Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Tol Arapi, punoi e luftoi që të bëhej Shqipëria

Fëmijëria dhe shkollimi

Tol Arapi ka lindur në vitin 1881 në Vlorë. Babai, Stavre Arapi u martua me Aspria nga fisi i Jankajve të Myzeqesë së Vlorës, nga Poro. Nëna ishte një grua e gjatë, e bukur dhe shumë e zgjuar, ndërsa babai ishte i shkurtër, zeshkan, shumë trim, një gjahtar i fortë. Ai ishte i vetmi kristian që mbante armë në Vlorë, i cili kishte një pushkë të gjatë “Kapsolli”, si dhe mbante pisqollë në brez.Prindrit Tol Arapin e çuan në shkollë në moshën 5 vjeç, edhe pse ishin të varfër dhe u kishin vdekur disa fëmijë. Shkolla bëhej për kristianët në gjuhën greke, për myslimanët në gjuhën turke. Qeveria turke nuk lejonte shkolla në gjuhën shqipe. Toli mbaroi dhe të tretën (unike) qytetese, ekur mbaronte viti shkollor, për t’u “përmbledhur” prindërit i fusnin fëmijët në zanate. Ai mësoi për samarxhi tek Josif Marjanku nga Marjani i Korçës. Usta Josifi e donte shumë dhe në behar e mori në fshat bashkë me djemtë e tij. Kishte shumë dëshirë të shkotë në Korçë sepse thuhej se në malet e Korçës ishte një hajdut, Shahin Matraku dhe usta Josifi kishte miqësi me të. Në vitin 1896 shkoni në Stamboll për studime dhe punë.

Në lëvizjën patriotike dhe me çetat në male

Në vitin 1906 u largua nga Stambollit dhe shkoi në Selanik. Në Maqedoni kishte një lëvizje dhe Tol Arapi mendoi të merrte pjesë në kryengritje, por në Selanik pendohet dhe kthehet përsëri në Stamboll. Më 1907 përsëri në Shqipëri. Midis patrioteve që punonim për çlirimin kombëtar në Vlorë takohet me Mullah Xhaferr Drashovica, Kristo Karbunara, Kol Karbunara, Hamit Lumi, Dush Strati, Hamza Isaj, Musa Çakërri, Osmën Shehu, Latif Pasho, Imer Radhima etj. Këta patriotë kishin formuar në Vlorë bërthamën e një komiteti kryengrites të fshehtë, i cili punonte për zgjimin e mëtejshëm të popullit shqiptar dhe për luftën që i duhej bërë robërisë turke. Ky komitet ishte i lidhur me kolonitë kombëtare dhe kishte gjetur mënyra të voltishme për të prurë në Vlorë botime të shkrimtarëve të Rilindjes dhe sidomos veprat e Naim Frasherit, përkthimet e Kostandin Kristoforidhit dhe ndonjë gazetë që botohej në gjuhën shqipe në Bukuresht, në Sofie e në ndonjë tjetër koloni kombëtare. Tol Arapi lexon shkrimet e rilindasve dhe u bë një nxënës i flaktë i tyre. Në fund të vitit 1907 kthehet në Stamboll. Në Vlorë (1908) ishte themeluar Klubi “Labëria”, anëtar i të cilit u bë dhe Tol Arapi. Klubi punoi gjer më 1911. Formalisht ai ishte një klub kulturor, ku mblidheshin e bisedonin dhe jepeshin mësim në gjuhë shqipe. Në të vërtetë, klubi bënte propaganda për kryengritje kundër Turqisë. Në Stamboll ishte formuar klubi shqiptar “Bashkimi”, kryetar i të cilit ishte kosovari patriot Nexhip Bej Draga. Në klubin shqiptar “Bashkimi” të Stambollit, 1908, bënin pjesë: Bajo Topulli, Dervish Hima, Mehmet Pavari, Nexhip Draga, Stavre Karoli, Tol Arapi, Vasil Vreto etj. Në klub mblidheshin shqiptarët dhe bisedonin për çështjet e Shqipërisë. Më 1909 në klub erdhën dhe përfaqësues të kolonisë shqiptare nga Rumania. Revolucioni i xhon turqëve e gjeti në Stamboll. Në klub mësuam se nga Shqipëria ishin zgjedhur deputet për në parlamentin turk Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina.

Më 1909, në Qishë-Bardhë u mblodh komisioni i Kazasë së Vlorës. Tol Arapi bënte pjesë në çetën që ruante Komisionin. Këtu ishin Namik Selimi me çetën e tij, Abas Nuri e Elmaz Xhaferri nga Kanina, Alem Mehmeti nga Tragjasi, Ali Beqiri nga Velça, Shero Emini nga Smokthina, Jakup Agalliu nga Vlora etj. Komisioni vendosi t’u kërkojë Fuqive të Mëdha autonominë e Shqipërisë. Komisioni caktoi si delegat Mahmut Qemalin, të birin e Ismail Qemalit dhe Ali Durmishin nga Karbunara. Xhonturqit nuk i mbajtën premtimet e veta, në mënyrë demostrative dhe për të rrëmbyer armë nga turqit, filluam të formojmë çeta. Kur u formua çeta që udhëhiqej nga Namik Selimi, Toli Arapi dhe Hamza Isaj shkuam në çetë. Çeta u nda në dy pjesë: Toli Arapi bënte pjesë në çetën që komandonte Zaçe Xhelua nga katundi Smokthine – Mesaplik. Ishin gjithsej 25 veta, pjesa më e madhe fshatare. Bukën e siguronin nga fshatara dhe në stanet e Shashicës. Në kohën që ishim në çetë dhe shkonin në fshatra, Tol Arapi u këndonte fshatarëve libra shqip dhe sidmos “Bagëtinë e Bujqësinë” e Naim Frashërit.

Në Luftën e Janinës dhe në shërbim të shtetit shqiptar

Në vjeshtën e vitit 1912 nisi Lufta Ballkanike. Turqia po mobilizonte ushtarë dhe i dërgonte në Janinë. U nisën në Janinë që të mbronim Shqipërinë nga grekët. Mendonin se flamuri do ngrihej në Janinë që ishte një nga vilajetet, për të shpëtuar dhe Çamërinë. Ishte e para herë që Turqia merrte kristianët ushtarë. Më përpara “kaurët” paguanin “nizam”, taksë për mosshkuarje ushtar. Kësaj radhe i merrte ushtarë, por nuk u jepte armë, i përdorte për ndihmë “izmete”. Nga të gjithë të tjerët Tol Arapi u pajis me armë. Në Janinë punonte klubi i shqiptareve, i cili ishte hapur dhe mbahej prej Hoxha Kadriut. Atje takoheshim e bisedonim për ngritjen e flamurit në Janinë. Në dhjetor të 1912, kur luftonim në Janinë, Muhametit i erdhi një letër nga i vëllai, Hamza Isaj, i cili i thoshte: “Braktisni ushtrinë turke dhe ejani në Vlorë, se këtu ne e ngritëm flamurin kombëtar. Shqiptarët të mos vriten për Turqi”. Vlonjatët i thërriste Ismail Qemali. Qeveria e Vlorës, Tol Arapin e emërojë nënkomisar të Policisë botore. Në polici u morën me mbajtjen e qetësisë. Ruanin dhe pazarin, ku mbanim qetësi me ndihmën e gjindarmërisë së vogël, sa për qytetin e Vlorës. Policia brenda një kohe të shkurtër mundi të vendosë rregull në Vlorë dhe ishte në dijeni për të gjithë elementët e dyshimtë që futeshin në qytet. Erdhi dhe Tomsoni në Vlorë, i cili u muarr me organizimin e gjindarmërisë, por bashkëpunonte me ne. Tomsoni i nxorri në punë të burgosurit. Me punën e të burgosurve u nxorrën gurët e Kalasë dhe u shtrua rruga e Skelës, e cila ishte rrugë e ngushtë. Kur tradhëtia e Esatit u bë e hapur, Tol Arapi botoi “Kuçedrën” më 15 qershor 1914. Botimi i broshurës bëri përshtypje të madhe sepse Esati në atë kohë ishte në fuqi, ai ishte fuqiplotë në Durrës. 300 copë të “Kuçedrës” i dërgoi në Kolonitë Shqiptare të Amerikës. Ndërkohë fillon kryengritja e rebelëve dhe Tol Arapi prej Vlorë shkoi në Durrës. Pozicioni ishte te Ura e Dajlanit. Këtu ishte një pjesë, ndërsa pjesa tjetër mbrohej më përpara, rrugës që vete për në Shijak. Rebelët dilnin nga Kodrat e Shën – Vlashit. Aty ka pa Tomsonin që me kobure në dorë thërriste: – Burra djem “Për mbret!”, “Për atdhe!”. Ai fliste shqip. Përpjekja ishte shumë e ashpër, e rreptë. Rebelët fituan. Ata erdhën dhe në Vlorë, ku ulën flamurin shqiptar dhe ngritën atë turk. Të gjithë patriotët vlonjatë u arratisën. Tol Arapi, Hamza Isaj, Ymer Radhima, Mustafa Tragjasi shkuam në Itali, në Bari. Atje qëndruam rreth nja dy muaj. Kur erdhën në Vlorë çdo gjë ishte e qetë, rebelët kishin ikur. Gjendja ishte e turbullt dhe Tol Arapi shkoi në polici. Më 1914 Italia zbarkon në Vlorë.

Lufta e Vlorës 1920

Zbarkimi i Italisë më 1914 e gjeti në Vlorë. Punonte këpucar në dyqanin e Vafkut. Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, Italisë i ishte dhënë nga Fuqitë e Mëdha e drejta të mbante interlandin e Vlorës. Vlora rrezikohesh të mbetej nën pushtimin italian. Kur filloi Kongresi i Lushnjës, Tol Arapit ju besua shpurja e postës nga Vlora në Lushnje, në kongres. Posta i dorëzohej në kafenë e Hamza Isait. Përveç në Kongresin e Lushnjës, postën e ka shpurë dhe në Shkodër në Komisionin Anglez. Postën e fshinte në samar të kalit. Kongresi i Lushnjës vazhdonte punimet, ndërsa në Vlorë nisi të përhapet ideja e një kryengritjeje kundër italianëve. Filluan të dërgohen njerëz në katunde për të përgatitur kryengritjen. Mbledhja e delegatëve ishte caktuar për në Barçalla (Dukat). Tol Arapi gjendej në Vlorë dhe një ditë përpara se të fillonte sulmi mbi italianët, mori një letër nga Hamza Isai, i cili shkruante “urgjentisht të takohemi në Beun”. U nis bashkë me Isa Çakërrin. Shkuan nëpër Drashovicë dhe në kohë darke mbërritën në Beun.Komisioni që drejtonte çetat, pas Beunit u vendos në Drashovicë dhe një pjesë e komandës ushtarake në Llakatund, e cila udhëhiqej nga Ahmet Lepenica. Ndërsa vazhdonin luftimet, Toli Arapi u caktua në zonën e Myzeqesë: Zhukë, Poro, Novoselë dhe Mifol nga komisioni i çetave për të mbledhur bagëti e bukë për luftëtarët.

Përsëri në ndërtimin e shtetit shqiptar

Mbas 1920 filloi organizimi i Policisë. Hamza Isai u emërua drejtor, Tol Arapi komisar. U ngarkua nga Prefektura për të organizuar Policinë e Himarës. Shkoi bashkë me Hasan Pulon dhe Azis Çamin, ushtarak dhe ndenjën katër muaj. Në vitin 1922 e transferuan komiser në Tiranë, por dha dorëheqjen sepse përpiqej për shqiptarizmin e Kishës Orthodokse të qytetit të Vlorës. Në vitin 1922 u Kongresi Kishëtar i Beratit, i cili themeloi Kishën Shqiptare Autoqefale. Po në këtë vit në Korçë, u dorëzua dhespot imzot Fan Noli. Më 4 dhjetor kisha e madhe e Shën – Gjergjit u mbush me mizëri njerëzish, si qeveritare edhe populli dhe me një ceremoni të shkëlqyer u dorëzua Hirësia e Tij imzot Theofan Noli, Mitropolit i Durrësit. Gëzimi ynë i bashkuar me mallëngjim ishte i patreguar, se atë që dëshironim me gjithë shpirt, na u realizua. Lufta për shkputjen e Kishës Autoqefale bëhesh në një kohë, kur zhvillohesh edhe lufta për reforma shoqërore në Shqipëri. Vrasja e Avni Rustemit ishte një ngjarje që e tronditi Vlorën. Tol Arapi vendosi kurorën e Këshillit të lartë Këshitar mbi varrin e Avniut. Qazim Kokoshi si kryetar i bashkisë së Vlorës, u interesua dhe e mori Komiser të Bashkisë, mbasi dëshëronte ta organizonte mirë policinë e Bashkisë. Më 1925 erdhi Zogu në Shqipëri. Fan Noli me Qazim Kokoshi u arratisën. Tol mbeti në detyrë. Kryetari i Bashkisë Nuredin Vlora, duke parë se Tol Arapi punote mirë, e përkrahu dhe nga bashkëpunimi i ngushtë filloi të çmojë punën.

Nga gjyqi politik në burg të Burrelit

Më 1926 qeveria e Zogut, erdhi në marrëveshje me qeverinë greke për njohjen e kishës shqiptare. Ahere erdhi prej Athine episkop Hrisanthos në Tiranë. Në telegramin për at Vasil Markos, Tol Arapi i thoshte që të ruhet nga dhelpëritë fanariote, Statuti i kongresit të Beratit të mos prekej, kisha shqiptare të mos lejoje privilegje dhe ndërhyrje. E arrestuan dhe e burgosën për një javë në Polici të Vlorës dhe më pas në burgun e Tiranës. E akuzonin se donte të “çartja” miqësinë greko-shqiptare. Ju bë gjyqi politik. Dola i pafajshëm dhe u ktheva përsëri në detyrë si Komiser i Bashkisë. Tol Arapi ju bashkua lëvizjes unite, dmth të bashkimit të Kishës Orthodhokse me Kishën Katolike të rriti linduer. Ai dhe të tjerë orthodhoksë vlonjatë u bashkuam me bashkëatdhetarët tanë Arbëreshët e Italisë, që ruajnë edhe sot e kësaj dite fenë e Skënderbeut, dmth ritin orthodhoks, por lidhur me Papën e Romës dhe jo me Partikanën Greke.

Doli në pension kur ishte kryetar bashkie Ali Asllani në vitin 1938.

Familja e Tol Arapit u përfshi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shtëpia e tij u kthye në një nga bazat e qytetit të Vlorës. Në dhjetor të vitit 1942 i dogjën shtëpinë dhe e arrestojnë duke e futur në burg së bashku me 40 e ca vlonjatë. E internuan në Gërmen, Burrel. Vdiq më 25 dhjetor 1962 dhe u varros në Zvërnec.