Kur heshtja që i imponon medias vret më shumë se fjala
Nga Ruben Avxhiu
Në situatën politike në Shqipëri, kur kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë më shumë pushtet se çdo kombinim tjetër politik që kur ra komunizmi, një veprim për të mbyllur, ndaluar, apo ndërprerë media të pavarura apo opozitare është më e dëmshme se çfarëdo materiali që mund të botojnë apo transmetojnë këto media.
Në këtë kuptim, ndërhyrja policore, me pretekstin e një konflikti pronësie, që solli ndërprerjen e një sinjali televiziv dhe ndalimin e punës për gazeta dhe uebsajte lajmesh nëse ka vërtet aprovim qeveritar ka qenë një autogol i panevojshëm për qeverinë.
Kjo është akoma më e theksuar kur kujtohesh se në këtë moment politik, Rama nuk e ka sfidën më me opozitën e mundur në dy zgjedhje radhash dhe të përçarë, as me median investigimet e së cilës nuk kanë sjellë reagimet qytetare e institucionale që shpresohej, por me Bashkimin Evropian.
Pas fitoreve të njëpasnjëshme politike, me ndershmëri apo jo (varet se në cilën anë të barrikadës politike je), me një shumicë të sigurtë parlamentare që i shërben verbërisht, një president bashkëpunues dhe të tërhequr, Rama është në betejë tani për trashëgiminë e tij historike. Këto fitore zgjedhore dhe institucionale dhe ky pushtet i akumuluar do të kenë tjetër vlerë, nëse Rama vërtet e realizon premtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në 2030.
Mund të jetë e gjitha një tullumbac propagande, por ideja është përsëritur publikisht nga disa zyrtarë shumë të lartë evropianë. Shqipëria mund të mos jetë gati ndonjëherë, por mund të ketë aq përparim sa të mbyllet njëri sy e të fillojë mbulimi i gropës së zezë që evropianët kanë lënë apo u është lënë në Ballkanin Perëndimor. Evropianët nuk arrijnë ta gjejnë nëse do të ishte më mirë ta fusnin brenda këtë rajon kapriçioz me shpresën se dalëngadalë do të asimilohet e përmirësohet, apo ta lënë jashtë deri sa të vjë në terezi. Ka argumente të forta, që Ballkani Perëndimor do të krijonte më shumë telashe jashtë sesa brenda. Më mirë le të hyjnë e të bëjnë ato zullumet e mundshme në atë cepin e tyre, sesa t’i lëmë jashtë e të na krijojnë probleme madhore në prag të derës.
Shqipëria mund të jetë prova e parë. E fillojnë me një nga shtet e vogla, mbase edhe me Malin e Zi. Zbarkohet në breg e pastaj shkon më thellë, jo me ushtarë për ta pushtuar por me juristë e ekspertë për ta transformuar sadopak.
Po u realizua ky projekt, Rama mund të hyjë në histori ose të paktën kështu shkon argumenti.
Po nëse vërtet e beson këtë, pse kjo ndërhyrje për të provokuar e dëmtuar median e pavarur? Për një lajm që të prish gjakun që me mëngjez. Për një kronikë që zbulon gjëra që duhej të rrinin nën rrogoz? Në kohën e sotme të rrjeteve sociale, të besosh se mund të ndalosh të vërtetën apo përhapjen e fjalës duke ndaluar një grup mediash është naivitet i madh. Ka postime virale në Facebook fjala vjen që lexohen më shumë se artikulli më i lexuar i gazetës më të lexuar.
Gazetat profesioniste dhe të përgjegjshme si “Panorama” (shqiptarët kanë me fat që ende kanë një gazetë të tillë) i japin lajmit legjitimitet dhe përgjegjshmëri, por lajmi do të shpërndahej edhe po të mos ekzistonte më gazeta.
Sikur në emisionet e televizionit “News 24” të thuhet nga mëngjesi deri në darkë se sa i keq është Rama si kryeministër dhe se sa e keqe është kjo qeveri, këtyre nuk do t’u bëhej kurrë aq dëm sa u është bërë nga ndalimi qoftë edhe momentar i sinjalit të televizionit. Nuk është mundësia për ta sharë Ramën dhe qeverinë që e dëmton rëndë këta të fundit, por mungesa e mundësisë. Sulmet nga “News 24” nëse kanë ndodhur – unë nuk e ndjek – tërheqin vërtet vëmendje në momentin që nuk i lejon më që të bëhen.
Ka një argument të fortë për të penguar Shqipërinë të kalojë faza të rëndësishme, kapitujt e famshëm të anëtarësimit në BE. Demokracia, fjala e lirë, e zbatimi i ligjit janë elemente bazë. Sado të mbyllësh sytë ndaj shumë problemeve, këto janë vendimtare. BE e ka sinjalizuar që nuk do të kërkojë standarde shumë të larta, por mbyllja e një grupi mediatik është një autogol i madh.
Nëse dikush mendon se i ka bërë nder praktik Ramës dhe qeverisë, në fakt i ka bërë një dëm të madh. Çdo kritik e armik i Ramës është shfaqur i revoltuar e i zemëruar në publik për të dënuar veprimin dhe për të shprehur solidaritetin me gazetarët. Por pas fasadës ka një gëzim e ngazëllim për këtë veprim të pamatur e të panevojshëm. Në denoncimin e pandalshëm të kryeministrit te diplomatët e institucionet në Perëndim, nga Washingtoni në Bruksel, opozita ka shumë për të thënë, por provat e prekshme janë të vështira për t’u mbledhur e shpjeguar. Në atë kontekst, kjo ndërhyrje kundër “News 24”, “Panoramës”, Balkanweb”, etj ka qenë një dhuratë e papritur.
Sepse si ndodh gjithmonë në politikë, çfarë të bëjnë besnikët dhe servilët nuk ta bëjnë dot kundërshtarët. Rama do të kishte fituar pikë po të kishte dalë e ta kishte dënuar aktin vetë duke marrë në mbrojtje median kritike ndaj tij. Aq më tepër në një kohë kur po nënvizion zbatimin e ligjit dhe vendimeve zyrtare.
Kam parë këto dy ditë shumë komente kundër medias në fjalë. Pronari akuzohet si oligark që nuk paguan gazetarët, apo si dikush që ka aq pasuri sa t’i sistemojë diku tjetër. Disa thonë se i ka mbaruar kontrata, apo se po zbatohet ligji. Më duken të drejta në parim, por po t’i shohësh me kujdes janë pa vend.
E para, çështja e pagesës së gazetarëve ka shumë rëndësi, por e ngritur në këtë moment duket si një përpjekje për largim vëmendjeje. Gazetarët duhet të kenë së pari punën dhe vendin e punës, pastaj dalim te pagesa. Është bisedë me rëndësi por për një moment tjetër. Sa për situatën ligjore të pronës dhe qirasë, një shkrim i mirë sqarues për ata që duan të lexojnë është nga Endri Xhafo: https://gazetashqiptare.al/2025/08/11/nga-godinat-te-qiraja-endri-xhafo-tregon-me-fakte-uzurpimin-e-paligjshem-te-news24-nga-policia-tv-i-lind-e-drejta-per-disa-padi-penale/
Por më pëlqeu edhe argumenti nga ish-ministri i Financave, Arben Malaj (https://www.panorama.com.al/miratova-pa-asnje-hezitim-dhenien-me-qira-afatgjate-per-news24-ish-ministri-arben-malaj-ka-100-opsione-ligjore-lehtesuese-per-mosmbylljen-arbitrare-te-nje-media-misionare/), që thotë se edhe sikur vërtet të ishte duke u zbatuar ligji, interesi publik e kërkon që media që punon aty të ishte njoftuar paraprakisht dhe t’i jepej kohë të zhvendosej.
Të sulmosh e ofendosh Ramën është e lehtë. Unë e kam kritikuar vetë për vite, për shumë gjëra. Do të preferoja sot ta ftoja që të shihte interesin e tij te interesi i medias që e kritikon. Është më i fortë nëse ajo është funksionale dhe jo e ndaluar.
Një media e lirë por kritike të bezdis, por vetëm aq, sidomos kur ke kapital politik e institucional me shumicë si ai që ka mbledhur Rama që nga 2019, e nuk ke zgjedhje të ardhshme në horizont. Kurse një media e ndaluar është një gur i rëndë në qafë që herët a vonë do t’ia ndjesh peshën. Ndoshta Rama ndjehet aq i pasfiduar tashmë sa ka vendosur t’i vënë stërkëmbësha vetes, ose vartës me agjendat e tyre po e dëmtojnë me ose pa qëllim. Ne nuk e dimë rrugën nga urdhëri te zbatimi dhe vetëm sa mund të spekullojmë këtu të kufizuar nga paragjykimet tona dhe mungesa e transparencës nga zbatuesit e ligjit. Por një veprim i zgjuar dhe mbase pak dinak, do të ishte dalja e Ramës në publik vetë, në mbrojtje të Focus Media Group dhe garantimi personalisht i tij se kjo media kritike nuk do të preket në mënyrë të paligjshme. Të pezullojë aksionin sa të rishikohet situata nga ana ligjore. T’u japë gazetarëve kohë të gjejnë një zgjidhje dhe të marrin mjetet dhe materialet personale që janë ligjërisht pronë e tyre. T’i japë kohë edhe publikut që të edukohet me çfarë po ndodh. Nuk duhet ta humbasë këtë shans.