ZAHO GOLEMI: MALIQ SADUSHI, GJENERALI DHE HISTORIANI -KRENARI E LABËRISË
(Në përkujtim, nderim dhe mirënjohje të luftëtarit të rreshtave partizane, ushtarakut madhor që la gjurmë të thella në ngritjen, forcimin dhe konsolidimin e sistemit të mbrojtjes shqiptare si dhe historianit që gdhendi historinë e fshatit Vajzë dhe shkroi epopetë e dëshmorëve të fshatit të tij duke u lënë brezave një trashëgimi të papërsëritshme si amanet brezash për të ardhmen)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Vajza e historisë, mençurisë, patriotizmit, trimërisë dhe lavdisë
Kur flasim për fshatin Vajzë rrëzë malit të Beunit, këtë emër të njohur dhe të shquar në historinë e Vlorës, Labërisë, Shqipërisë, është e pamundur ta përfshijmë në pak rreshta fshatin e vlerave të rralla dhe që ka nxjerrë personalitete të të gjitha fushave. Fshati Vajzë me një emër kaq të veçantë dhe unik mbarëshqiptar është ndër fshatrat labe me mjaft tradita, vlera, histori me rrënjë amantine, e spikatur në histori, por mbi të gjitha me njerëz që i kanë dhënë shumë fshatit, Vlorës historisë labe dhe që kanë vendosur edhe për fatet e zhvillimet e vendit në shumë fusha të zhvillimeve shqiptare. Ndër bijtë e saj të shquar zë vend dhe gjeneral Maliq Sadushi, krahas figurave të tilla si Ali Asllani, Sulejman Rexhepi, Perlat Rexhepi, Lavdosh Ahmetaj etj. Fshati Vajzë është vendlindja e legjendës së trimërisë vajziote Hito Zenel Hitaj (shpallur dëshmor më 11.4.2025), poetit kombëtar Ali Asllanit, e heroit dhe dëshmorit të epopesë së tre heronjve të Shkodrës Perlat Rexhepit, por edhe i dy ish-ministrave; Lavdosh Ahmetaj dhe Maliq Sadushit, që edhe pse ishte Zvendësministër i parë i Mbrojtjes, duke qenë se Mehmet Shehu ishte edhe Kryeministër për shumë vite kreu detyrën në një nivel me Ministrat e tjerë në qeverinë shqiptare. Këtu në Vajzë gjen histori nga më të vjetrat e deri tek patriotizim dhe atdhedashurinë e pashterrshme, gjen epokat me njerëz të pushkës dhe të penës dhe të pushkës, që i kanë kaluar sinoret e fshatit Vajzë, të krahinës së Labërisë, por dhe më gjerë mbarë rrafshin kombëtar. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e gjen Maliq Sadushin ende të parritur me shpirt të zjarrtë që u lidh fuqishëm me formacionet e ilegalëve të parë partizanë. Djaloshi 13 vjeçar ishte ndër më të rinjtë e organizatës së rinisë antifashiste duke qenë ndër të parët që u përfshi në radhët e saj. Në fillim të viteve 1942-1943 dhe në vijimësi lufta çlirimtare mori hov dhe Maliqin e gjejmë në formacionin e parë të çetës teritoriale të Vajzës, në luftimet e Gjormit, e më tej pjesëmarrës në të gjitha luftimet, në muajin Korrik të vitit 1943, Maliq Sadushi rreshtohet si luftëtar në batalionin partizan “Ismail Qemali” të Vlorës dhe prej 28 Nëntorit 1943, me formimin e Brigadës së Pestë, në fshatin Gumenicë rreshtohet si partizan i thjeshtë dhe më pas komandant skuadre.
Baza e BrVS edhe pse kishte pesë batalione ishte batalioni “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” me një efektiv prej më se 500 vetësh. Komandant i kësaj njësie ishte caktuar Abaz Shehu dhe komisar Hysni Kapo, ndërkohë që Maliqi ishte pjesëmarrës në gjithë veprimtarinë luftarake të kësaj brigade heroinë nga dita e inaugurimit më 20.1.1944 në Bramyshnjë të Tërbaçit me drejtuesit komandant Shefqet Peçi dhe komisar Hysni Kapo. Maliq Sadushi dhe të tjerë vajziotë të shumtë e pasuruan historikun e fshatit Vajzë dhe ridimensionuan atë falë mençurisë, patriotizmit, trimërisë, punës, fisnikërisë dhe vlerave të larta njerëzore.
Jetë e ndershme në luftë dhe në punë e ushtarakut madhor Maliq Sadushi
Maliq Sadushi lindi më 2.2.1928 në Vajzë të Vlorës. Rrjedh nga një familje me tradita të shquara atdhetare dhe patriotike si nga babai edhe nga nëna. Babai i tij dhe gjyshi nga nëna kanë marrë pjesë me armë në dorë në Luftën e madhe të Vlorës më 1920. Jeta e Maliqit ka qenë tejet e vështirë pasi në moshën 2 vjeç i vdiq nëna nëna dhe në moshën 4 vjeç edhe babai. Kështu që Maliqi i vogël u rrit jetim. Pavarësisht vështirësive të mëdha kreu shkollën fillore në fshatin e lindjes në Vajzë të Vlorës. Më 1939 detyrohet të fillojë punë për të përballuar jetën, kur ishte vetëm 11 vjeç. Në vitin 1942 organizohet me grupin e të rinjve antifashistë të krahinës së Kudhësit. Rreshtohet partizan në çetën e Vajzës në moshën 14 vjeç, më pas në batalionin partizan “Ismail Qemali”; më tej jeta partizane e çoi në një prej formacioneve të mëdha dhe më të lavdishme të LANÇ-it, pasi në nëntor 1943 rreshtohet në Brigadën e 5-të Sulmuese dhe në dhjetor 1943 pranohet anëtar partie, sipas dokumentacionit dhe autobiografisë së tij. Maliqi i rreshtuar në radhët e Brigadës së 5-të sulmuese e ndoqi armikun deri përtej kufijve shtetërorë, në tokat shqiptare deri në Sanxhak të Jugosllavisë, duke kontribuar për çlirimin e shqiptarëve jashtë “Shqipërisë Londineze” dhe popujve të ish-jugosllavisë. Lufta e burrëroi, trimëroi, mënçuroi Maliqin, që e nisi luftën që fëmijë dhe në radhët e saj së bashku me moshatarët e tij. Në shtator 1944, emërohet zëvendëskomisar kompanie. Lufta tashmë kishte marrë përmasa të mëdha në mbarë vendin, madje një pjesë e njësive luftarake në përbërje të dy divizioneve sulmuese kishin kaluar kufijtë administrativë të Shqipërisë, për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve kosovarë në luftën kundër forcave gjermano-çetnike. Maliqi në këtë kohë ishte luftëtar i rreshtuar në Brigadën XXV Sulmuese të Divizionit të 5-të Sulmues, të Ushtrisë Partizane Shqiptare. Është për t’u evidentuar dhe theksuar, se Maliqi në të gjitha luftimet ku mori pjesë u tregua i vendosur, luftarak dhe trim, me një aktivitet sinjifikativ luftarak, një prerje për ushtarak që gjatë luftës. Nga tregimet e bashkëmoshatarëve por mbi të gjitha nga dokumentet që flasin qartë dhe bindshëm gjejmë se, “Maliqi ishte luftëtar që në luftën e gjormit në 31.12.1942 dhe 2.1.1943, lufta e Drashovicës më 14.9.1943 deri më 5.10.1943, Operacioni gjerman i Qershorit 1944 në Skrapar e Gramsh, luftimet në rrethinat e Tiranës, në Mullet, në shkallën e Tujanit, në Zall-Herr nga fundi i muajit Qershor-fillimi i muajit Korrik 1944, luftimet e Kukësit në shtator 1944, lufta e Gjakovës si dhe luftimet e Sanxhakut në Jugosllavi në fundin e vitit 1944-1945. Veprimtari e tij gjithëpërfshirëse bëri që atë ta njohë trimin e luftëtarin e fshatit Vajzë jo vetëm Labëria, por mbarë Shqipëria. Kur citon aktivitetin luftarak të Maliqit dhe shokëve të tij në luftë në lulen e rinisë, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë por dhe jashtë saj deri në Jugosllavi, shohim qartë shprehjen e idealizmit luftarak, ndërgjegjen kombëtare, atdhetarizmin e vrullin rinor, që e shpërfillnin vdekjen në të gjitha ditët e luftës. Pas çlirimit të vendit rreshtohet në forcat e ndjekjes për asgjësimin e bandave diversioniste deri në 5 dhjetor 1945. Më pas caktohet shef i seksionit të sigurimit të ushtrisë pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇSH-së. Pas një kursi një vjeçar caktohet komandant batalioni në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Pastaj kryen kursin për filozofi dhe ekonomi politike prej vitit 1955-1956. Nga viti 1958-1961 kryen Studimet e Larta në Moskë në “Akademinë Ushtarake Frunxe”. Në korrik 1962 emërohet komandant i Brigadës në Laç, e më pas Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Kukës. Prej 1968-1969 kryen Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Prej 1969-1973 caktohet shef shtabi Korpusi. Prej vitit 1973-1974 caktohet pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Prej vitit 1974-1982 ka kryer detyrën e Zvendës Ministrit të Parë të Mbrojtjes Popullore dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit Popullor për Vlorën dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në mestetorin e vitit 1982 shkarkohet nga të gjitha detyrat shtetërore dhe nxirret në lirim padrejësisht për dyshime si pjesëtar i “Komplotit” të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut. Maliq Sadushi ishte vetëm 54 vjeç kur u nxorr në lirim, një vit para se të mbushte moshën normale të daljes në pensión, pasi ushtarakët pensionoheshin në atë periudhë në moshën 55 vjeçare.
Ushtarak me performancë dhe integritet të lartë intelektual
Pas përfundimit të LANÇ-it, Maliq Sadushi vijoi shërbimin në ushtri si oficer, me detyra të ndryshme si, komandant batalioni në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, me studime të larta ushtarake në Akademinë Ushtarake “Frunze” në Moskë, në Brigadën e 5-të Këmbësorisë në Gjirokastër, Shef shtabi brigade në Vlorë, komandant brigade në Laç, shef shtabi Divizioni në Shkodër, Shef shtabi Korpusi përsëri në Shkodër, student dhe pedagog në Akademinë Ushtarake, i goditur në vitin 1973 kur u shkarkua padrejtësisht nga detyra e shefit të shtabit të korpusit, i rivlerësuar dhe emëruar me plotë të drejtë Zëvendësministër i Parë i Mbrojtjes, detyrë që e kreu deri sa Maliq Sadushin më 15.10.1982, e zuri “Fshesa e dytë e hekurt” ndaj kuadrove të larta të Ushtrisë Popullore. Por më saktë dhe qartësisht flasim urdhërat e emërimeve dhe shkarkimeve, më qartë flet dokumentacioni shtetëror.
Në gjurmët arkivore të dokumentacionit për Gjeneralmajor Maliq Sadushin
Në të dhënat pesonale, në dosjen e ushtarakut madhor “Maliq Telo Sadushi” të datëlindjes 2.2.1928, nga fshati Vajzë, Sevaster, Vlorë, gjejmë të dhëna ekzakte: “me urdhër të datës 1.5.1945, është emëruar me detyrë “Zv/Komandant kompanie”, në Batalionin e I-rë, Brigada e 7-të Sulmuese, detyrë të cilën e ka kryer nga data 1.5.1945 deri më datë 1.3.1946. Me urdhër nr. 07-453, datë 09.3.1946, emëruar me detyrë “Komisar kompanie”, në batalionin e III-të, Regjimentin e 31-të, detyrë të cilën e ka kryer nga data 1.3.1946 deri më datë 1.12.1947. Më tej me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes nr.07-2128, datë 28.5.1947, është titulluar oficer aktiv, marrëdhëniet financiare i kanë filluar më 1.12.1944. Me urdhër nr. 11-952 datë 1.12.1947, emëruar me detyrë “Instruktor rinie”, në, Regjimentin e 31-të, detyrë të cilën e ka kryer nga data 1.12.1947 deri më datë 1.5.1948. Me urdhër nr. 11-571 datë 27.4.1948, është emëruar me detyrë “Shef seksioni sigurie”, në Ministrit të Mbrojtjes detyrë të cilën e ka kryer nga data 1.5.1948 deri më datë 1.2.1949. Më tej me urdhër të datës 1.2.1949, ka qënë ndëgjues në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve nga data 1.2.1949 deri më datë 1.12.1949. Me urdhër nr. 07-345, datë 10.1.1950, është emëruar me detyrë “Zv/Komandant kompanie”, në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, detyrë të cilën e ka kryer nga nga data 1.12.1949 deri më datë 1.12.1952. Me urdhër nr. 0685, datë 15.12.1952 është emëruar me detyrë “Shef stërvitje batalioni”, në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve detyrë të cilën e ka kryer nga nga data 1.12.1952 deri më datë 4.1.1955. Me urdhër nr. 47, datë 4.1.1955 është emëruar me detyrë “Komandant batalioni special”, në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve detyrë të cilën e ka kryer nga nga data 4.1.1955 deri më datë 30.4.1956. Me urdhër nr. 150, datë 10.4.1956 është emëruar me detyrë “Shef kuadri”, në Repartin Ushtarak Nr.9357 detyrë të cilën e ka kryer nga data 30.4.1956 deri më datë 30.10.1956. Me urdhër nr. 560 datë 30.10.1956 është emëruar me detyrë “Komandant batalioni”, Repartin Ushtarak Nr.9357 detyrë të cilën e ka kryer nga data 30.10.1656 deri më datë 2.8.1958. Pas një sërë detyrash të sukseshme me urdhër nr. 0336, datë 3.8.1958 ka qënë me studime në Bashkim Sovjetik në Moskë në Akademinë Ushtarake “Frunxe” nga data 2.8.1958 deri më datë 16.5.1961; me urdhër nr. 0235, datë 17.5.1961 është emëruar me detyrë “Shef operativ”, në Brigadën e 20-të nga detyrë të cilën e ka kryer nga data 16.5.1961 deri më 28.7.1961; me urdhër nr. 0386, datë 28.09.1961, është emëruar me detyrë “Shef shtabi”, në Brigadën e 20-të detyrë të cilën e ka krver nga data 28.7.1961 deri më datë 1.7.1963. Me urdhër nr. 0284, datë 4.7.1963 është emëruar me detyrë “Komandant Brigade”, në Brigadën e 10-të detyrë të cilën e ka kryer nga nga data 1.7.1963 deri më datë 21.3.1966; me urdhër nr. 0190, datë 29.3.1966, është emëruar me detyrë “Komandant Brigade”, në Brigadën e 24-të, KM, Kukës detyrë të cilën e ka kryer nga data 21.3.1966 deri më datë 1.9.1968; me urdhër nr. 1552, datë 2.9.1968, ka qënë ndëgjues në Akademinë Ushtarake, nga data 1.9.1968 deri më datë 6.8.1969, në kursin e Shtabmadhorëve; më tej me urdhër nr. 0171, datë 7.8.1969, është emëruar me detyrë “Shef shtabi”, në Korpusin e 9-të të Këmbësorisë, detyrë të cilën e ka kryer nga data 6.8.1969 deri më datë 5.11.1973; me urdhër nr. 0427, datë 5.11.1973, është emëruar me detyrë “Pedagog”, në Akademinë Ushtarake, detyrë të cilën e ka kryer nga data 5.11.1973 deri më datë 11.12.1974; me urdhër nr. 110, datë 11.12.1974, është emëruar me detyrë “Zv/Ministër i Parë”, në Ministrin e Mbrojtjes, detyrë të cilën e ka kryer nga data 11.12.1974 deri më datë 15.10.1982; me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes nr. 2967, datë 14.10.1982, ka dalë në rezervë dhe të drejtat financiare i janë ndërprerë më datë 15.10.1982, pas një karriere 37 vjeçare.
“Nëntoger” deri në “Gjeneralmajor”, shërbëtor i devotshëm i shtetit
Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes nr. 07-2128, datë 28.5.1947 është titulluar oficer aktiv i jepet grada “Nëntoger”. Në vijimësi me urdhër nr. 07-2868, datë 14.5.1948 i jepet grada “Toger”, me urdhër nr. 180, datë 18.4.1952 i jepet grada “Kapiten i II-të”, me urdhër nr. 252, datë 29.04.1955 i jepet grada “Kapiten i I-rë”, me urdhër nr. 0167 datë 4.5.1959 i jepet grada “Major”, me urdhër nr. 0207 datë 24.6.1963 i jepet grada “N/Kolonel”, gradë që e ka mbajtuar deri më datën 1 Maj 1966. Nga viti 1966 deri më 15 tetor 1982, për 16 vite shërbimi ushtarak nëse do të ekuivalentonim funksionon Zvendësministër i parë i MMP-së që i takon gradë madhore gjenerali, ndërkohë që UP-ja kishte një forcë aktive prej 61 mijë forcash ushtarake. Aktualisht gradat e ushtarakëve janë ekuivalentuar në përputhje me funksionin e kryer sipas dispozitave ligjore ne fuqi dhe me të drejtë edhe pse për periudhën që nuk ka pasur grada në ushtri Maliq Sadushi vlerësohet me gradën madhore “Gjeneralmajor”, për efekt të respektimit të historisë sonë ushtarake dhe kombëtare. Performanca intelektuale e Maliq Sadushit ishte nder për Vajzën, e Labërinë, ishte krenari, kur shkëlqente në të gjitha shkollat dhe akademitë më prestigjioze të kohës, edhe në Moskë. Nderimi, respekte dhe mirënjohja është për detyrat e shumta me rëndësi e përgjegjësi të madhe në ngritjen e Ushtrisë Popullore. Në studimet e larta ushtarake nuk ishte thjeshtë një student, por hulumtues i thellë i artit ushtarak, një ushtarak me njohuri të spikatura teorike e profesionale, përfshi edhe Kursin e Lartë Operativ në Akademinë Ushtarake si Shtabmadhor, si profesionist i dijeve ushtarake. Maliq Sadushi u formua si oficer i lartë, me gjykim të thellë, me mendime të pjekura për artin ushtarak popullor, për teorinë dhe shkencën ushtarake në përgjithësi, duke u vlerësuar nga kolegët, eprorët dhe vartësit si pjesë e korpusit të të urtëve të Ushtrisë sonë Popullore, që e përmbushën misionin e tyre në kushtet nga më komplekset e kohës.
Burri që shkroi historinë me pushkë dhe me penë
Botimet që shkruhen nga pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në luftë, janë shumë të mirëpritur nga lexuesi pasi nuk i kanë ngjarjet me të lexuar ose me të treguar, por nga jeta luftarake në luftën e përgjakshme për lirinë e Atdheut, si dhe në luftën e paepur për ngritjen, zhvillimin dhe konsolidimin e një ushtrie tërësisht të re dhe të mbështetur fuqimisht në popull, që meritonte emërtimin “Ushtri Popullore”. Maliq Sadushi u spostua nga posti i lartë i komandimit dhe drejtimit strategjik në Ministri të Mbrojtjes si kuadër “puçist”, si kuadër i lartë që kishte punuar me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun. Por të vërtetat dhe realitetet në marrëdhëniet me detyrat i ka shprehur më shumë se një historian duke sjellë ndershmërisht dhe pastërtisht realitetin ushtarak shqiptar dhe jo vetëm, sipas mendimit dhe mënyrës së tij të të shprehurit të qartë, të konkretizuar dhe të argumentur. Ai ka shkruar disa libra sikurse janë: libri “Perlat Rexhepi” kushtuar heroi dhe dëshmorit të fshatit Vajzë dhe mbarë kombit shqiptar, që shkroi epope trimërie në përleshje të përgjakshme me fashistët italianë në Shkodër. Libri i Maliq Sadushit për këtë hero është publikuar në vitin 2000. Më tej në moshë plotësisht të pjekur dhe të përmallur për vendlidjen publikoi librin “Fshati ynë i mirë”, në vitin 2002, që është një histori më vete e vendlindjes nga kohët amantike të lashtësisë ilire e deri në ditët tona, duke u ndalur vecanërisht në ngjarjet e mëdha të luftës antifashiste që i kishte përjetuar vetë nga radhët e çetës, batalionit, brigadës partizane e deri në majat e lidershipit në Ministrinë e Mbrojtjes. Duke qenë i armatosur me përvojën e jetës, me aftësinë dhe mençurinë për të shkruar dhe dokumentuar historinë më 3.8.2004 publikon “Nga brigjet e Jonit në malet e Sanxhakut”, një përshkrim i jetës partizane, misionarët e së cilës e çuan Shqipërinë në anën e duhur të historisë, mes fitimtarëve duke i dhënë statusin e fitimtarit të luftës dhe duke ja shtuar lavdinë kombit shqiptar. Në vitin 2005 botoi librin “Ata që nuk harrohen”, në të cilin pasqyroi biografinë historike të dëshmorëve të fshatit Vajzës, në dy luftrat më të mëdha, të Luftës së Vlorës të 1920 dhe të LANÇ-it. Në vitin 2008 shkroi një prej librave që historia do ta kërkojë gjithmonë “Mehmet Shehu, siç e kam njohur: kujtime”, publikuar në botimet “Almera”. Nga ana tjetë shkrimi i “Historiku i fshatit Vajzë” më 1981, është një ndër preokupimet madhore dhe një trashëgimi vitale e vendlindjes, një histori e të parëve e veçanërisht për historikun e shekullit të XX të fshatit Vajzë. Aty gjejnë veten gjithë fiset e fshatit, 39 dëshmorët e vjetër dhe të rinj të fshatit Vajzë, ku meritë e parë e evidentimit të tyre është padyshim burri i zgjuar vajziotë Maliq Sadushi. Ai nuk ja la rastësisë, por amanitin e brezave që bashkëfshatarët e tij të ekzekutuar me breshëri plumbash nga nazifashistët, e la testament të shkruar, një testament që u finalizua më 5 maj 2025 në fshatin Vajzë të Labërisë ku erdhi vetë Ministri i Mbrojtjes, ai edhe kryetar i Komisionit qendror të statusit Dëshmor i Atdheut, për të nderuar gjakun e derdhur për liri. Ishin Maliq Sadushi dhe 17 bashkëfshatarë të tij që shkruan historinë e fshatit në vitiet 70-të të shekullit të shkuar…dhe historia vijon dhe do vijojë në fshatin e traditës e atdhedashurisë.
Dëshmorët, amaneti i shkruar i antifashistit të orëve të para
Dëshmorët janë zemra e historisë sonë, e historisë vajziote, historisë labe dhe më gjerë e histrisë mbarëshqiptare. Meraku për të rënët, për bashkëmoshatarët, për bashkëfshatarët dhe më gjerë sidomos për të ekzekutuarit nga nazifashistët ishin dhe mbeti preokupimi i tij. Për këtë në librin e tij “Fshati ynë i mirë”, dedikuar fshatit të lindjes Vajzë, pasi i sjell përmbledhtas të gjitha ngjarjet historike e luftarake, por edhe biografitë e gjithë dëshmorëve të shpallur me vendime juridike nuk harron edhe të ekzekutuarit me breshëri plumbash që janë një masakër që ende kullon gjak dhe dhimbje mbi një fshat të tërë. Maliq Sadush në faqet e librit shprehet dhe ne po e citojmë ekzaktësisht sipas faqes 271 dhe 272 të librit të tij “Fshati ynë i mirë” i vitit 2002: “Viktima të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Okupatori nazi-fashist në bashkëpunim me tradhëtarët e vendit, në çdo operacion që ndërmori bëri terror në popull. Ata kapnin e pushkatonin gra e fëmijë të pafajshëm. Krime të tilla bënë edhe në Vajzë duke kapur e pushkatuar pa gjyq nëntë vetë, midis tyre edhe dy gra. Po të merret parasysh aktiviteti i këtyre viktimave në dobi të luftës dhe mënyra se si janë kapur nga armiku, qëndresa e tyre etj, ata me të drejtë duhen quajtur dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare e jo viktima. Ky problem mbetet i hapur edhe në organet kompetente dhe mund e duhet të shikohet në të ardhmen. Tani për tani, këta persona mbeten në kujtesën time si viktima të luftës, meqënëse ligjërisht ky problem nuk është zgjidhur ende”, një amanet që nuk e treste dheu. Të ekzekutuarit e meritojnë titullin dëshmor dhe i përmend me radhë: Ferik Zagoll Bilbilaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Këze Shahin Sulçaj, Pesare Xhezo Kërroçaj, Beqir Hasko Osmanaj, Abdyl Hasko Osmanaj, Shaho Barjam Selimaj, Delo Mystehak Sulçaj, Sadedin Sherif Hazizaj të ekzekutuar në vitet 1943-1944, ndërsa Hito Zenel Hitaj rënë më 1878 dhe Resul Beqo Resulaj (Onjea) me origjinë nga fshati Vajzë por rritur dhe nisur për luftë nga fshati Fushëbardhë i Gjirokastrës, i cili ka rënë në luftën e tretë për vilajetin e Janinës më 1897. Amanetin historik të Maliq Sadushit dhe bashkëfshatarë të tij që ishin në Komisionin për hartimin e historikut të viteve ’70-të të shekullit të kaluar, e bënë realitet bijtë e tyre. Komisioni i para gjysëm shekulli përbëhej nga: Maliq Telo Sadushaj, Xhipe Mersin Kapaj, Gani Mystehak Sulçaj, Riza Çize Brahimaj, Çize Hamit Elezaj, Iljaz Zagoll Bilbilaj, Piro Rexhep Hoxhaj, Fejzi Sherif Sherifaj, Kamo Tare Sheremetaj, Hysen Sadik Brahimaj, Rustem Rrapo Hametaj, Reis Ali Aliaj (Xhezo), Myfit Zaçe Nazaj, Daver Hamit Elezaj, Mynyr Resul Manaj, Bino Zigur Kasaj, Nasip Halit Xhelilaj. Ishte ky komision që hartoi “Historikun e fshatit Vajzë”, duke u folur brezave me gjuhë “urdhruese” dhe në fakt bijtë e fshatit Vajzë, Kryetar Irfani, Sokoli, Shkëlqimi, Lefteri e dhjetra të tjerë u përkujdesn në përgatitjen e dokumentacionmit e deri në shpalljen e tyre me titullin e lartë “Dëshmorë të Atdheut”, një projekt madhor që për tre vite rresht u finalizua më vendimin e mbledhjes së 11 prillit 2025 si dhe që më 5 maj 2025 vetë Ministri i Mbrojtjes në cilësinë edhe të Kryetarit të Komisionit qendror shtetëror për statusin “Dëshmor të Atdheut”, erdhi në Vajzë të Vlorës dhe plotësoi atë amanet brezash të shkruar për herë të parë nga gjeneral Maliq Sadushi. Jo vetëm kaq por në Vajzë u ringrit lapidari i ri i dëshmorëve, në formatin e një kompleksi memoristik për dëshmorët, tani jo më për 27 dëshmorë por për 38 dëshmorë të atdheut dhe një tjetër në proces. Nga ana tjetër djemtë, bijtë dhe bijat e fshatit Vajzë kanë në proces një libër “Yje mbi Beun”, një homazh, respekt e mirënjohje për të gjithë të rënët në të gjitha epokat, një libër që pritet që së shpejti të jetë në duart e mbrojtësve të gjakut të dëshmorëve dhe të Luftës së madhe Antifashiste të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore.
Maliq Sadushi për Mehmet Shehun dhe të vërtetave të shekullit të shkuar
I ndërgjegjshëm për misionin në jetë Maliq Sadushi nuk qëndroi në hije dhe nuk anashkaloi të vërtetat e shekullit që shkoi. Kështu sikurse kemi cituar Maliq Sadushi shkroi librin më 2008, “Mehmet Shehu, siç e kam njohur: kujtime”. Ai është i qartë, i kthjellët, bindës në argumente. Por ne kemi sjellë vetëm disa fragmente libri: “…Një gjë e vërtetë është tek unë (që unë nuk dua ta besoj) që Enveri nuk e donte Mehmetin ose e donte të tillë siç përfundoi…Fundi i Mehmet Shehut nuk ka shumë lavdi, ishte një fund tragjik që askush nuk mund ta merrte me mend. Por fundi i tij ka kurajo prej burri, prej luftëtari, prej shoku që kishte prerë në besë shokët dhe që u pre në besë nga shokët… Duke e thënë ndershmërisht, ne pranojmë edhe përgjegjësinë individuale, por edhe kolektive për lejimin e situatave të tilla. “Nëse heqim paralele mes këtij fakti të 17.12.1981 me kohën e tanishme, do të kuptojmë të vërtetën e intrigave dhe kulisave kundër shtetit shqiptar dhe partisë… nga agjenturat e huaja, por ka edhe absurditete të tjera. ..pas vdekjes së Mehmet Shehut, le të bëjmë një kthim në të kaluarën! Duhet pohojmë gjërat më të mira të kohëve të sotme dhe gjërat më të mira të kohës së kaluar, të bëjmë kombinimin mes tyre. “Jeta është shkollë” dhe gjithë bota është një klasë që mësojnë të gjithë! Vrasje apo vetëvrasje? Edhe njëzet vjet pas eliminimit të Mehmet Shehut njerëzit vazhdojnë të pyesin: Vrau veten apo e vranë. Ja ajo që di unë dhe që kam besim se i afrohet së vërtetës. Ajo është enigma e ditë-natës së Mehmet Shehut, por edhe tragjedisë së tmerrshme që ndodhi tek ne, si u bënë udhëheqësit armiq, kur patën treguar me veprimet e tyre në çdo rast se ata qenë njerëzit më besnikë të pushtetit popullor, të popullit… Si u bë e mundur, si nuk menduan të gjithë shokët në Byro, Plenum që e dënuan aq rëndë Kryeministrin më të zotë që kishte nxjerrë Shqipëria? Çdo gjë që u fol kundra Mehmet Shehut ishin sajesa e shpifje të ndyra. E vërteta absolute është së Mehmet Shehu ishte komunist. Veprat e mira atij ia përvetësuan dhe dështimet ia faturuan vetëm atij! Por gjithnjë pas vdekjes së tij. Megjithatë unë mendoj se historia do ta thotë të vërtetën dhe emri, dinjiteti dhe lavdia e Mehmet Shehut do të vihet në vendin që i takon. Mehmet Shehu ishte i vetmi që zbërthente idetë e Enver Hoxhës në çdo fushë dhe ishte ushtar besnik i Partisë! Enver Hoxha vazhdimisht fliste me vlerësime dhe tone të forta, kërkonte se duhej të mësonim nga metoda e Mehmet Shehut. Enveri na porosiste se “Partia ka dërguar në ushtri shokun Mehmet Shehu, që është Kryeministër, e kemi shokun tonë të shquar, si i tillë edhe ushtarak me profesion e aftësi të rralla, ai po kontribuon shumë në forcimin e ushtrisë që është garante e mbrojtjes së Atdheut, ndaj përfitoni sa më shumë sa ta keni atje”. Enveri nuk fliste në hava. Ai e kishte bindje këtë vlerësim që bënte për figurën dhe kontributin e krahut të tij të djathtë për 40 vjet me radhë… Ishin vite shumë të vështira, mbajti mbi vete shumë detyra të rënda e të vështira sa që vitet e fundit pesha e këtyre punëve, sëmundja e gjatë, bëri që të lëkundet, u bë dyshues dhe nën këshillat e këqija që i bëheshin dhe informatat e rreme që vinin nga dikush, arriti deri aty sa që gabimi më i vogël të shërbente si pretekst për të ngritur një Alibi të madhe! Sigurisht që pa firmën e tij nuk bëhej gjë, por duke pasur rreth tij njerëz të paqëndrueshëm, patjetër që gabimet e mangësitë do të trasheshin e s’mund të ishte ndryshe. Kështu depërtuan armiqtë në udhëheqjen deri në organet e shërbimet e hetimit, survejimit, ndjekjes e ndëshkimit! Kishte defekte për arsye të mjeteve të asaj kohe; Partia asnjëherë nuk ka ushtruar një kontroll të mjaftueshëm mbi shërbimin e Sigurimit të Shtetit. Jo se nuk donte, nuk ishte në gjendje dhe nuk kishte as përvojën, as përgatitjen dhe as mundësinë! Natyrisht, ne jetuam e punuam në kushtet e partisë-shtet. Tek ne ishte në pushtet një parti e vetme, ajo fliste dhe asaj duhej t’i bindeshe, ajo tregonte rrugën që duhej ndjekur dhe ishte e palejueshme të shkoje kundër Partisë. Partia ishte forcë e madhe, por duhej administruar me kujdes. Megjithatë edhe ajo bën gabime! Sigurisht shumë e kanë pësuar! Kemi kaluar periudha të vështira, por mendoj se ato që do të vijnë do të jenë edhe më të vështira!…Të vërtetat historike nuk mundo t’i fshihen historisë. Prandaj edhe nderohet dhe do të ndërohet gjithmonë zotësia, aftësia, mencuria… e drejta zhytet por nuk mbytet!.
Ushtaraku i lartë, simbol i urtësisë, mençurisë dhe vlerave labe
Për veprimtarinë tij në luftë dhe në punë Maliq Sadushi është vlerësuar me urdhëra, dekorata dhe medalje. Kështu nga të dhënat arkivore gjejmë se ka pasur këto vlerësime nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe konkretisht me medaljet sipas urdhërave: me urdhër nr. 9194, datë 9.7.1945 i është dhënë “Medalje e Çlirimit”; me urdhër nr. 4902, datë 6.12.1948 i është dhënë “Medalje e Trimërisë”; me urdhër nr. 7964, datë 15.2.1950 i është dhënë “Medalje e Kujtimit”; me urdhër nr. 1040, datë 25.6.1953 i është dhënë “Medalje e Ylli i Kuq Klasa e II-të”; me urdhër nr. 1575, datë 20.11.1952 i është dhënë “Medalje e Shërbimi Ushtarak”; me urdhër nr. 2163, datë 8.11.1955 i është dhënë “Medalje me Urdhërin e Trimërisë”; me urdhër nr. 2916 datë 22.6.1959 i është dhënë “Urdhëri “Skënderbej” Klasi i II-të”; me urdhër nr. 4020, datë 1.7.1965 i është dhënë “Urdhëri “Skënderbej”, Klasi i II-të; me urdhër nr. 4401, datë 7.6.1969 i është dhënë “Medalje e Shërbimit Klasi i II-të. Me urdhër nr. 5675 datë 27.1.1978 i është dhënë “Urdhëri “Skënderbej” Klasi i I-rë”. Por puna e tij ka qenë e palodhur, fisnike, e pandalshme; dy herë në dy legjislatura deputet i rrethit të Vlorës, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Maliq Sadushi ishte dhe ngeli deri në fund të jetës bir i denjë i Labërisë, vlerë e urtësisë dhe mençurisë labe, që i njihte mirë zakonet e traditat, ishte atdhetar dhe luftëtar i përkushtuar i zhvillimit dhe vlerësimit figurave të shquara historike krahinore dhe kombëtare të zinin vendin e merituar. Ai ishte në çdo kohë pranë banorëve dhe fshatrave të Labërisë, kontribuoi për zhvillimin e tyre duke trokitur në dyert më të mëdha të shtetit, duke e dashur me zemër vendlindjen kërkonte përparimin e ekonomisë së kooperativave dhe ngritjen e mirëqenies së ekonomisë fshatare, kudo në Labëri. Maliq Sadushi është nismëtar për ngritjen e bustit të poetit kombëtar nga Vajza Ali Asllani. Ja amaneti i dytë i tij në librin “Fshati ynë i mirë” për ngritjen e bustit të Ali Asllanit në mes të fshatit (faqe 202): “..dëshiroj të them se do të ishte në nderin e fshatit Vajzë, që këtë burrë të madh historik (Ali Asllanin), ta nderonin edhe më shumë, ta kishim gjithnjë përpara syve portretin e tij, nëpërmjet vendosjes së një busti në bronz, në qendër të fshatit. Ky është një problem që duhet doemos të gjejë rugëzgjidhje ligjore, por edhe me kërkesën e banorëve të fshatit”, tashmë një amanet i përmbushur. Por vëmëndja ndaj Vajzës është sot amenet i të parëve edhe i Xha Maliqit (sikurse e thërrisnin në fshat vitet e fundit të jetës së tij), amanetin e vijojnë Nertili, Irfani, Arjani, Mitati, Lushi, Shkëlqimi, Kolonel Avni Bilbili e qindra djem e vajza të tjerë të këtij fshati me rrënjë mëmëdhetare. Vlerësimet për Maliq Sadushin misionarin e fisnikërisë dhe mirësisë njerëzore duhet të vijojnë sepse është dhe ka ngelur vlerë e krenari e Labërisë dhe mbarë vendit, edhe pse ka një dekadë e gjysëm që ka është shuar, por vepra e tij dhe mirësia njerëzore nuk mundo të shuhen hurrë, pasi janë frymëzim për brezat. Ai nuk përtoi kurrë të ulej këmbëkryq fshace për hallet e fshatit, krahinës, trevës labe. Fshati, Bashkia Selenicë, Qarku, Prefektura, strukturat e Mbrojtjes, Labëria dhe organizatat e tjera shoqërore duhet ta nderojnë e respektojnë si një prej vlerave më të çmuara krahinore dhe kombëtare.
Burimet e studimit: Dokumente arkivore të AQSH, AQFA, QPR, dosjet personale, njera prej të cilave në ish dokumentacionin e ish-AQP, të dhëna nga bashkëluftëtarë, ish ushtarakë madhorë Xhemil Cela, Eqerem Osmani, Profesor Bernard Zotaj etj, të dhëna nga familjarë, bashkëfshatarë, Velaj, Prof. As. Bernard Zotaj “Maliq Sadushi, bir i Labërisë dhe luftëtar i vendosur për liri dhe çlirim kombëtar”, 1.2.2018, të dhëna nga Irfan Birbilaj, Lefter Hitaj, Mitat Bellaj, Avni Bilbilaj, Shefki Velaj, të dhëna nga periodikët e Buletini Arkivor Ushtarak, Revista “Mbrojtja”, Gazeta “Ushtria”, “Për mbrojtjen Popullore”, gazeta “Luftëtari”, gazeta “Labëria”, Historiku i fshatit Vajzë (grup autorësh), si dhe librat e shkruar nga Maliq Sadushi: “Perlat Rexhepi” (2000), “Fshati ynë i mirë”, (2002), “Nga brigjet e Jonit në malet e Sanxhakut”, (2004), “Ata që nuk harrohen” (2005), “Mehmet Shehu, siç e kam njohur: kujtime” (2008), të dhëna nga shkrime të Zaho Golemi në portalin “Albspirit”.