Kjo ditë e dhimbjes le të na e kthjellojë kujtesën dhe të shtojë përgjegjësinë
Albina Deda Gjoci
76 vjet më parë, më 17 Gusht 1949 Mirdita, vendlindja ime do të përjetonte një gjamë të madhe.
14 burra do të ekzekutoheshin në Qafë-Valmir nga regjimi genocidist komunist për fajin e vetëm se vinin nga ajka e fisnikëve të atij trualli i cili nuk po pajtohej me sistemin komunist…
10 burra të pushkatuar e 4 të tjerë të varur barbarisht në litar-ky ishte bilanci i kësaj dite të zezë.
Ky ishte jo vetëm një akt hakmarrje i verbër, por dhe prologu i viteve e dekadave të okupimit komunist që do pasonte!
Mirdita, ky djep krishterimi e quajtur botërisht si Republike e vlerave dhe krenarisë që ndër shekuj nuk i ishte nënshtruar Imperatorisë, po tentohej me dhunë e gjak të pushtohej nga djajtë e kuq…!
Bandat e kuqe të udhëhequra nga kryekrimineli M. Shehu po imitonin e eksperimentonin Xhengiskanin pikërisht në Mirditë.
Domethënia dihej… Martirët u vranë e u murosën në altarin e lirisë por amaneti i tyre kurrë nuk u krye.
Një amanet që jo vetëm do qetësonte shpirtrat e tyre, por do ishte dhe garancia e lirisë për breznitë që do vijnë…!
Sot pas 76 vitesh nuk ka sesi të mos i qasemi kujtesës së pa kujtesë nuk ka horizont.
E kujtesa na bën të gjithëve me faj.
Se nuk arritëm as sot t’ju realizojmë amanetin.
Se prap si para 76 vitesh në krye të pushtetit në vend janë bijtë biologjikë e gjenetikë të qoftëlargut…!
Natyrisht sot nuk ka më litar e vrasje pa gjyq, por po vritet shpresa e djelmisë mirditore e mbarëshqiptare nga psikopatë e hajdutë të paskrupuj dhe toka e Arbrit po shpopullohet si dikur Kosova nga plani famëzi i Vasa Çubrioloviçit.
Sot natyrisht është ditë homazhi për martirët, por dhe ditë refleksioni.
Edhe memoria ka kufijtë e saj të durimit në mënyrë që mos atrofizohet e tretet përgjithnjë, ndaj duhet doemos të ngrihemi për të mos u ulur kurrë pa lartësuar dinjitetin e nëpërkëmbur nga një çetë çakenjsh!
As përrallat e stabilitetit e as rrushi i dhelprës së La Fontenit që narkoshteti e quan integrim s’duhet të na ndalojë.
Koha po ndal akrepat e saj duke na pritur me padurim të rifillojmë ecjen në kahun e lirisë e dinjitetit.
Lavdi e nder për Martirët, e thirrje uluritëse në kujtesën tonë nëse vërtetë na ka ngelur pak kujtesë…!
——————–
Post Scriptum/Kastriot Dervishi: Masakra e Mirditës
Vrasja e sekretarit politik të Mirditës, Bardhok Biba, u krye nga organi i shpagimit të Nënkomitetit Krahinor të Mirditës, në orën 16.30 të dielën e datës 7.8.1949 në kohën kur Bardhoku po kalonte për të shkuar në një konferencë komuniste në Kaçinar. Mbi kufomë iu la vendimi i nënkomitetit në fjalë.
Vrasja e një sekretari politik rrethi ishte goditja më e madhe që mund t’i bëhej regjimit komunist në atë kohë. Aftësia e regjimit për të zbuluar e gjetur autorët ishte zero. Për këtë arsye, u pëlqye të përdorej metoda e terrorit mbi popullsinë civile. Të gjithë ata do etiketoheshin si “strehues kriminelësh”. Në drejtimin e dy këshilltarëve sovjetikë, ndaj krahinës së Mirditës filloi një terror tipik sovjetik. Si edhe në raste të tjera, u bë kategorizimi i popullsisë.
Nga Rrësheni, më 9.8.1949, zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i KQ të PPSH-së, Mehmet Shehu i telegrafoi drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Beqir Ndou, duke e urdhëruar të njoftojë menjëherë Enver Hoxhën. Shehu thotë se nga 44 fshatra, për dy ditë do ndërmerrej operacion në 33 prej tyre. Do arrestoheshin:
-31 të kategorisë së parë (për dënime me vdekje)
-84 të kategorisë së dytë (për dënime me heqje lirie)
-17 të kategorisë së tretë (për internime në kampin e Tepelenës).
Shehu kërkoi edhe internimin e 9 familjeve të Gjon Markut dhe 15 arrestime të tjera në Lezhë. Rekomandoi që Gjykata e Lartë Ushtarake të vinte në Rrëshen më 12 gusht.
Procesi ndaj grupit të dyshuar si të lidhur me ata që vranë Bardhok Bibën u zhvillua me të shpejtë. Si edhe rastet e tjera të këtij lloji, procesi ishte i parregullt edhe nga ana administrative. I vetmi hetues që merret vesh ishte Isuf Kullolli. Nuk figurojnë hetues të tjerë dhe as procese ndaj të pandehurve. Të 26 të pandehurit u arrestuan më 11.8.1949. Çështja u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, me veprim në Rrëshen e përbërë nga nënkolonel Bilibil Klosi, kapiten I Sotir Spiro, kapiten II Nonda Papuli, duke pasur pranë ndihmësprokurorin e ushtrisë major Misto Bllaci. Gjykimi u zhvillua i shpejtë, pa asnjë logjikë juridike. Brenda vendimit ka edhe gabime emrash, mungesë argumentesh, etj. Të pandehurit u cilësuan (me përjashtim të njërit) “të gjithë bashkëpunëtorë të bandave të armatosura”. U akuzuan në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kondra popullit dhe shtetit”. Me vendimin nr.98, datë 16.8.1949, 14 veta u dënuan me vdekje (4 me varje në litar). Më i riu ishte 19 vjeç e më i madh 67 vjeç. Praktika u mbyll shpejt dhe më 17 gusht vendimi u ekzekutua.