Albspirit

Media/News/Publishing

Policia indiane arreston ”ambasadorin” që përfaqësonte vendin e rremë

Policia indiane ka mbyllur një ambasadë të rreme në shtetin verior të Uttar Pradeshit, që ka vepruar për vite me radhë, sipas kreut të njësisë përgjegjëse të policisë.

Policia ndërhyri në “ambasadën” në Ghaziabad, një qytet në perëndim të shtetit duke arrestuar operatorin e saj 47-vjeçar për pretendimin se përfaqësonte katër “mikroshtete” – Westarctican, Landonian, Seborgan dhe Poulo Wain.

Ai akuzohet se ka marrë para nga njerëzit në këmbim të premtimeve për t’u gjetur atyre punë jashtë vendit.

Ai thuhet gjithashtu se ka përdorur ambasadën e tij të rreme për të transferuar para në mënyrë të paligjshme përmes një sistemi bankar informal.

Gazeta ”India Today” e quajti operacionin një “Disneyland diplomatik”.

Seborga është një fshat në Italinë veriore që e konsideron veten si një principatë.

Ladonia në Suedinë jugore shpalli veten të pavarur në vitin 1996 si një strehë për lirinë artistike.

Ajo ka një sipërfaqe totale prej një kilometër katror plazhi dhe origjinën e saj e ka nga një mosmarrëveshje ligjore mbi skulpturat e bëra nga druri i nxjerrë nga deti.

”Poulo Wai është një entitet i sajuar”, raportoi ”India Today”.

Ambasada e rreme u krijua në një zonë luksoze të Ghaziabad, ku policia gjeti katër makina luksoze me targa diplomatike të rreme.

Oficerët gjithashtu sekuestruan pasaporta të rreme, dokumente tatimore dhe shuma të mëdha parash si në rupi’ ashtu edhe në valuta të huaja.

Transmetuesi indian NDTV raportoi se raportet për konsullatën e përgjithshme të Westarctica kishin qarkulluar në mediat sociale disa ditë para se policia të ndërhynte.

Në to, ambasadori i rremë e prezantonte veten si baroni HV Jain duke pretenduar se e kishte drejtuar konsullatën për tetë vjet./atsh