Vladimir Marku: Kafja qe me mungoi me kryetarin!
I nderuar z. Kryetar,
Shumë miqësisht ju drejtova një letër, si qytetar i bashkisë që ju drejtoni, një javë para mbylljes së korrikut. Në atë letër u prezantova dhe theksova disa probleme që ndikojnë jo vetëm tek unë, por edhe tek banorët e tjerë të Qerretit. Letra u dërgua edhe në faqen zyrtare të Bashkisë në Facebook, por fatkeqësisht nuk mora asnjë reagim.
Sinqerisht, u ndjeva i fyer si qytetar i thjeshtë që kërkon vetëm respekt minimal. Nga emri që mbani, mendova se do të ishit më serioz dhe të paktën një telefonatë dy minutëshe do ta gjeja të arsyeshme – por nuk ndodhi. Fisnik është emër i bukur, i pastër dhe i madh, por në këtë rast mbeti vetëm një emër.
Pak ditë më vonë, pashë një shkresë të firmosur prej jush për pagesën e taksave me afat deri më 20 gusht. Sigurisht, si qytetar i përgjegjshëm, do t’i paguaj “kokërr më kokërr”. Por kjo bie në kontrast të fortë me sjelljen e institucioneve ndaj qytetarëve: kërkohen detyrimet deri në ditë të fundit, ndërsa respekti më minimal për zërin e tyre shpesh mungon.
Rezidenca ime nga zyra juaj nuk është më larg se 15 minuta me makinë. Ju ftova për një kafe këtu në Qerret – jo për të të ngarkuar, por për të biseduar si qytetarë. Mos u shqetësoni, nuk do të paguanit ju. Tradita shqiptare e ka që miku trajtohet me respekt, dhe kafen e paguan gjithmonë i zoti i shtëpisë. Dhe besoni, kjo kafe do të kishte vlejtur shumë, sepse përballë saj shfaqet një pamje që nuk e sheh as në metropol: një kantier ndërtimi gjigand, vinça që ngrihen mbi pisha, dhe mjete 40-tonëshe që shkelin përditë rrugën e fshatit turistik.
Një gjë ndodhi 10 ditë pas letrës dhe për tre ditë u hodh një tapet asfalti në një pjesë rruge. U gëzova shumë – mendova: më dëgjoi kryetari!
E kuptoj që nuk mund t’i zgjidhni të gjitha vështirësitë e këtij vendi, pasi janë të shumta. Por ka probleme të thjeshta, pa kosto, që varen vetëm nga ju dhe stafi juaj: pastrimi, rregulli, mirëmbajtja dhe respekti për hapësirën e përbashkët.
Unë nuk kërkoj asgjë për vete, veçse respekt dhe një vëmendje minimale ndaj banorëve që kontribuojnë, paguajnë taksat dhe duan të jetojnë me dinjitet.
Me respekt,
Vladimir Marku
Cel. 0692825812
Qerret,17/08/2025.