Artan Xh. Duka: Na ishte Komunalja!
Pallate mes katër rrugëve
Pavarësisht zellit të ndërtimeve, është mirëmbajtja ajo që mbetet gjithnjë problem nga rrugët, parqet, këndet e argëtimit e sportive, sheshet, pallatet etj, me ndikim në cilësinë e jetës, bashkëjetesën, kohezionin social, sigurinë e jetës e pronës e vetë besimin tek sistemi.
Në rastin e pallateve, problematikat e administrimit nuk duhet të jenë punë fushatash të ngutura nga lajme dramatike apo aksidente në komplekset e banimit. Për to nevojitet një qasje ligjore që garanton siguri e harmoni jetese të përbashkët bazuar në përshtypjet e sugjerimet e banorëve e përvojat e shkuara dhe ato në perëndim.
Ligji i administrimit të pallateve i 2009 ishte një dështim sipas vetë qeverisë që tani po ofron një tjetër ligj duke ngritur hamendje si për vonesën ashtu e vetë ligjin e ri, detajet e të cilit ende nuk dihen e që në parim duhej të merrte në konsideratë mendimet e banorëve.
Ligji duhet të ketë parasysh edhe përvojat para viteve ’90 të Komunales e Pasurisë së Shtetit sikurse duhet të konsiderojë pallatet para viteve 90 me të moshuar plot e pa ashensor etj.
Ligji nuk duhet të imponojë banorin për të paguar për investime që nuk bindin apo detyrime automatike bazuar në vendime shumice; si pronar ai ka të drejtën e vetos ndaj për t’i dhënë fund sagës së bashkëjetesës në pallate, ai lypet të jetë radikal e jo retushim i atij të mëparshëm.
“Kooperativë” urbane me o Mete për vete!
Tregojnë se diku ishte prishur pompa e ujit dhe nga administrimi ishte vënë një njoftim tek shkalla që ftonte banorët të vinin e asistonin për arsye mosbesimi! E kjo ndodh kudo e kurdo e është thelbi i katrahurës së vet-administrimit me mosbesimin rutinë.
Çështja në parim për bashkëjetesën në pallate është nëse ajo duhet të vijojë me sajesa (a) Ansamble-Kryesi-Administrator të vet-administrimit apo të bazohet tek praktika e djeshme e (b) Komunale-Pasuri e Shtetit me rol parësor të pushtetit lokal por në kontekstin e sipërmarrjes private.
Nga ligji i ri, sikurse ai i 2009, nuk pritet mrekullia sepse është hartuar nga një politikë që e braktisi me ligj qytetarin 16 vjet me probleme nga siguria, higjena (shto edhe cilësinë e ujit që edhe kur vjen 24 orë zor se është ujë çezme si dikur), mirëmbajtja, parkimi, fasadat, riparimet, ndotja akustike etj. Të gjithë preken, mbase jo njëlloj, por ndërkohë çdonjëri ka mendjen e tij e kjo përbën pengesë për vet-administrimin.
Rregullimi ligjor nuk duhet të nxisë ndasi e mosbesim dhe të imponohet nga syresh që jetojnë në vila me bahçe apo komplekse luksi që nuk kanë gjë të përbashkët me pallatet dhe nuk dine, nuk ua ndjen e nuk duan t’a dinë si jeton qytetari në “getot” urbane asfiksuese që ata lejuan me ligj. Një qasje e tillë lan duart nga qytetari për të mos thënë që i vjen për hosh interesave të biznesit të administrimit.
Sado të trumbetohet si liri qytetare, Ansambleja është një klishe alla “kooperativë” që cënon lirinë e privatësisë e përkeqëson kohezionin social. Sot nuk ka komshillëk si dikur e banorët nuk bëhen bashkë kollaj e t’ja dinë përtej pragut të derës. Shuarja e brezave e traditave me ta, lëvizja e popullsisë, mega-pallatet, shit-blerjet e dhëniet e shpeshta me qera, blerjet nga të huajt, ikja gjithë ditën nga shtëpia, emigrimi, pleqëria e vetmuar, sherret për difekte, punime e zhurma etj, nuk nxisin afrim mes banorëve.
Qytetari i hallakatur nga qasja e deritanishme e administrimit nuk ka nge e nerva për Ansamble tek shkalla e pallatit, trokitje dyersh, biseda me administratorin e komshiun, debate ku fjala e fundit thuhet e para etj. Ai thjesht do të paguajë e mbledhë mëndjen e jo të tororiset me ansamblera e administratorë që trokasin natën që edhe kur “votohen”, paragjykohen duke dekurajuar edhe vetë administratorin e përkushtuar.
Zelli për administrim shkurajohet kur tjetri troket disa herë në derë se nuk gjën kënd ose nuk ia hapin, kur “kryqëzohet” me ankesa sa herë troket tek dera edhe për gjëra që nuk varen nga ai, kur ndjek e ruan banorët për pagesa shtesë riparimesh të kushtueshme (pa llogaritur përfoljen si favorizim të tretësh kur e riparon paraprakisht) etj.
“Komunalja” me taksë “fqinjësie”!
Ajo që nevojitet është një formulë që nxit e garanton standarte urbane me ndikim të mirë në bashkëjetesën e fqinjësinë, rrit besimin tek sistemi dhe përmbush pritshmëritë e banorëve. Nëse qeveria flet për taksë banese duhet të flasë edhe për destinacionin e saj; sikurse ajo gjelbërimit (kuturisen e mbjellin ca pemë), qarkullimit por që nuk po zgjidh parkimet etj.
Përfituesi i parë i taksës së shtëpisë duhet të jetë ai që e paguan atë e këtu hyn edhe administrimi e mirëmbajtja e pallateve e rrethinave, pusetat, pompat e ujit, ashensori, tarraca etj, gjithçka! Në këtë pikpamje, vet-administrimi me pagesat e tij është një “taksë e fshehtë” mbi atë të banesës. Qytetari paguan dy herë për të njëjtin qëllim; taksë shtëpie e pagesë mujore administrimi pa llogaritur pagesat shtesë për riparime apo blerje.
Bashkia duhet të luajë rol kyç në proçesin e administrimit të pallateve. E bën për shërbime të tjera publike nga mbetjet, gjelbërimi, shkollat etj, të cilat financohen edhe nga taksat por ofrohen nga privati me ndërmjetësimin e Bashkisë.
Sot është domosdoshmëri rikthimi i praktikës së “Komunales” apo “Pasurisë së shtetit” dikur me dallimin se shërbimet e mirëmbajtjes ofrohen nga privati teksa ky i fundit liçensohet e paguhet për këto shërbime nga Bashkia në buxhetin e së cilës shkon edhe taksa e banesës përfshi këtu edhe administrimin e pallateve.
Skema duhet të jetë sa më e thjeshtë sikurse ka qënë edhe përvoja e Komunales etj shërbime të socializmit përshtatur në kushtet e ekonomisë së tregut. Çdo sistem duhet të mësojë prej tjetrit dhe në socializëm, ndryshe nga shteti i BeRamës sot që komplikon çdo gjë për qytetarin me ligje e rregulla që bëjnë lëmsh, gjërat ishin të qarta për banorin.
Taksa e banesës duhet të përfshijë edhe detyrimet për administrimin që qytetari ia paguan bashkisë e kjo e fundit kompanisë administruese duke shmangur trokitjet dyerve për pagesa mujore. Një taksë e tillë administrimi apo “fqinjësie” mund të jetë më vete apo pjesë e faturave të muajit sikurse praktikohet për gjelbërimin, shkollimin etj. Mosbesimi që vjen si pasojë e pagesës ndaj tjetrit zhbëhet sepse banori vetëm njofton administratorin apo bashkinë nëse vëren probleme apo ka pakënaqësi.
Mbledhin mendjen të gjithë!
Së pari, prania e Bashkisë e kontratimi përmes tenderave prej saj i profesionistëve të mirëmbajtjes është garanci për standarte urbane. Nga siguria (kamera, ashensori, kundra zjarrit – fiksat, dalje emergjence me shkallë metalike, punimet elektrike etj), higjena etj.
Së dyti, një taksë e tillë nxit interesin qytetar ndaj punës së Bashkisë duke rritur rëndësinë e vetë zgjedhjeve vendore.
Së treti, prania e bashkisë nënkupton standarte e uniformizim praktikash e rregullash. Ikin debatet për tarifat mujore, indiferenca ndaj komshiut (çahet tubi qëndror i shkarkimit por e vuan dhe paguan apartamenti ku ndodh) etj, qartësohen rastet kur banori emigron, pleqtë e vetmuar, të papunët, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, publikohet kodi i bashkëjetesës në pallat etj. Gjithçka që ndihmon fqinjësinë e mirë sepse banorët nuk përplasen më me njëri-tjetrin sepse zgjidhja është tjetërkund.
Së kartërti, Bashkia merr përsipër riparimet, blerjet e punimet e kushtueshme që banorët nuk kanë mundësi apo nuk bien dakort. Njëlloj si kompania e sigurimit që i përgjigjet klientit apo psh. në rast tërmeti sikurse qeveria po planifikon. Banorët nuk kanë mundësinë financiare të bashkisë që blen me shumicë, më lirë dhe në kohë pajisje të kushtueshme rezervë si pompa uji, ashensorë etj, përballon punime të kushtueshme si fasadat, tarracat etj. Falë fondeve të saj (përfshi edhe fond emergjence), ajo planifikon grafik ndërhyrjesh për çdo bllok banesash duke shmangur degradimin e habitatit urban – lyerja e fasadave, zëvëndësimi ashensorëve, shtrimi terracës, gjelbërimi, asfaltimi i parkingut, instalimi i ashensorëve nga jashtë tek pallatet e vjetra etj.
Së pesti, Bashkia, përmes tenderit, ia beson administrimin e pallateve kontraktorëve profesionistë privat e rishikon liçensat në varësi të rezultateve e reagimit të banorëve. Nxitet punësimi si në organikën e Bashkisë që merret me tenderat e vëzhgimin e punës ashtu tek privatët që fitojnë kontratat e administrimit dhe kanë të garantuar pagesat për shërbimin e kryer. Bashkitë e kanë të pamundur të merren direkt me rutinën e mirëmbajtjes së pallateve mizëri por falë kësaj takse ajo siguron fonde të mjaftueshme për t’a deleguar këtë gjë tek privati.
Së gjashti, rritja e vlerës së pronës prej investimeve të Bashkisë në infrastrukturën rreth pallatit shkon paralelisht me administrimin efikas edhe normalitetin e bashkëjetesës në pallat gjë që nxit bashkëjetesën e fqinjësinë e mirë.
Rikthimi i “Komunales” do të rriste rëndësinë e peshën e pushtetit vendor dhe është mënyrë e sprovuar që nxit normalitetin e harmoninë e dëshiruar mes banorëve në pallat që fati i bën bashkë për vite e dekada me rradhë. Rama e ka pasion rilindjen e rikthimin në identitet. Është rasti! Riktheni “Komunalen”.