Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: JEMI NE, JO STATUJAT

Nuk janë statujat që thyhen në copëza.

Jemi ne, të gjallët, që jetojmë njëherësh në fragmentet e jetës sonë,

Jemi pranë Oqeanit Paqësor po në atë çastin kur prekim ujërat e Adriatikut,

Jemi ne që thyhemi në thërmija të vogla, në fragmente gurësh mozaiku,

Hedhur shkujdesur një këtu, një atje, në kufij

kontinentesh,

Brenda trajektoreve të paparashikuara të fatit.

Statujat nuk thyhen – e njoh natyrën e tyre kokëfortë,

Pagjumësinë e tyre të përjetshme, mbështjellë brenda lekurës se gureve që nuk thyhet kurrë.

Fragmentet tona mund t’i gjesh në Avenjunë e Pestë, në

Times Square, në Athinë,

Në ishullin e Korsikës, në Zaragozë, në një hotel pranë katedrales së Strasburgut

A ngjitur me shtepinë e Albert Durerit; në Prague, duke kërkuar gjurmët e Franc Kafkës,

Në malin oshënar të Shën Mishelit a në një mal të thatë pa emër të Kroacisë,

Me lëkura gjarpërinjsh të lënë pranë gurëve të hedhur të fatit, si ditët tona.

Nuk janë statujat që thyhen në copëza. Jemi ne.

Në fragmente ëndrrash, dashurish, luftërash, urrejtjesh,

Hedhur në cepa kontinentesh, duke pritur prapë kthimin e argonautëve;

Me këmbët në lumin Drin dhe me torson e zhytur në thellësitë e Paqësorit,

Shohim sirenat e detit pa arritur kurrë të dëgjojmë këngën e tyre,

Shohim nekrologjitë në mure pa i parë kurrë të vdekurit.

2019

——————-

Rudolf Marku është poet shqiptar nga Lezha. Në vitin 2023, Shqipëria e ka shpallur Poet Laureat. Jeton në Angli. Poezia është marrë nga libri i tij “Rrathë të brendashkruar”