Ilmi Kasemi: Piktori i ri Mario Shemaj!
Është piktor i ri në moshë në gjykimin e sotëm, por i “vjetër” do të quhej në epokat e nivelit të lartë të artit të së shkuarës.
Natyrisht që rruga e artit për artistin është e gjatë dhe këtë Mario e di mirë besoj, por duhet “punuar” me mentalitetin për të bërë një përmbysje radikale të paragjykimit standart të krijuar nga disa “sovranë” të opinioneve, të cilët për më shumë se gjysëm shekulli edhe dyzetë vjeçarët i kanë etiketuar si “talente të rinj”.
Arturi është babai i tij, miku im i kohëve të fundit, poet i spikatur i origjinës së bregut lindor të Vjosës në Tepelenë, i urtë e modest si lumi në verë. Mario i lindur në Tiranë, përveç se është djalë kryeqyteti në sjellje e në pamje, gjithashtu është trashëgimtar në përputhje perfekte ndjeshmërie e konceptuale me të atin, por mesa duket si subjekt kësaj here, ka zgjedhur atmosferën e detit Jon.
Ekspozita e veprave të tij është ende në Galerinë e Tiranës.
E pamë sot me tim bir që është edhe miku e shoku i klasës së tij.
Më tepër nga befasia, kur dola më mbeti në “kujtesën emocionale”, tradicionalizmi i përmbajtur, i ndërthurur me modernitetin gjithashtu të mbajtur nën kontroll.
Mosha e re do ta bënte “kalorës” të modernizmit të sugjeruar nga “moda”, por me sa duket poetika, kjo muzë vetjake por edhe edukacioni shpirtëror familjar, i ngjizur nga rrëfimtaria e “botës” që e rrethon, e kanë pozicionuar përpara telajos që të pikturojë modestisht natyrën.
Pra të ruaj konturet e vërteta, gjendjen proporcionale e saj dhe në vend të ngjyrës së gjelbërt të gjetheve të pemëve, t’i bëjë ato rozë, të sugjeruara koromatikisht nga drita e qiellit, e tokës dhe e ujit.
Kësisoj Mario ndërhynë subjektivisht, duke plazmuar harmoninë e vet, përjetimet e veta dhe konceptin simbolik e metafizik të organizimit dhe rendit të “objekteve” në telajo.
Vetëm në peizazhin e dimrit pashë turmë, pemë vertikale trup më trup e sup më sup, në të gjitha të tjerat lexohet jo vetmia por individi i “vetëm” brenda pasurisë dhe bollëkut koloristik e materik të natyrës.
Urime e suksese më tej Mario!
…
Artur të përshëndes dhe mos ma vër re që nuk munda dot të shkoja që ditën e parë të çeljes së kësaj “ekspozite aromatike”, sepse na mbyti “smogu” i kohës, punës së lodhshme dhe temperaturat djegëlonjëse.
Tiranë, 19.08.2025.