Albspirit

Media/News/Publishing

Irena Dragoti: Ne jemi miqtë që kemi!

Sprovë

Ka një çast në jetën e çdo njeriu kur pyetja më themelore nuk është më “kush jam unë”, por “me kë jam unë”. Ne jemi qenie që kërkojmë pasqyrimin tek të tjerët. Karakteri ynë, sado i lindur apo i ndërtuar prej përvojave, është gjithmonë në dialog me miqtë që zgjedhim rreth vetes.

Në rininë time, e shihja veten si një gur të fortë që nuk prekej prej ujit që rridhte rrotull. Miqtë nuk i kam menduar kurrë si themeli i vetëdijes. Por me kalimin e viteve ti kupton se gurit nëse i bie për një kohë të gjatë pika e ujit do ta gdhendë atë! Ashtu ndodh edhe me ne, fjalët e miqve, heshtjet e veprimet, modelet e jetës së tyre, mënyra se si ata perceptojnë botën, janë goditje të vogla që na gdhendin.

Karakteri ynë ose thënë ndryshe, thelbi ynë është produkt i një procesi të vazhdueshëm, një riciklim i përzgjedhjes së miqve. Nuk jemi vetëm autorë të krijimit të vetes, por edhe bashkautorë me miqtë që na rrethojnë, të cilët nuk janë thjesht pasqyra që na kthejnë imazhin tonë. Ata janë edhe mundësia për të parë versionet që nuk kemi mundur të ishim apo që do dëshironim të jemi. Një mik i guximshëm na bën të dyshojmë pse trembemi. Një mik i prirur drejt së bukurës e mirësisë na kujton rëndësinë e  artit. Një mik i heshtur na mëson se fjalët e tepërta shpesh janë një mburojë, jo një e vërtetë. Karakteri formohet duke huazuar pak nga secili, si një mozaik që plotësohet nga shumëllojshmëri gurësh.

Por ka edhe një ligj të fshehtë, deri diku hyjnor të afërsisë njerëzore. Tërhiqemi më fort e kaq instiktivisht pothuaj deri në adhurim nga ata që i ngjajnë vetes sonë. Edhe kur jeta na vendos përballë karaktereve të kundërta, që na sfidojnë, mbetet në brendinë tonë një instinkt kthimi tek ngjashmëria. Pra e thënë me fjalë tjera nëse shihni bashkë dy njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët në pamje të parë, thjesht jeni duke i paragjykuar pasi ata janë një puthitje e plotë së brendshmi. Është një lloj nostalgjie e vetes, një kërkim i strehës ku shpirti e njeh veten pa shumë përkthime. Në fund, ne mund të marrim dritë nga kushdo në udhën tonë, por rrënjët i ngulim gjithnjë aty ku gjejmë jehonën e vetes.

Njeriu nuk është një substancë hermetike e padepërtueshme, por galeri marrëdhëniesh. Aristoteli do të thoshte se njeriu është “zoon politikon” (qenie e bashkësisë) pra qenie që nuk mund të ketë karakter jashtë lidhjeve miqësore. Sepse miqësia nuk është vetëm kënaqësi e kohës së lirë, por një laborator ku testohen ngjashmëritë,  ku gjejnë prehje shpirtrat e ku bëjmë konpromise për të vërtetën për atë pjesë që nuk na e njeh dot gjithkush!

Pra, të më thuash cilët janë miqtë e tu, më ke treguar padashje diçka thelbësore për karakterin tënd. Ata nuk përcaktojnë plotësisht atë, pasi ti mund të jesh mes tyre edhe si një “mish i huaj” për interesa, prej vetmisë, prej pamundësisë për diçka më të mirë, por në rastin e zgjedhjes së vetëdijshme ata mbeten harta ku ti vetë gdhend rrugët e tua. Një njeri i rrethuar nga miq të ndershëm nuk do të jetë domosdo i përsosur, por do të ketë gjithnjë pranë pasqyrën e ndershmërisë. Një njeri mes miqsh sipërfaqësorë do ta ketë të vështirë të dëgjojë thellësinë që gjendet brenda vetes. Një njeri i rrethuar nga njerëz të dështuar nuk do të ketë kurrë qëllime të reja e motivuese!

Shpesh përputhjet tona janë zhgënjyese për të mirë e për të keq që do të thote që me disa miq deri në një pikë marrdhënia duket në vendin e vet, por në fakt nuk është.

Dikush nga të dy shtiret ose dikush nga të dy sforcohet, apo dikush nga ty vuan nga sinqeriteti i tepërt! Atëherë mekanizmi fillon të gërvishtë me zhurma e dhembje.

Por ja vjen çasti që ti zbulon miqtë e tyre, njerëz që “çirren” për parime, e i mëshojnë dukjes, paragjykues nga shkëlqimi i veshjes deri tek gota e mbushur të suksesit për këdo që nuk ka një emër të madh… Këta të sjellin në pjatë të argjendtë të vërtetën e cila nuk të përket! Njëjtë do të ishte edhe në kahun pozitiv. Pra nuk ka rëndësi në janë më të mirë apo keq miqtë e miqve të tu apo drejtpërdrejt miqtë e tu, e rëndësishme është se ata nuk janë si ti.

Shpesh përzgjedhjet tona çalojnë nga mosnjohja e vetes! E kjo do të japë miqtë e gabuar e gjykimin e gabuar për ty!

Ndodh të çuditesh pasi sheh një përputhje perfekte miqsh në largësi  pa njohje reale,  pa sprova pa kohë të shpenzuar!

Atëherë ti bindesh për intuitën shpirtërore!

Zgjedhjet tona edhe kur drejtohen nga parimi “më mirë se vetja” nuk do të shkojë gjatë, pasi ajo që zgjodhëm mund të mos na zgjedhë

Unë ende nuk di aftësinë time të njohjes së vetes por di që, edhe nëse mendohesh një mijë vite ajo që ti zgjedh është ajo që thërret së brendshmi pra nxitimi, insitkti, fati dhe formimi njëherësh!

Njohja ky labirinth me dritëhije, e dalje që sfidojnë intelektin fillon nga instikti duke i paraprirë meritës.

Kurse karakteri rezulton si shuma e heshtur e të gjitha miqësive që kemi pranuar apo na kanë  refuzuar. Dhe kur pyet veten “kush jam unë”, ndoshta përgjigjja më e sinqertë do të ishte: “Jam kjo që jam, falë miqve që më kanë zgjedhur e  që kam zgjedhur”.

Nëse më njeh miqtë e të njoh ata, e di cili je e ti se cila jam!