht ka rënë.

7. Momenti historik i humbur: 1999

Viti 1999 përfaqësonte një mundësi të artë për bashkimin kombëtar shqiptar. Me një përkrahje të pashembullt ndërkombëtare dhe një Serbi të izoluar e të diskredituar, ishte momenti ideal për një aksion të koordinuar mes UÇK-së, shtetit shqiptar dhe aleatëve perëndimorë. Mosveprimi në këtë periudhë rezultoi në ndarjen de facto të kombit shqiptar dhe në shndërrimin e Kosovës në një protektorat të zgjatur ndërkombëtar.

8. Ndikimet identitare dhe diskursi i “Kombit kosovar”

Diskursi mbi një identitet të veçantë kosovar është shfaqur si pasojë e presioneve të jashtme dhe mungesës së një vizioni të qartë kombëtar nga elitat politike. Kjo përpjekje për ndarjen e identitetit kosovar nga ai shqiptar, ndonëse artificiale, ka pasur ndikim në përçarjen e bashkësisë politike dhe kulturore shqiptare. Në këtë kontekst, përjashtimi i flamurit kuq e zi nga sfera publike përfaqëson simbolikisht zhveshjen nga historia. Ngarjet e fundit të përdhosjes së Flamurit kombëtar dhe momumentit të heroit tonë Skëndërbeu janë pasojë e ndikimeve serbo-ruse, por edhe e kësaj politike afatgjatë.

9. Strategjitë për veprim politik kombëtar dhe ndërkombëtar. Riorganizimi i luftëtarëve të UÇK-së si faktor moral dhe strategjik

Luftëtarët e UÇK-së, të cilët përfaqësojnë një kapital historik dhe moral të paçmuar, nuk mund të mbeten spektatorë në debatin për të ardhmen e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Atyre u takon të rikthehen në skenën publike jo si figura nostalgjike, por si institucion politik dhe shoqëror i përgjegjshëm që mbron idealet e luftës çlirimtare. Kjo kërkon ndërtimin e një platforme kombëtare, që bazohet në vlerat e sakrificës, integritetit dhe bashkimit, dhe që e artikulon qartë mospranimin e kompromiseve të mëtejshme që cenojnë sovranitetin dhe identitetin kombëtar.

10. Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë: Nga menaxhim teknik në vizion kombëtar

Qeveria në Prishtinë dhe ajo në Tiranë duhet të çlirohen nga kompleksi i “miratimit ndërkombëtar” si kriter parësor i vendimmarrjes politike. Kosova nuk mund të jetë më një shtet që thjesht “administrohet” në pritje të njohjes nga Serbia; dhe Shqipëria nuk mund të mbetet një vëzhguese pasive e proceseve që prekin drejtpërdrejt interesin kombëtar. Dy qeveritë shqiptare duhet të krijojnë një Këshill të Përbashkët Strategjik për Çështjet Kombëtare, që të trajtojë si një tërësi: sigurinë, integrimin ekonomik, bashkëpunimin arsimor dhe koordinimin diplomatik të shqiptarëve në Ballkan. Për më tepër, Shqipëria duhet të artikulojë në mënyrë të matur, por të qartë, opinionin e saj mbi domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar si çështje e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

11. Bashkimi i faktorit shqiptar në rajon: Nga fragmentim në front të përbashkët

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe diasporën politike në Greqi e më gjerë, duhet të ndërtojnë një platformë të përbashkët strategjike, jo vetëm si çështje e të drejtave të komuniteteve pakicë, por si pjesë e një projekti gjithëkombëtar. Krijimi i një Asambleje të Shqiptarëve të Rajonit, si forum konsultativ dhe koordinues, do të forconte ndjeshëm zërin shqiptar në proceset ndërkombëtare dhe do të ndihmonte në ndërkombëtarizimin e çështjes së bashkimit kombëtar si projekt paqësor, demokratik dhe euroatlantik.

12. Diaspora shqiptare dhe lobimi ndaj SHBA-ve

Diaspora shqiptare në SHBA, Evropë dhe gjetkë përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm diplomatik, ekonomik dhe kulturor, i cili ende nuk është përdorur në mënyrë të koordinuar. Është e domosdoshme krijimi i një Agjencie Kombëtare për Lobimin Shqiptar në Diasporë, e cila do të synojë:

• Ndërtimin e rrjeteve me ligjvënësit amerikanë dhe evropianë,

• Prezantimin e bashkimit kombëtar si zgjidhje përfundimtare e qëndrueshmërisë në Ballkan,

• Nxitjen e një debati të informuar në qarqet akademike, të sigurisë dhe të politikës së jashtme në SHBA,

• Propozimin e modeleve demokratike të bashkimit kombëtar (në frymën e unifikimeve europiane, si Gjermania pas Luftës së Ftohtë).

Në këtë kontekst, duhet theksuar se SHBA nuk janë kundër aspiratave kombëtare legjitime, për aq kohë sa ato janë të qarta në qëllime, të strukturuara në formë dhe të mbështetura mbi vlera perëndimore të demokracisë dhe stabilitetit.

Prandaj, shqiptarët nuk duhet të kenë frikë t’i artikulojnë ambiciet e tyre kombëtare edhe në Uashington – me dinjitet, maturi dhe bindje strategjike.

13. Përfundime dhe rekomandime

Artikulli përfundon me konstatimin se tranzicioni nga lufta në paqe në Kosovë nuk është shfrytëzuar për të konsoliduar një shtet funksional me vizion kombëtar. Humbja e flamurit në paqe nuk është vetëm simbolike; ajo përfaqëson edhe humbjen e qëllimit. Për të rikthyer koherencën identitare dhe drejtimin strategjik, nevojitet një reflektim i thellë politik dhe kulturor, si dhe një rishikim i marrëdhënieve me ndërkombëtarët në raport me interesat kombëtare, duke rritur lobimin me aletatë tanë strategjik SHBA-të. Bashkimi kombëtar mbetet një qëllim legjitim dhe i domosdoshëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

*Autori i shkrimit është botues i gazetës javore “Nacional” dhe drejtor i Institutit të Studimeve dhe Projekteve Nacionale, Tiranë.