Kozeta Zavalani: Me humanisten Vitore Stefa Leka
Sa herë më njofton që po vjen ne atdhe unë krahehapur e pres dhe nuk ngopem së foluri me të…
—
Kur më vjen në mend emri i saj, shoh një dritë të pastër që rrezaton nga larg, që arrin të ngrohë zemrat edhe kur distancat janë të mëdha.
Vitore Stefa Leka nuk është thjesht një emër — është një frymë, një zë, një zemër e madhe që prej 35 vitesh jeton në Trieste, por që rrënjët i ka thellë në truallin shqiptar e veçanërisht në Beratin e saj.
Për veprimtarinë e saj të palodhur humanitare, për zemrën e saj që nuk njeh kufij, shpesh është quajtur me dashuri dhe respekt “Nënë Tereza e Triestes”.
Kur ajo vjen në atdhe, zemra ime hapet si një derë mikpritjeje, dhe fjalët tona nuk mbarojnë kurrë; duket sikur koha e mat vetveten ndryshe kur je në shoqërinë e saj.
Kam pasur fatin ta vizitoj në shtëpinë e saj në Trieste, ku gjithçka flet për kulturë, patriotizëm mirënjohje përkujdesje dhe dashuri për njerëzit. Madje kam shkruar për të një monografi, “Gjurmë perlash mbi shkëmb”, por përsëri ndjej se nuk mjafton — sepse historia e saj është një det i gjerë, ku sa më shumë noton, aq më shumë horizonte të reja zbulon.
Sot, dua t’i jap lexuesit mundësinë të takojë nga afër jo vetëm humanisten e njohur, por edhe njeriun e brishtë, të fortë, të dashur e të palodhur që fshihet pas këtij emri
Biseda me Vitoren është si një udhëtim mes dhimbjes dhe dritës. Nga një fëmijë që humbi të atin në mënyrën më tragjike e të padrejtë, tek një grua që u bë strehë dhe frymëzim për njerëzit, rruga e saj është dëshmi e fuqisë së shpirtit mbi errësirën.
Por kontributi i saj nuk mbaron te veprimtaria humanitare. Vitorja është një mbështetëse e zjarrtë e grave të suksesshme, duke u bërë krah për t’i promovuar e për t’i nxjerrë në dritë. Kështu, per pesë vite, ajo ështe pjesë e jurisë në spektaklin “Miss Mama” të zhvilluar nga Xhilda Toska në Elbasan, një event që manifeston forcën dhe bukurinë e nënave. Së bashku kemi qenë të ftuara speciale në Ditën e Verës në eventin “Miss Lulja e Verës” në Elbasan, një festë ku ngjyrat, kënga dhe bukuria bashkoheshin në një harmoni të rrallë.
Së fundi, Vitorja është ftuar të marrë pjesë në spektaklin magjik “Në RETRO” që do të zhvillohet në Pogradec, më 24 gusht — një shfaqje e paharrueshme me kostume, këngë, sozi të ndryshme si Borebardha me 7 xhuxhat, skenografi dhe shumë emocion. Kjo pjesëmarrje është një tjetër dëshmi e gjallë se jeta e saj është e mbushur jo vetëm me dashuri për njerëzit, por edhe me etjen për art, kulturë dhe për të promovuar më të mirën e shoqërisë.
Historia e Vitores nuk është vetëm për t’u rrëfyer — është për t’u jetuar si shembull. Një shembull se si zemra mund të mbetet e bardhë edhe pas stuhish të mëdha, se si dashuria për njerëzit mund të marrë forma të panumërta dhe se si një grua mund të bëhet urë midis kulturave, brezave dhe ëndrrave.