Prof. Asoc. Dr. MSc. Artan Xh. Duka: Rusia në BE!
Takimi Trump-Putin krijoi një mundësi të re për paqen në Europë. BE vetë, njëlloj si në Kosovë (përjashto Tony Blair), dështoi të parandalonte apo ndalte një luftë tjetër në dheun e saj. Barra sërisht i mbetet SHBA të fusë gjërat në hulli dhe kjo duhet t’a nxisë BE të kuptojë çfarë nuk shkon me të. Lufta në Ukrainë nuk duhej të niste dhe kur ndodhi, duhej të ndalej ditën e parë. Gjithshka do të përfundojë ulur në tryezë dhe pushka vetëm humb kohë me të humbur edhe ata larg që nuk e dëgjojnë krismën e saj. Popujt meritojnë paqe dhe në Europë, BE duhet të jetë kujdestarja e saj.
Hapja që mbyll hesape!
Pas dy luftërave botërore të nisura e bitisura në Europë, fryma, misioni e trashëgimia e BE mbetet shndërrimi i kontinentit në oaz paqeje e kjo përmes shëmbjes dhe jo ngritjes së mureve mes palëve dhe hapjes ndaj tjetrit si “kod” për lënien e së shkuarës pas. Ajo sot është në vetvete sinonim i hapjes si premisë e garanci paqeje pakthim sepse nga 45 e deri 90, në perëndim u harrua fjala luftë dhe një brez i tërë u lind e rrit pa të.
Ishin marrëdhëniet historike franko-gjermane arsyeja e motivi që ngjizi frymën e BE dhe janë sot shëmbulli më kuptimplotë i të mirave të frymës së paqes e bashkëpunimit mes palëve. Ishte “kodi” hapje që mbylli sherre historike dhe garanton atë paqe që vijon dhe si i stërprovuar, ky “kod” duhet të përfshijë edhe raportin historik kritik të perëndimit me Rusinë.
Ky “kod” është kryefjalë edhe për tejkalimin e nofkës “fuçi baruti” për gadishullin Ilirik ku ende enden fantazmat e së shkuarës dhe rreziku i luftës është aktual. Gjithshka bazuar tek shpresa se hapja e integrimi i përbashkët në BE, do të zhbëjë edhe shovinizmin historik në rajon.
E nëse BE shihet si “ilaç” për marrëdhëniet mes kombeve në rajon, e njëjta qasje duhet ndjekur edhe ndaj Rusisë. Kjo nuk ka ndodhur dhe pas viteve 90 BE humbi një shans historik për veten e mbarë kontinentin që trishtueshëm ende gëlon nga tensione e pasiguri deri tragjedi si lufta në Ukrainë me kosto njerëzore, ekonomike, sociale, lëvizje migratore etj që prekin kontinentin pa dallim.
Ra ky mur e nuk shihemi!
Rënia e Murit të Berlinit ishte sinjali nga “lart” për t’u bërë të gjithë bashkë duke lënë pas retorikat e luftës së ftohtë, ideologjisë, kufinjve, identiteteve arkaike që na i poftisi Mesjeta. Mjerisht, edhe Perëndimi vetë nuk u “hap” si duhet teksa vijoi me inercinë e gjeopolitikave të djeshme ndaj ish-BRSS. Mosbesimi e frika e ndërsjelltë vazhdoi dhe një “mur” tjetër u ngrit me afrimin në BE e NATO të disa vëndeve ish-sovjetike, me Rusinë sërisht të izoluar si dikur. Rënia e Murit të Berlinit nuk u shfrytëzua për të bërë kontinentin njësh dhe e tanishmja flet vetë.
Pas viteve ’90 perëndimi nuk e ndërpreu retorikën e fituesit duke mos kontribuar në besimin e respektimin e ndërsjelltë me Rusinë. BE harroi pse u krijua dhe vuri “tullën” e saj në murin e ri në kontinent. Kodi i hapjes u bë përzgjedhës në emër të standarteve ideale dhe ndau kontinentin duke nxitur zhgënjime, qejfprishje, pezmatim, nanurisje të fantazmave të së shkuarës e revanshizëm. Gjëra e fjalë që ishin harruar nga zbori, strehimet, stërvitjet ushtarake, buxhetet për ushtrinë etj, po bëhen kryefjalë.
Paqja e mirëqënë nuk është paqe pakthim sikurse Ukraina dëshmon. Që paqja e bashkëpunimi të jenë real duhet të bien muret, jo thjesht me tulla por në mëndjet e qytetarit europian. Historia ka treguar se “mallkimi” i njerëzimit, tashmë edhe i planetit që po e bëjmë kurban, mbeten paraja dhe kufijtë por nëse e para shihet si e keqe e domosdoshme, kufinjtë vetëm mbajnë peng dhe riciklojnë luftra papushim.
Një BE pa kufinj është një mundësi për harmoni mes kombesh e shtetesh dhe që mbarë kontinenti të përfitojë duhet që BE të ndryshojë qasjen e saj. BE mbetet gjysmake sa kohë Rusia është jashtë saj dhe një BE gjysmake ofron vetëm zgjidhje gjysmake në dëm edhe të interesave të saj.
Lufta do të mbetet thjesht një kujtim i hidhur nëse njerëzimi nuk grindet më në emër të kufinjve të poftisur nga mbretëri e perandori por kullandris së bashku pasuritë e fundme natyrore të planetit delikat. BE është fillimi i mbarë por ende gjysma e punës. Ashtu sikurse ajo ngutet të integrojë gadishullin Ilirik për të zhvlerësuar rolin e kufinjve atje e ngjizur paqe e bashkëpunim, ashtu ajo duhet të ftojë pa humbur kohë Rusinë në BE si e vetmja mënyrë për të zhbërë tensionet në kontinent e krijuar oaz paqeje pakthim. Një Rusi në BE do të ishte automatikisht një Ukrainë e çdo republikë tjetër ish-sovjetike europiane në BE dhe kjo do të fashinte edhe litarët që shpërbërja e BRSS la pas.
Lufta në Ukrainë e kudo tjetër në kontinent ndalet duke zhbërë pretekset që e nxisin atë. Kufiri mes palëve nuk duhet të jetë mur por “urë” ku gjithkush është i lirë t’a kalojë dhe ndërtojë kudo jetën e tij. Retorikat e luftës, armatimi, izolimi, presionet, sanksionet etj janë veç humbje kohe në kurriz të popujve që nxjerrin prapë në të njëjtën “qafë” ndërkohë që paqja është e pashmangshme dhe e vetmja pyetje mbetet sa do të kushtojë ajo?
Ishte ekonomia ajo që e pamundësoi luftën nga 45 në BE. Paqja kushton më lirë dhe fitojnë të gjithë dhe e njëjta duhet të ndodhë edhe me Rusinë. BE me Rusinë si pjesë të saj do të ishte një treg i pamatë ekonomik, njerëzor, kulturor etj me mundësi pafund për cilësinë e larminë e jetës urbane, zhvillimin ekonomik në përkujdesje të raportit të brishtë me natyrën me të fituar të gjithë.
Një BE me Rusinë pjesë të saj do të çlironte buxhete të konsiderueshme prej ekonomizimit e uljes së shpenzimeve ushtarake në ndihmë të financimit të përmirësimit të cilësisë së jetesës e shërbimeve, kujdesit social, kujdesit ndaj natyrës etj.
Një BE me Rusinë pjesë të saj do të ishte një lojtar kyç në zhvillimet botërore si për avancimin e standarteve demokratike, kujdesin nga natyrës etj duke diktuar me shëmbull por dhe fuqinë ekonomike e ushtarake zhvillimet në planet në partneritet real me SHBA dhe jo si deri më tani “dele” pas saj.
Në lojë është e mira e fati i përbashkët i popujve europianë pavarësisht individëve e drejtuesve që shkojnë e vijnë. Koha, drejtësia do të bëjnë të tyren ndaj kujtdo që abuzon e nëpërkëmb të drejtat e qytetarëve dhe popujve në kontinent por hapja duhet të ndodhë, pavarësisht emrave në pushtet, se popujt meritojnë më shumë dhe vetëm kështu ngjizet bashkimi e besimi i ndërsjelltë.
Naiviteti i paqes!
Drama në Ukrainë meriton ndjesë, drejtësi, shpagim, kontribut e investime për rindërtim nga i gjithë kontinenti, Rusia në rradhë të parë etj por nderimi më i madh që mund t’i bëhet sakrificave njerëzore është hapja e bashkimi i mbarë kontinentit e lënia e së shkuarës pas.
Zgjerimi i BE ndaj Rusisë mund të bjerë ndesh me një seri kriteresh anëtarësimi të BE sot por rëndësi ka ftesa për në BE sa më parë që jo vetëm ndez dritën jeshile të bashkëpunimit por edhe grish progresin e emancipimin e mëtejshëm demokratik në Rusi.
Ndërkohë edhe vetë BE duhet të hedhë sytë nga vetja. Një hapësirë e pamatë sa kontinenti nuk ka nevojë për centralizim ekstrem politik e burokratik por hapje pakufinj. 4 liritë kryesore mbeten shtylla edhe më tej por shtetet duhet të gëzojnë më tepër liri të kullandrisin financat e tyre dhe financimet e BE, ndryshe nga më parë që kanë rilindur shtete të tëra si psh. Greqia, Irlanda etj, duhet të fokusohen në projekte e shërbime që prekin mbarë kontinentin dhe e bëjnë një atë.
Kriteret strikte të BE për zgjerim, përfshi të drejtat e njeriut, duhet të zëvëndësohen me Kod të Drejtash që nuk imponohet tek anëtarët por shërben si shëmbull e standart elit demokratik që në vetvete frymëzon, vë në siklet apo ushtron presion të drejtëpërdrejtë apo jo ndaj çdo vëndi anëtar. Koha do të bëjë të vetën dhe emancipimi demokratik evoluon deri sa të drejtat e e njeriut të respektohen vetvetiu e natyrshëm njëlloj kudo. Boll që BE të vijojë me 4 liritë e saj se hapja e shkëmbimi e përshpejton standartin demokratik kudo. Ndryshe, e mira që ndahet me mur mbetet gjysmake e privon nga e mira madhore të gjithë.
Rusia jo vetëm është Europë por është edhe ura lidhëse e saj me botën përtej. Rusia është një thesar ekonomik, kulturor, shkencor etj që vetëm e kompleton BE ndaj dhe snobizmi e karshillëku historik perëndimor ndaj saj, dëmton të parën BE vetë.
Hapja është në dobi të BE, Rusisë, botës e planetit të brishtë që na ka rënë në hise dhe ky nuk është naivitet – kujtoni John Lennon kur grishte… “Imagjinoni që nuk ka shtete…”. E nëse hapja shihet si naivitet, nuk është më shumë sesa edhe vetë besimi fetar që ende nanuris popujt prej mijra vjetësh dhe shpërdorohet nga politika për interesat e saj teksa ende besohet e votohet për mashtrimin që riciklon çdo 4 vjet apo marrëzia e shkatërrimit të planetit në emër të parasë si ajo zënka për argjëndurinë në Titanikun kokëposhtë