Albspirit

Media/News/Publishing

Sejmen Gjokoli: ZJARR A TË MBULOFTË DETI…

(rapsodike, duke përjetuar apokaliptin e zjarreve në Jug)

1.

Zjarr a të mbuloftë deti,

Ç’pate që e bëre hi,

Ç’pate që i dogje malet,

Malet tona për zili.

2.

Ç’pate që i dogje kodrat,

Mbushur vreshta e ulli,

Po më poshtë pse u vare,

Hyre brënda në shtëpi.

3.

I prishe ato lezete,

Të gjitha një mrekulli,

I zhurite ato stane,

Nometë për bagëti.

4.

Si s’tu lagën ato gjuhë,

U lëshove me furi,

Fshatra të tëra kërcure,

Mbetur si në erimi.

5.

Ç’i prishe ato lezete,

Të gjitha me histori,

Delvina e Tatëzati,

Me Nivicë e Palavli.

6.

Delvina me nure shumë,

Në çdo hap trashëgimi,

Shquar për dyfek e këngë,

Kazaja për Labëri.

7.

Po me Kamenicën ç’pate,

Kamenicën gurë, gurë,

Hankon pse e dogje prapë,

Buzën ja thave për ujë.

8.

“Syri Kaltër” ç’faj të pati,

Ç’faj të pati ai Sy,

Rrethuar me shekullore,

Gjelbërim e bimësi.

9.

Pyje, shkurre, bar e gjethe,

I përpive si lubi,

Në tokë të djegur e ktheve,

S’pyete për njerëzi…

10.

Në qoftë dorë njeriu,

U shoft’ e u bëftë hi.