Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: NJË PREJ KARTOLINAVE MË TË HERSHME SHQIPTARE

“Inaugurimi i Urës në Dardhë, 1904”

Kartolina përfaqëson në vetvete një format katërkëndësh (ose formë tjetër) letre të trashë, apo kartoni të hollë i prodhuuar për shkrimin e mesazheve relativisht të shkurtra e të shpejta dhe postimin, zakonisht, pa zarf. Kartolina më e vjetër në botë konsiderohet ajo e dërguar shkrimtarit Theodore Hook (1788-1841) nga Fulham në Londër në vitin 1840 dhe është stampuar me një vulë të zezë me vlerë 1 peni. Në SHBA kartolina e parë komerciale u emetua më 1861 nga John P. Charton nga Filadelfia, i cili ia shiti të drejtat për printim Hymen Lipman-it (1817-1893). Këto ishin kartolina pa figura vizuale. 

Kartolina e parë e njohur me figurë nga njera anë u krijua në Francë më 1870 në Camp Conlie (një kamp trajnimi ushtarak në kohën e luftës Franko-Prusiane) nga Leon Besnardeau (1829-1914). Kartolina e tij kishte një vizatim litografik i printuar mbi të, që përmbante imazhe emblematike armësh dhe mbishkrimin “lufta e 1870. Camp Conlie. Suvenir i Mbrojtjes Kombëtare. Ushtria e Brittany”.

Gjatë dekadave të mëvonshme në Angli, Gjermani, Francë, Austri dhe shumë vende të tjera kartolinave iu dhanë impulse intensive aplikimi, të cilat çuan në “periudhën e artë” të kartolinave me figura nga mesi i viteve 1890. Në fillim të shek XX e më tej pjesa e prapme e kartolinave u dizenjua e ndarë në dy pjesë vertikale, ku në anën e majtë shkruhej teksti i mesazhit dhe në të djathtë adresa postare, ku kishte një vend të posaçëm për pullën apo/dhe vulën e zyrës postare. Gjysma e parë e shek XX shënon rritjen eksponenciale dhe popullarizimin e shkëmbimit të kartolinave të shumëllojta në të gjithë botën dhe përbën “periudhën e dytë të artë” të tyre.

Synimi i këtij shkrimi është sigurisht evidencimi i një prej kartolinave të para shqiptare (ndoshta e para), por gjithashtu edhe nevoja e çeljes së  një dritareje bashkëbisedimi mbi këtë problem të palëvruar në vendin tonë sidomos nga koleksionistët dhe opinion kulturor, pasi edhe kartolinat shqiptare janë një pjesë e vyer e  trashëgimisë historike,  etnokulturore e artistike të kombit shqiptar dhe prej tyre mund të zhbirohen e zbulohen anë të ndryshme të realitetit, ngjarjeve, personazheve, tipareve natyrore, ekonomike e shoqërore  të vendit tonë. Kjo fushë studimore kërkimi shkencor quhet “deltiologji (deltiology)” dhe përfshin koleksionimin dhe  studimin në kontekstin e identifikimit të vendit dhe kohës së prodhimit të tyre, por edhe të subjektit e elementëve pamorë në to,  pasi në të shumtën e herëve ato janë prodhuar në mënyrë të çrregullt dhe të decentralizuar.

Kartolina për të cilën do të shprehim vlerësimet tona quhet “Përurimi i Urës në Dardhë” me një ceremoni fetare dhe i takon vitit të hershëm për një shemër të tillë në Shqipëri – 1904.

Dardha, 18 km në Jug-lindje të Korçës,  është krijuar, zhvilluar dhe mbetet historikisht si një fshat origjinal e autentik për disa prej tipareve të tij natyrore, klimaterike, urbano-arkitektonike, ekonomike, sociale, etnokulturore etj. I themeluar nga gjysma e parë e shek. XVII në shpatin e pjerrët të një mali si amfiteatër, ai gjendej në mes të pyjeve  të dendur të ahut e pishave, ujrave të shumtë burimorë e përrenjve malorë prej nga nis edhe një degë e lumit Devoll,  limereve e kullotave  me bar e lule (më thuaj një ngjyrë të të gjej një lule në Dardhë-thuhet aty) të përshtatshme për  mbarështimin e bagëtive të imta, me një klimë të mrekullueshme malore të shëndetshme nga oksigjeni i bollshëm dhe bukuri të rrallë natyrore.

Fillimisht si një  vend i përshtatshëm për verimin e bagëtive e më tej si  një përzgjedhje vendbanimi e bujtësve të disa fshatrave rrotull të shkatërruar nga pushtuesit otomanë e përfundimisht si një “fortesë” natyrore e fiseve të krishtera që tentonin t’i shmangeshin konvertimit në fenë islame dhe taksave të papërballueshme ndaj tyre, Dardha u shndrrua në një qendër të përhershme banimi e të krishterëve ortodoksë jo vetëm me popullsi nga vendet përreth, por edhe nga rajone të tjera veriore e jugore të Shqipërisë. Fshati u rrit e evoluoi me ritme të shpejta e ekstensive, aq sa, jo vonë, burimet e saj natyrore për përballimin e jetës (toka e punueshme dhe ajo livadhore) nuk mjaftonin. Në këto kushte burrat filluan të ushtronin një profesion të ri, atë të prodhimit të lëndës drusore, profesion sëpatari e sharrëtari,  i cili i bëri të njohur e të preferuar edhe në vise të tjera (“e pret si me sëpatën e dardharit!”). Kështu filloi migrimi sezonal dimëror i burrave drejt vendeve më të ngrohta me mjeshtërinë e tyre, së pari brenda territoreve jug-perëndimore shqiptare e më vonë jashtë tyre, në Greqi, Serbi, Bullgari, Turqi, Rumani, etj.,  ku ata e treguan veten aq të zot, sa e perfeksionuan profesionin e tyre me teknologji punishtesh më prodhimtare nëpërmjet energjisë së ujit. Në verë ata ktheheshin në Dardhë për të kryer punët e bujqësisë e blektorisë dhe njëheresh, me fitimet e kurbetit sezonal të përmirësonin kushtet e jetesës, të ndërtonin shtëpi të reja, të krijonin familje, në se ishin të pamartuar e për t’u bërë gati për shtegtimin e tyre të ri.

Nga këndvështrimi komunitar e social, banorët e Dardhës ishin shumë të hapur e të prirur për t’u përshtatur e familjarizuar  shpejt me njeri-tjetrin, të mësonin e të shkëmbenin përvojat, traditat, zakonet respektive, por mbi të gjitha ishin solidarë e plot harmoni humane. Aq sa edhe martesat bëheshin brenda fshatit midis fiseve të ndryshëm e, kështu, në një farë mënyre të gjitha familjet  ishin  të lidhur me valenca  farefisnie, apo krushqie, që e bënte edhe më të afërt, më tolerant e më bashkekzistent jetesën e tyre në komunitet. Nga ana tjetër ky afinitet e solidaritet që i shtohej edhe prirjes së banorëve për të përparuar e përmirësuar kushtet e tyre të jetës, por edhe prurjeve kulturore e risive jetike nga emigrimi në vendet më të zhvilluara (sidomos gjatë emigracionit në SHBA që filloi në agun e shek XX) e bënin më të lehtë e më të qenësishëm organizimin kolektiv të banorëve në organizime e formacione shoqërish e vendimmarrjesh financiare të përbashkëta në përmirësimin e progresin e  strukturave urbane të fshatit të tyre sipas disa rregullave e normave morale që ata i kishin të sanksionuara në kanunoret e disa shoqërive komunitare të krijuara në Dardhë, apo në emigracioin e që kishin si qëllim kryesor bamirësinë, zhvillimin dhe përparimin e jetës ekonomike e shoqërore të fshatit të tyre. 

E:\KRISTAQ\VITI 2024\LIBRI MORGU I GJALLE  PERFUND\1. FOTOGRAFIA\6. PERO KACAUNI\ARTIKULL PER UREN E DARDHES\FOTOT\12. IKONOGRAFE DARDHARE.png

Për këto arsye, në fillim të shek. XX Dardha jo vetëm që ishte një nga fshatrat më të mëdhenj e më të njohur të Korçës (me rreth 450 shtëpi e mbi 1500 banorë), por ajo i përngjante më shumë një qyteze me jetë urbane, rrugët e saj ishin të shtruara me kalldrëm e të mbrojtura nga mure të lartë, kishte ujësjellës dhe shumë çezma e kroje kolektive, kanalizime, shtëpitë ishin thuajse të tipologjisë qytetare, ushtroheshin shumë zeje e profesione urbane, kishte dyqane, kafene, punishte prodhimi e shërbimi artizanal, kopshte dhe shkolla (greke) për vajza e djem  ishin çelur e funksiononin qysh me 1768, ndonëse në gjuhën greke, ishin ndërtuar 3 kisha orthodokse (madje supozohet se  këtu ka predikuar edhe Shën Kozmai) dhe banorët e saj bënin një jetë sociale, shpirtërore, zakonore e kulturore të përparuar për kohën. Festat fetare, pagane, piknikët e ballot argëtuese shprehnin nivelin e emancipimit social të komunitetit. Ky zhvilim specifik krijoi edhe disa fenomene  etnokulturore që edhe sot mbeten si simbole të pashlyeshme të niveleve kombëtare,  si Kostumi dardhar i grave, Vallja e kënduar e grave Dardhës, sëpata e dardharit, rakia prej kumbullash të egra etj. Gjatë kësaj kohe e në vijim (për më se 2 shekuj) ushtronte aktivitetin e saj një plejadë prej 25 ikonografësh dardharë, kryesisht klerikë e midis të cilëve edhe gra,  punimet e të cilëve të inkuadruara në “atelienë dardhare” shënojnë edhe përmbylljen e artit pasbizantin shqiptar në gjysmën e pare të shek. XX. Po ashtu një aradhë prej 12 fotografësh, më të vjetrit e të cilëve ( Papa Jani Zengo, Perikli Kaçauni, Thimi Raci, etj) konsiderohen si grupi i dytë i fotografëve më  përfaqësues të Shqipërisë pas studios Marubi… Janë  këta fotografë e të tjerë që i lanë Dardhës një pasuri e arkivë të vyer historike pamore mijra fotosh e negativash që, krahas të tjerash, do të evidenconin evolucionin e këtij fshati në të gjitha aspektet e jetës ekonomike e shoqërore të tij. Dhe një prej tyre, pra, “Përurimi i Urës së Dardhës”, 1904  do të kthehej në kartolinë menjëherë pas realizimit të saj. 

Historia e kësaj kartoline, ndoshta më e hershmja në Shqipëri, e ka zanafillën pikërisht në kontekstin e vitalitetit identitar e kreativ  të dardharëve për të ndërtuar e zbukuruar vendbanimin e tyre dhe për ta bërë jetën edhe më komode. 

Përfund fshatit, në lindje të tij rridhte një përrua, i cili, sidomos gjatë stinëve të shirave e dëborës fryhej e bëhej pengesë për hyrje-daljet në fshat për banorët e Devollit të poshtëm që bënin “pazarin” në Dardhë e sidomos për fëmijët e fshatrave që ndiqnin shkollën në  këtë fshat. Kjo situatë e vështirë që të kujtonte skenën mitologjike të Shën Kristoforit që mbante Krishtin mbi sup pë të kapërxyer lumin,  nxiti  një prej emigrantëve dardharë në Rumani, Kristo Themeli Gajo (nga një familje e dalluar për aktivitetin e saj intelektual e tregtar në Greqi e Rumani. Familja e njohur Themeli  në këtë zonë kishte bërë histori. Ajo kishte  nxjerrë luftëtarë kundër pushtuesve otomanë, tregtarë druri me qëndër në Patra, si dhe  shkencëtarë të studiuar në Athinë. Me të vërtetë, sa  respekt e mirënjohje  mbartin premtimet për   të marrë  iniciativën që të  kryejë një gjest filantropik për fshatin e tij si bamirësí e dhuratë ndaj banorëve dhe gjithë udhëtarëve të zonës që frekuentonin Dardhën, pra të ndërtonte me shpenzimet e tij një urë guri që do të lehtësonte kryekëput kapërximin e lumit jo vetëm nga këmbësorët por edhe nga mjetet e transportit që kalonin aty. Në vitin 1903 ai pajtoi një mjeshtër urash dhe në ujdi me pleqësinë e fshatit, pas një viti  ura u bë realitet. Pamja që shohim në foto jep disa të dhëna interesante mbi këtë subjekt festiv e  solemn: fotoja është realizuar nga fotografi dardhar Perikli Kaçauni (1880-1950) që në atë kohë kishte ardhur nga Odesa, ku kishte mësuar profesionin e fotografit. Pra ishte vetëm 24 vjeç dhe deri në  

vitin 1910 ai punoi si fotograf në Dardhë duke i lënë asaj një arkiv të madh fotosh, midis të cilave edhe ato me pjesëmarrje masive të banorëve të Dardhës.

 Më 1910 ai emigroi në SHBA, ku hapi në Boston studion e tij fotografike “Perry Studio” e cila e definon atë si fotografin e dytë (pas Kristaq Sotirit, rreth vitit 1900) shqiptar në SHBA. Nga pikpamja profesionale e estetike, duket se fotografi ka bërë një punë të gjatë parapërgatitore për ta studiuar e  organizuar kompozimin,  subjektin dhe atmosferën e saj sa më gjithëpërfshirëse, e ku të shfaqen me detaje të gjitha objektet, njerëzit dhe natyra në sfond. Natyrisht, objekti më i madh e kryesor  që të bije në sy është ura  si një alternativë transporti, por edhe figurativisht si një simbol lidhjeje,  komunikimi e qytetërimi human. Duket që ura me një hark është ndërtuar me gurë drejtkëndorë të latuar dhe harku i saj është një qemer me gurë konikë preçizë  që e dekorojnë atë dhe të lenë të kuptosh se kryemjeshtri i ndërtimit të saj ka qenë një specialist i përkryer në E:\KRISTAQ\VITI 2024\LIBRI MORGU I GJALLE  PERFUND\1. FOTOGRAFIA\6. PERO KACAUNI\ARTIKULL PER UREN E DARDHES\FOTOT\1 kartolina origjinale.png

profesionin e tij, por jo nga Dardha.

Në pjesën e sipërme të urës janë vendosur parapete mbrojtëse anësore guri. Midis qemerit dhe parapeteve në qendër është vendosur një pllakë mermeri a  guri e murrosur, ku është gdhendur me shkrim në gjuhën greke dedikimi i dhuruesit të cilin do ta shpjegojmë më pas.  Një kujdes të posaçëm kompozicional fotografi ka treguar për vendosjen e njerëzve që kanë ardhur aty për t’u inkuadruar në foto.  Ata janë vendosur në mënyrë simetrike dhe që të mos pengojnë dukjen e gjthë elementëve të urës. Sipër urës, në qendër është bamirësi, Kristo Themeli, në të djathtë të tij dy klerikët Papa Naum Zengo dhe Papa Jani Zengo  që, aso kohe, shërbenin në kishat e Dardhës e që do të kryenin ritin ortodoks të “ajazmës”, në të djathtë (me kapele) ndoshta kryemjeshtri dhe ngjitur me të punëtorët e tjerë. Majtas filantropit qëndrojnë anëtarë të pleqësisë dhe  banorë të Dardhës. Një prej elementëve më domethënës të fotos është paraqitja masive e fëmijëve (janë mbi 100, çka tregon për popullsinë e madhe të Dardhës) të vendosur poshtë në të dy ledhet  e përroit, të veshur me dollomá, që janë nxënës dhe fëmijë të shkollës për të cilët kujdesen mësuesit e edukatorët e tyre të vendosur përbri. Një pjesë e fëmijëve mbajnë përpara trupit të tyre libra që i identifikon ata si nxënës të shkollës së Dardhës. Ndofta filantropi dhe fotografi e kanë dëshiruar këtë pjesëmarrje dhe masivitet të  tillë me qëllim që momenti i fiksuar të  marrë  figurativisht  idenë e  përkatësisë dhe të shërbimit të urës këtij brezi të ri. Në të djathtë të urës duket ndërtesa e një mulliri (i Çomes) sipas të cilit mori emrin në fillim edhe ura, pra “Ura e Mullirit”. Nën harkun e urës, në sfond duket një urë primitive druri si dëshmi e situatës së mëparshme. 

Kjo foto paraqet, pra, momentin final  të inaugurimit të një “vepre arti” infrastrukture, jo dhe aq të madhe, veçse  shumë të rëndësishme historike,  utilitare dhe simbolike për një fshat   120 vjet më parë. Por e veçanta më e këndshme e kësaj fotoje është fakti se ajo u shndërrua dhe qarkulloi si kartolinë e asaj kohe në Korçë, kur pak njiheshin e qarkullonin  kartolinat në Shqipëri. Çelësin  e printimit të saj si kartolinë e jep, veç të tjerash, edhe tregimi i një udhëtari grek që ka ardhur si vizitor në Dardhë në vitin 2004 (tamam 100 vjet pas ndërtimit të urës dhe realizimit të kësaj fotoje)  dhe e ka sjellë me vete këtë kartolinë.

Paraprakisht, duhet të them se sponsori i urës, Kristo Themeli Gajo e mori foton të printuar, ndoshta edhe negativin e saj në xham dhe e çoi në Rumani. Aty ai i bëri disa ndërhyrje, konkretisht duke shtuar mbi të shkrimin në greqisht  ‘’ΔΙΑ ΤΟΥ ΚΥΡΙΟΥ ΗΡΗΣΤΟΥ ΘΕΜΕΛΗ ΓΑΪΩ ΕΝ ΔΑΡΔΑ 1904’’, domethënë  ME SHPENZIMET E ZOTIT KRISTO THEMELI GAJO NË DARDHË 1904, që në të vërtetë ishte edhe mbishkrimi i skalitur në pllakën përkushtuese në mes të urës, por që në foto nuk lexohej dot, si dhe një mbishkrim në gjuhën rumune “Suvenir de la Darda” (Maccedonia) – Kujtim nga Dardha (Maqedonia). Nga ana e pasme e fotos ai stampoi në rumanisht: “EDITURA: CHRISTES TH. GAIO, BUCURESCI (ROMANIA)”, pra “BOTIM: KRISTO TH. GAJO, BUKURESHT (RUMANIA)”,  për  ta konvertuar atë në kartolinë, e printoi të tillë nga të dy anët në një shtypshkronjë me një tirazh të arsyeshëm dhe dërgoi një sasi prej tyre në Korçë.

Por le t’i kthehemi sërish vizitorit grek me emrin Spiros Madas të vitit 2004, i cili shpalos disa detaje interesante për kartolinën në fjalë nxjerrë nga ana e pasme e saj. “Shorti me nr. 1633 i ankandit të kartolinave të vjetra përshkruhej kështu: Përurimi i Urës prej Guri me Financim të Z.  Kristo Themeli. Në Dardhë 1904… Fotografia rastisi të printohej në kartolinë dhe për shumë kohë qarkullonte në Korçë.  Atje e gjeti, nëntë vjet më vonë dhe e bleu me një çmim shumë më të lartë se ai fillestari dhe e dërgoi me postë në vendin e tij, në Hanjia të Kretës një ushtar i Batalionit Grek që në atë kohë kishte çliruar (kupto: pushtuar K.B.) qytetin. Në pjesën e prapme të kartolinës lexohet “Sot, më datën 26/10/1913  erdha me Dhiomidhinë në Korçë, është një qytet i mirë por me borë dhe shumë i ftohtë… ”  Nuk dimë më tej se si ka rënë në dorë të “koleksionistit” grek kjo kartolinë, apo për marrëdhëniet midis tij dhe familjes së ushtarit që ia ka dërguar këtë kartolinë familjes së tij më 1913. Sidoqoftë vizitori grek Spiro, posedues i kartolinës,  përshkruan udhëtimin e tij për në Dardhë nëpërmjet Boboshticës duke pasur udhërrëfyes Ardianin (Seferi – K.B.) një të ri nga Dardha, me të cilin kanë mbërritur në fshat e më pas tek ura, plot kureshtje, për E:\KRISTAQ\VITI 2024\LIBRI MORGU I GJALLE  PERFUND\1. FOTOGRAFIA\6. PERO KACAUNI\ARTIKULL PER UREN E DARDHES\FOTOT\2 Ana e prapme e kartolinës.png

ta vëzhguar atë dhe për ta përqasur me kartolinën.

Aty kanë takuar një prej banorëve më të moshuar të Dardhës, Ilia Kere, i cili u ka shpjeguar gjithçka rreth urës, që ekzistonte po ashtu si para 100 vitesh. Vetëm pllakën e dedikimit e kishin hequr (gjatë viteve të regjimit komunist), parapetat gjithashtu ishin prishur dhe urën vetë e kishin  zgjeruar nga ana veriore për të bërë të mundur kalimin e mjeteve të rënda. Mulliri nuk ekzistonte. Vizitori grek, prof. Spiro Madas, i cili ishte inxhinier, profesor universiteti në Athinë dhe një prej studiuesve më të njohur të  urave mesjetare në Epirin e Veriut,   ka bërë disa matje të urës.  Harku, me gurët e kamarës,  të ruajtur akoma mirë, kishte diameter prej 4,5 m, ndërsa ngrihej nga ujrat rreth 2.1 m. Pikërisht në këtë lartësi krijohet, pothuajse i sheshtë, kalldrëmi i kalimit   gjatësi sipëfaqësore prej 10,60 m., dhe gjerësi 3,9m. Me hapësirën e harkut prej 2.1m mbi nivelin e ujrave shmangej edhe rreziku  i vërshimeve të ujrave të dimrit.

Por, profesor Madas i ka bërë përshtypje edhe  mikpritësi i tij dardhar. Ai shprehet për të: “Ilia Kere – rreth të 100-ve  na tregonte për Dardhën, brenda shtëpisë së tij, ku na ftoi të shplodheshim.  

Shtëpia ishte e madhe me ballinë  tipike dhe me oborr… si po edhe shtëpitë e tjera të Dardhës,  por edhe me  nikoqirllëk! Pranë, zonja e tij e dëgjonte me kujdes duke tundur në mënyrë pohuese herë pas here kokën e saj. Pothuajse një moshë me të por e palodhur, na kishte ftuar të uleshim në këndet e rehatëshme majtas dhe  djathtas oxhakut dhe na  gostiti  me llokume,  biskota e raki.

Duke u zhytur në njohuritë dhe memorien e xhaxha Ilias, udhëtonim të mbushur me kuriozitet në kohë duke zbuluar sekrete të harruara. Për çudinë tonë, ai plak njihte mirë dhe me hollësi të gjitha ato sa kishin ndodhur në fshat. Por kryesorja, kishte dëgjuar vetë historinë e urës..! Besoja sepse  kishte fjalë dhe aftësi bindëse –  duke shijuar në të njejtën kohë greqishten e mirë të tij të mësuar  në Follorinë…

…Në mbrëmje u gjendëm miq në shtëpinë e Adrianit- qërasje, një mjaltë të paparë Morave nga kosheret në oborrin e saj. Megjithëse  momentet nuk ishin të përshtatshme, pasi të nesërmen vëllai i tij i madh do të shkonte për të kërkuar fatin në Amerikë, për mjaft kohë biseda u vërtit rreth Dardhës së vjetër. Vumë re në sytë e tyre, për ato sa zbuluam –  surprizë, dhe kënaqësi! Vetëm Adriani, më i vogëli në familje, dukej që kishte dyshime. Kishte dyshime dhe për fotografinë e vjetër të urës. Më në fund ai ishte i pari që ma  kërkoi – si dhe një tjetër që kishte Dardhën – për t’i  vendosur në kornizë… (Spiros Madas: Γέφυρα της Δάρδας ως ένα κομμάτι της ιστορίας της Κορυτσάς! – Ura e Dardhës (1904) si pjesë e historisë së zonës së Korçës.  Σάββατο, Φεβρουαρίου ) 

Kjo ishte pak a shumë historia e një prej kartolinave fotografike më të vjetra të Dardhës, por edhe të Shqipërisë.

Historia e botimit të kartolinave në Shqipëri vijon më tej me rritjen progresive të numurit dhe larmisë së tyre, me subjekte pamore  të  fotografive  ekzotike  të   mjeshtrave   fotografë,  si  të  

E:\KRISTAQ\VITI 2024\LIBRI MORGU I GJALLE  PERFUND\1. FOTOGRAFIA\6. PERO KACAUNI\ARTIKULL PER UREN E DARDHES\FOTOT\NENA E KOLIT +.jpg 

dinastisë Marubi, Kristo Sulidhi, Kristaq Sotiri, etj. Sidoqoftë Dardha, për hir të veçorive të saj natyrore, klimaterike, ubano-arkitekturore, e sidomos për pasurinë etnokulturore e atraksionit  të saj turistik mbeti një fokus i gjithhershëm për realizimin e kartolinave të bazuara në foto artistike.

E:\KRISTAQ\VITI 2024\LIBRI MORGU I GJALLE  PERFUND\1. FOTOGRAFIA\6. PERO KACAUNI\ARTIKULL PER UREN E DARDHES\FOTOT\KARTOLINE (3).jpg
E:\KRISTAQ\VITI 2024\LIBRI MORGU I GJALLE  PERFUND\1. FOTOGRAFIA\6. PERO KACAUNI\ARTIKULL PER UREN E DARDHES\FOTOT\KARTOLINE (4).jpg

Në mënyrë të veçantë gjatë kohës së Mbretërisë Shqiptare të Ahmet Zogut (kur për Dardhën u botua edhe Albumi i parë turistik në Shqipëri, 1938), pushtimit fashist e nazist e, më vonë,  pas viteve të çlirimit e deri sot në Dardhë janë realizuar dhjetra kartolina fotografike nga fotografë shqiptarë e të huaj që paraqitin peizazhe të natyrës së mrekullueshme në të gjitha stinët, kostumet, folkun, traditat, shtëpitë e rrugicat karakteristike e mbresëlënëse, midis të cilave kartolina e parë pararendëse  “Inaugurimi i Urës në Dardhë” e vitit 1904 mbetet, veç të tjerash edhe një dokument autentik historik me të dhëna të mjaftueshme ilustrative, verbale e orale dëshmuese që konfirmon plotësisht  editimin e saj si të tillë.  Por që, gjithashtu, mëton të përcjellë mesazhin e  një ftese miqësore e profesionale, që ashtu si edhe në fusha të tjera kulturore e artistike të mbetet edhe një impuls për gjurmime, kërkime, studime e botime  më të specializuara në fushën e deltiologjisë.  

□ □ □

Diçiturat e fotove sipas rradhës: 

1. Kartolina e parë e Hymen Lipman-it.

2. Foto Dardha e Korçës, viti 1890.

3. Kartolina “Përurimi i Urës në Dardhë”, 1904, Foto: Perikli Kaçauni.

4.   Fotografi realizues Pero Kaçauni

5.   Logoja e  Perry Studio, Boston, Boston Mass. SHBA.

6.   Kartrolinë nga Dardha, 1941.

7,8 Kartolinë, Kostumi Dardhar, 1937

9.   Kartolinë, Fshati Dardhë, Viti 1939

10. Kartolinë, vajzat me kostumin dardhar, 1975.