Albspirit

Media/News/Publishing

Hasan Bello: Si e përdori KGB dhe BRSS organizatën kosovare “Fronti i kuq”

Për vite me radhë më ka shqetësuar pyetja përse një pjesë e grupeve shqiptare të Kosovës që u krijuan në fund të viteve ’60 deri në vitet ’80 kishin orientim marksist-leninist? Si është e mundur që për çlirimin e Kosovës këto grupe mos të orientoheshin nga modeli i shteteve perëndimore dhe vlerat demokratike të kohës, por nga marksizëm-leninizmi? Këtë jam përpjekur ta justifikoj me habitatin e tyre kulturor; me arsimimin dhe psikologjinë majtiste dhe ekstremiste që kemi ne si popull. Por edhe kjo nuk më dukej shumë bindëse, kur bëhet fjalë për interesa kombëtare dhe gjeopolitikë.

Një farë indiciesh kisha nga materialet e ndryshme dokumentare që lexoja herë pas here, të cilat tregonin se më tepër se çështje alternativash ishte punë koniukturash dhe agjenturash ndërkombëtare.

Kështu, senatori amerikan Xhesi Helms në fjalimin e tij brilant të mbajtur në Dhomën e Kongresit Amerikan në qershor 1983 me titull: “Gjendja në Ballkan sot, Jugosllavia dhe perspektiva e çlirimit të Shqipërisë” flet hapur sesi BRSS dhe Shqipëria qëndronin pas organizatës “Fronti i kuq”.

Sipas senatorit gjatë kësaj periudhe në Jugosllavi kishte filluar që të fitonte përsëri terren nacionalizmi. Federata e kontrolluar fort ishte gjendur përballë sulmeve të grupeve të ndryshme etnike. Fakti që serbët kontrollonin pjesën më të madhe të ekonomisë jugosllave dhe mënyra sesi i përdornin fondet nuk i pëlqente kroatëve, shqiptarëve, maqedonasve, malazezve, sllovenëve dhe kombësive të tjera. Me gjithë përpjekjet jugosllave për të frenuar dhe shkatërruar nacionalizmin kroat, të tjera grupe nacionaliste kishin filluar që të kërkonin të drejtat e tyre kombëtare. Një prej tyre ishin shqiptarët e Kosovës, të cilët prej vitesh kishin përjetuar diskriminimin e aparatit policor të shtetit jugosllav.

Në këndvështrimin e senatorit Xhesi Helms, Kremlini vazhdimisht i kishte orientuar këto grindje etnike në favorin sovjetik. BRSS kishte punuar në mënyrë aktive për të destabilizuar Federatën Jugosllave, duke shfrytëzuar ndjenjat nacionaliste, shpesh pa dijeninë e atyre që ishin implikuar në këtë çështje.

Në rastin e Kosovës, Xhesi Helms thekson se sovjetikët kishin krijuar organizatën “Fronti i kuq”, e cila ishte financuar nga Moska dhe frymëzuar nga Tirana. Pavarësisht se midis BS dhe Shqipërisë nuk kishte marrëdhënie diplomatike, “Fronti i kuq” kishte orientim marksist-leninist. Ai manipulonte ndjenjat antisovjetike që predominonin ndërmjet shqiptarëve që jetonin në krahinën e Kosovës dhe në vende të tjera. “Fronti i kuq” vepronte në komunitetet shqiptare të vendosura në Belgjikë, RFGJ, Zvicër, Kanada, Turqi, ShBA dhe Australi. Në këto shtete kishte raste kur kjo organizatë vepronte me emra të ndryshëm.

Kjo nuk do të thotë se një pjesë e anëtarëve dhe drejtuesve të organizatave marksiste-leniniste, nuk ishin të sinqertë në kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës. Thjesht orientimi i tyre ishte i gabuar. Koha tregoi se ky objektiv u arrit me ndërhyrjen e NATO-s dhe vullnetin e lidershipit të ShBA-së.

Prandaj historia duhet treguar pavarësisht kompleksitetit të saj… qëllimi mund të jetë i mirë, por metoda, rruga dhe mjetet e gabuara!