Irena Dragoti: Tejkalim
Më kërkove të të dua…
Unë heshta!
E shita ngurrimin si dritë,
që kafshon hijen e kthimit!
*
Doja burimin e guximit tënd
t’i prek horizontin, dashurisë
I largët deti për dy brigje si tonat
që notojnë deltash
Ndaj iu dorëzova kohës
të shkruaj heshtjen.
*
Por kur ti më kërkove të hesht
unë të dashurova padijshëm,
shumëfish si festa e një ditëlindjeje
në meridianë të ndryshëm.
*
Dashuria ecën këmbëzbathur
pa pluhurosur gjurmët
si një koordinatë tropikale
me shira që bien papushim
*
Nëse më kërkon sërish të të dua
unë do të tregoj…
si mësova të ec me sytë nga perëndimi
të mbroj rrënjët nga uraganët
të çel zambakë, mes liqenesh loti
e pa qenë prani, të bëhem e shkuar
*
Zemra e tejkalon mallin
kur e gjen veten në udhë pa kthim…