Naum Prifti: Cjapi bën zbulim
Tregim
Që ishte cjap, askush nuk dyshonte, se dukej që atje tej qoftë nga koka, qoftë nga thundrat, po që do vinte një ditë që, edhe ai të merrej me shkencë, këtë askush s’e kishte parashikuar, madje as prindërit e tij.
Disa duan të thonë se kjo ngjau për shkak të mjekrës që i mbiu nën gushë sapo filloi të rritej. Mund të jetë edhe kështu, sepse në kohët e lashta dijetarët e kishin zakon të linin mjekrën dhe mustaqet të rriteshin pas qejfit. Ata ndoshta e bënin kështu ngaqë s’kishin nge të rruheshin, po, sikurse u vu re më vonë, mjekra u bë tipari kryesor i njerëzve të dijes dhe të shkencës. Kaq e vërtetë është kjo, sa njerëzit e rëndomtë të asaj kohe më shumë çmonin mjekrën se mendjen dhe shpesh, kur donin të vinin në dukje cilësitë e jashtëzakonshme të ndonjë shkencëtari, nuk përmendnin fare studimet dhe veprat e tij, po e quanin të mjaftueshme të thoshin se deri në ç’ pikë të gjoksit i arrinte gjatësia e mjekrës.
E vërteta është se Vegim Cjapi nuk e lëshoi mjekrën që t’u ngjante shkencëtarëve a të imitonte pamjen e tyre të jashtme. Jo. Mjekrën ai e kishte dhuratë të natyrës mëmë, si gjithë fisi i tij i madh anembanë botës. Se përse i pajisi natyra këto kafshë me mjekër dhe përse u hyn në punë, këtë askush s’ka mundur ta zbulojë deri më sot dhe vështirë të jepen shpjegime bindëse në të ardhmen.
Dihet pse i duhen brirët kaut, dhëmbët elefantit, dhjami fokës, leshi dhenve, antenat kërmillit, po mjekra cjapit? Enigmë. Tekë e natyrës. Ta kenë për bukuri? Jo. E kanë vetëm që t’u ngjasin shkencëtarëve dhe t’u kujtojnë se diçka e përbashkët i lidh me disa syresh.
Si në fëmijëri, ashtu edhe më vonë gjatë studimeve, Vegimi nuk tregoi asnjë lloj zelli për shkencë, mirëpo gjithë sa e shikonin mahniteshin me mjekrën e tij në formë pyke dhe pëshpëritnin me admirim e zili: “Tamam mjekër shkencëtari”!
E po, kur dëgjon nga gjithë anët fjalë të tilla, fillon të besosh edhe vetë se diçka je. Kjo është në natyrën e cëpenjve. Dhe ai, duke e ndjerë se mjekra qe organi që çmohej më tepër nga pjesët e tjera të trupit, filloi të kujdesej më shumë për të. E lante, e pastronte, e krasiste me gërshërë dhe çdo mëngjes nuk dilte kurrë nga shtëpia pa e krehur me kujdes para pasqyrës.
E emëruan në një institucion shkencor dhe disa vjet i kaloi për mrekulli, se zyra qe komode, karrigia e butë, tryeza e lëmuar dhe pamja e kopshtit nga dritarja çlodhëse.
Sikur ta kishin lënë të qetë, ai ashtu do ta kalonte tërë jetën, duke u kujdesur vetëm për mjekrën e duke lëmuar fijet e saj të buta, se rrogën e kishte mjaft të mirë, kohë boll. E bezdiste veç ajo era e gjëndrave të sqapit, po edhe asaj ia gjeti zgjidhjen. Filloi të përdorte deodorantë.
Mirëpo pas nja tetë vjetësh filluan pëshpërimat lart e poshtë se po e hante bukën kot dhe s’po nxirrte asnjë punim nga duart. Edhe mjekra e tij u mor nëpër gojë e u bë shkak për humor. Disa thoshin se duhej ta rruante që të shpëtonte përngjasimin, e disa të tjerë se do të bënte mirë të ikte me gjithë mjekër e t’u lironte vendin atyre që e meritonin.
Mano Shqarthi, miku i tij i ngushtë, i vajti një ditë në zyrë, iu ul përballë dhe i foli:
— Presim ndonjë punim prej teje, shoku Vegim. Ndonjë punim serioz. Ju më kuptoni, besoj…
— Po, — tha cjapi duke fërkuar mjekrën.
— Titujt i keni, zotësinë po ashtu. Ç’ju mungon? Vetëm veprat…
— E drejtë, — iu përgjigj ai dhe dora përsëri i vajti në mjekër, — po ja punët e shumta, mbledhjet…
— E di si tha kryetari? — Po të ishin zotimet vepra, më i nderuari do dilte Vegimi. Ai e tha me shaka, po sidoqoftë…
Cjapi lëmoi mjekrën me kujdes.
— Dhe e fundit. Mundësisht hiqeni atë zakonin ta fërkoni mjekrën pas çdo fjale… — qe këshilla miqësore e shokut të vet.
Sikur të mos kishte aq shumë lesh mbi faqe, do të vinim re një dukuri të rrallë, përskuqjen e faqeve të cjapit.
Sa u nda me Manon, u krodh në mendime të thella e të mundimshme. Të ishte një lloj paralajmërimi ky, apo mos e kishte dërguar vetë kryetari? Pastaj edhe ato fjalët e tij ironike për zotimet e pezmatuan keq. Sa pak e kuptonin shpirtin e tij! Ah, ç’zell për punë vlonte në shpirtin e tij. Donte të thellohej në ndonjë problem e të nxirrte nga mendja një punë që t’i mahniste të gjithë, që nga kanarinat që s’u pushonte goja së cicërituri, e deri te deshët me këmborë. Sa herë i kishte gufuar zemra nga gëzimi kur i shkonte mendja te ndonjë zbulim i bujshëm. Mirëpo dilte se ato që donte të zbulonte ai, i kishin bërë të tjerët kohë më parë. Sidoqoftë, nëpër mbledhje s’ia përtonte të zgjidhte ndonjë temë e ta vinte në plan. I entuziazmuar, që të nesërmen hartonte pikat e planit me shifra romake dhe arabe. Fillonte edhe hyrjen, mirëpo, sa mbushte gjysmë faqe, frymëzimi i avullonte, koka i zbrazej, mendimet i endeshin andej-këtej dhe ai e ndiente se djersitej e rropatej kot. Koka e tij, përveç ca gumëzhitjeve pa kuptim, nuk qe në gjendje të nxirrte gjë tjetër. Dhe kështu mbetej gjithmonë në hyrje të tempullit të shkencës, pa vënë këmbën brenda pragut të saj.
Me duart prapa doli në dritare të priste frymëzimin e ta shtrydhte mendjen për ndonjë temë. Në kopsht pranvera kishte buisur nga të gjitha anët. Natyra e tij prej cjapi po e ftonte ta braktiste zyrën e të dilte përjashta. Shokët e tij e gjithë farefisi i cëpenjve, që s’e vritnin mendjen për probleme shkencore, tani po kullotnin të qetë në bjeshkë e në vërri, duke këputur me dhëmbët e mprehtë gjethe të njoma dhe fije bari. Merr një gojë aty dhe ik më tej, këput një majë kërcelli e shiko ç’ka më tutje, lumturi e vërtetë, me zile, këmborë e me ftujkat pranë.
Mirëpo, kur mendoi se pas beharit vinte vjeshta, kishte ditë të ftohta e me thëllim, me shi e dëborë, i iku dëshira për shkapetje të atij lloji. Edhe ajo nismë mbeti si hyrje.
Atë çast nga dritarja e hapur u ndie një zhaurimë flatrash e një karkalec i madh, i gjelbër, me krahë ngjyrë okre erdhi e qëndroi mbi tryezën e lëmuar. Cjapi u kthye ta vërente. Karkaleci kishte qëndruar tërthorazi, si për të treguar se qëllimet e tij nuk qenë agresive ndaj nëpunësit që rrinte në karrigen shtetërore.
“Edhe ty të kishim mangut! — mendoi Vegim Cjapi. — Ç’vizitor i mërzitshëm! Ç’deshi ky këtu”?
Tundimi i parë qe ta përzinte pa ceremoni, po pastaj u step, se karkaleci s’dihej ç’drejtim mund të merrte. Do t’i duhej ta ndiqte nëpër skutat e dhomës dhe rrezik të bëhej qesharak po qe se do ta shihte kush. Një karkalec në zyrën e shokut Vegim do të bëhej shkak për gazmore të tjera. Më mirë ta kapte pa u ndier dhe ta flakte jashtë.
Karkaleci po nuhaste tryezën e shkencëtarit dhe, nga sa dukej, s’po ndiente asgjë që t’i ngjallte interes. Eci mbi të si mbi akull, duke iu afruar servietës prej plastmase ku mbante shkresat. As nga ato s’i erdhi ndonjë erë e mirë.
«I dobishëm apo i dëmshëm është karkaleci”? pyeti cjapi veten kot, pastaj u befasua nga ideja që i shkrepi menjëherë. A kishte vallë ndonjë studim për karkalecat? Me sa dukej, jo. Askujt s’i kishte shkuar ndër mend të merrej me këtë lloj insekti që vegjetonte nëpër ara e livadhe, duke i sjellë bujqësisë kohë pas kohe dëme të mëdha.
— “Veçoritë biologjike, dobia, dëmet… Temë e hatashme. Sidomos e ditës, sepse ka lidhje të ngushtë me bujqësinë”.
Karkaleci i kishte zbritur në tryezë si një dhuratë nga qielli.
Ja fusha e virgjër ku do derdhej mençuria e tij. Tamam atëherë kur s’po dinte nga t’ia mbante, ai erdhi dhe e kujtoi vetë. Zbulimet e mëdha, siç e tregon historia, shpeshherë vijnë në mënyrë tekanjoze e të rastësishme.
Me frikë se mos karkaleci i ikte dhe i shpëtonte studimi nga duart, ai e mbërtheu me të dy gishtat për krahësh dhe gjaku iu shkri nga kënaqësia.
E vërejti me kujdes Ja trupi, krahët, këmbë, goja, sytë, antenat. Po veshët ku i kishte? Veshët s’i dukeshin gjëkundi. Sa çudi! A thua të mos kishte veshë karkaleci? Po atëherë me se dëgjonte?
E ndjeu se ndodhej përpara një zbulimi të rëndësishëm. Me karkalecin në dorë mbylli së pari dritaren, pastaj kyçi edhe derën nga brenda. Tani mund t’i futej menjëherë eksperimentimit praktik të zbulimit të kësaj të fshehte.
E vuri karkalecin mbi tryezë dhe trokiti me gishtërinj mbi të. Karkaleci u hodh nga cepi në cep i trembur. Qe provë e sigurt se i dëgjonte zhurmat. Ia këputi dy këmbët e gjata dhe trokiti përsëri. Herën e dytë karkaleci kërceu vetëm dy pëllëmbë. Pasi i hoqi dhe dy këmbët të tjera, karkaleci s’mundi të hidhej veç një çepirok. Atëherë ia hoqi dhe çiftin e fundit të këmbëve dhe trokiti me gisht. Ai nuk luajti vendit. Trokiti përsëri fort, karkaleci nuk u tund.
Dhe si cjapi që ishte, ai arriti në përfundimin shkencor se karkaleci dëgjon me këmbë!
Doli me vrap të njoftonte rrethet shkencore për zbulimin e madh që kishte bërë.