Rudolf Marku: Dy figura të ngjashme me katër shekuj midis
1.
Preng Doçi mbetet njëri ndër figurat më karizmatike të Rilindjes shqiptare. Me një personalitet jashtëzakonisht tërheqës, ai bashkon në një patriotin e patundur me rrënjë të thella në origjinën e vet, me shqiptarin më të bredhur në botë; një njeri që thoshte se ishte mirditor më parë se çdo gjë tjetër, por që mbetet, në disa gjera, i ngjashëm me Faik Konicën, gati-gati një kozmopolit kundër dëshirës së vetë atij, që në gjysmën e dytë të shekullit të XIX. Rrethanat e jetës, por dhe fati i tij, bënë që Preng Doçin ta gjejmë në Amerikën e Veriut që në vitin 1870, si misionar i krishterë, duke u bërë shqiptari i parë që shënohet në Amerikë; dhe sikur të mos mjaftonte kjo, pas Amerikës e gjejmë në Indi, si sekretar i Nuncit Apostolik. Preng Doçi pajtonte brenda personalitetit të tij të gjerë kundërshtitë më të mëdha: një njeri që e fliste shqipen me një aksent tipik mirditor, por që fliste, gjithashtu, në mënyrën më të rrjedhshme 12 gjuhë të botës, duke shënuar kampionin e poliglotit më të madh të racës shqiptare; prift katolik që nuk ia përtoi të rrëmbente armët apo të nxiste mecat e Mirditës për të luftuar kundër pushtuesve me armë në dorë dhe për të vdekur me armë në dorë; Një rilindas i përndritur, edhe pse ironikisht pak kush nga shqiptarët e di se abati Preng Doçi në vitin 1899, themeloi shoqërinë letrare Shoqnia e bashkimit të gjuhës shqipe, e njohur zakonisht si Shoqnia Bashkimi ose thjesht Bashkimi i Shkodrës, për botimin e librave në gjuhën Shqipe. Aq i fort është vokacioni Kombëtar te ai, sa shtëpinë e vet dykatëshe që ka në Shkodër, ia lë Shoqërisë Bashkimi, aq sa mund të themi se Alfabeti Shqip lindi që foshnje në shtëpinë e tij. Së bashku me të ishin Dom Ndoc Nikaj, Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Dom Dodë Koleci, Atë Pashk Bardhi, Dom Lazër Mjedja, etj. Shoqëria doli me alfabetin “Bashkimi”, i cili do të bëhej një nga tre alfabetet e konsideruara për alfabetin standard të shqipes gjatë Kongresit të Manastirit në vitin 1908. Doçi mbështeti përdorimin e alfabetit “Bashkimi” dhe e promovoi përhapjen e tij në shkollat katolike shqiptare.
Ata që duan ta njohin më mirë dhe më nga afër figurën e Preng Doçit duhet të lexojnë kronikat historike të Ndoc Nikajt, të këtij Walter Scotti shqiptar, i cili na e jep figurën e mikut të vet, të cilin e adhuron më tepër se çdokënd tjetër, me ca penalata aq të gjalla, sa të ngjajë si një karakter fiction.
Preng Doçi është lindur në një fshat mes Mirditës dhe Lezhës, ai studioi në shkollën e lartë të Shkodrës, dhe, në vitin 1859 regjistrohet në seminarin e sapo krijuar Kolegjia Papnore Shqyptare, kolegj i Propogandës Fide, Romë, ku takon dhe bëhet mik i ngushtë me Prenk Bibë Doden.
Kthehet në Mirditë, Shqipëri, në vitin 1871, ku shërben si prift në Korthpulë, Orosh, dhe në Kaçinar, afër Spaçit. Është njëri ndër udhëheqësit e kryengritjes së Mirditës kundër pushtetit Otoman (1876-1877). Rebelimi u shtyp dhe Peshkopi i Lezhës, Francesko Malçinski, një austriak me origjinë ukrainase, e përjashton nga çdo aktivitet fetar. Preng Doçit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të fshihet në Vuthaj dhe Gucinj. Pak kohë më vonë, arrestohet nga forcat turke dhe dërgohet në internim në Stamboll.
Me një emër të rremë, Pére Achile, arrin të shkojë në Romë, me kushtin që të mos ketë të drejtë të kthehej në Shqipëri. Arrin të futet në Tivar, ku qëndron disa muaj, derisa Kardinali Gjovani Simeoni i Propoganda Fide i siguron një udhëtim detyre në brigjet e largëta të perëndimit të Amerikës, në Newsfoundland, Wayne, Pennsylvania dhe në New Brunswick, ku shërben si misionar deri në vitin 1881. Preng Doçit i takon nderi që të jetë shqiptari i parë rezident në Amerikën e Veriut. Pas kthimit në Romë, autoritetet kishtare e emërojnë sekretar të delegatit apostilik në Indi. Në vitin 1888, me ndërhyrjen këmbëngulëse të Patriarkut Agliardit të Konstantinopolit, i jepet e drejta nga Autoritetet Otomane që të kthehet në Shqipëri. Mbërrin me 6 Nëntor të vitit 1888 dhe caktohet Abati i Mirditës. Në janarin e vitit në vazhdim konsakrohet i Pari i Abbicisë nullius të Shën Aleksandrit të Oroshit, Mirditë. Në vitin 1890 dhe më vonë, krahina të tjera të Lezhës dhe të Dioceses Katolike të Sapës do t’i bashkohen Juridiksionit të Abacisë.
Doçi nuk i pushoi përpjekjet e tij politike. Ai avokaton për marrëdhënie të ngushta midis shqiptarëve dhe Austro-Hungarisë për të avancuar vetëvendosjen gjeopolitike të shqiptarëve. Në vitin 1897 ai udhëtoi në Vjenë për të propozuar krijimin e një principate autonome katolike në Shqipërinë veriore nën udhëheqjen e Mirditës, e cila do të kishte dominim politik brenda një konfederate më të gjerë të shteteve shqiptare. Në vitin 1889, ai themeloi një shkollë shqipe në Orosh (Grykë Orosh), një nga më të hershmet.
Kontribuoi në gazetën “Fiamuri Arbërit” (Flamuri i Arbërit) të Jeronim De Rades. Artikujt e tij i nënshkruante si “Primo Docci” ose “Një djalë prej Shqypnije”. Pas themelimit të Shoqërisë “Bashkimi”, ai botoi plot vepra, shumë prej tyre në mënyrë anonime. Gjergj Fishta përmend, gjatë fjalës në funeralin e Doçit, se ai kishte krijuar 32 vepra letrare. Preng Doçi ndërroi jetë me 22 shkurt të vitit 1917.
2.
Në pjesën e dytë do të flas për njërin nga njerëzit më të mëdhenj të humanizmit Europian, jo për ta krahasuar Abbatin shqiptar me të, se sa për të sjellë në fundin e shkrimit një problem aktual shqiptar.
Pesë shekuj më parë nga Abati i Mirditës, lind në Angli Sir Thomas More (7 shkurt 1478 – 6 korrik 1535), i nderuar në Kishën Katolike si Shën Thomas More.
More ishte një jurist, gjyqtar, filozof shoqëror, autor, burrë shteti, teolog dhe humanist i shquar i Rilindjes Europiane. Ai shërbeu, gjithashtu, si Lord Kancelar i mbretit Henri VIII nga tetori 1529 deri në maj 1532. Ai shkroi veprën Utopia, botuar në vitin 1516, e cila përshkruan sistemin politik të një shteti imagjinar në një ishull.
More ishte kundër Reformacionit Protestant, duke drejtuar polemika kundër teologjisë së Martin Luterit, Huldrych Zwinglit dhe William Tyndale. Ai kundërshtoi, gjithashtu, shkëputjen e Henrit VIII nga Kisha Katolike, duke refuzuar ta njohë Henrin si kreun suprem të Kishës së Anglisë dhe anulimin e martesës së tij me Katerinën e Aragonës. Pasi refuzoi të jepte Betimin e Supremacisë, u shpall fajtor për tradhti të lartë mbi ato që ai i quajti prova të rreme dhe u ekzekutua. Në ekzekutimin e tij, thotë: “Vdes si shërbëtori i mirë i Mbretit, por i pari i Zotit”.
Papa Piu XI e kanonizoi More-in në vitin 1935 si martir. Në vitin 2000, Papa Gjon Pali II e shpalli atë shenjtorin mbrojtës të burrave të shtetit dhe politikanëve.
Ashtu si dhe Abatti shqiptar, More mund të fliste dhe të bënte shaka në latinisht po aq natyrshëm sa në anglisht, dhe zotëronte greqishten dhe 12 gjuhë të tjera. Po përmend shkarazi disa nga veprat e tij : Midis viteve 1512 dhe 1519, More punoi mbi një Histori të Mbretit Richard III, e shkruar dhe e botuar si në anglisht, ashtu edhe në latinisht, secila e shkruar veçmas, dhe me informacione të hequra nga botimi latin për t’iu përshtatur lexuesit evropian. Kjo vepër ndikoi së tepërmi në dramën Richard III të William Shakespeare. Por vepra më e njohur dhe më e debatueshme e More, mbetet Utopia, një rrëfim i shkruar në latinisht. More e përfundoi librin dhe teologu Erasmus e botoi në Leuven në vitin 1516. Ai u përkthye në anglisht dhe u botua në vendlindjen e tij vetëm në vitin 1551 (16 vjet pas ekzekutimit të tij), ndërsa përkthimi i vitit 1684 u bë më i cituari. More (i cili është edhe një personazh në libër) dhe tregimtari/udhëtari Raphael Hythlodaeus (emër që i referohet si kryeengjëllit shërues Rafael, ashtu edhe kuptimit në greqisht “folës marrëzish”) diskutojnë për të këqijat e kohës në Antuerp, si dhe përshkruajnë rendin politik të ishullit imagjinar të Utopisë (një lojë fjalësh greke midis ou-topos [asnjë vend] dhe eu-topos [vend i mirë]) për veten e tyre.
Utopia është vepra që i hapi rrugën një zhanri letrar— letërsisë utopike dhe distopike—që përshkruan shoqëri ideale ose qytete të përsosura, apo të kundërtat e tyre. Vepra të ndikuara nga Utopia përfshijnë Atlantida e Re të Francis Bacon-it, Ereëhon të Samuel Butler-it dhe Candide të Voltaire-it. Edhe pse utopianizmi ndërthur konceptet klasike të shoqërive të përsosura (Platon dhe Aristoteli) me mjeshtërinë retorike romake (Ciceroni, Quintiliani, oratoria lavdëruese), ky zhanër i Rilindjes vazhdoi në Epokën e Iluminizmit dhe mbijeton në letërsinë moderne të fantashkencës.
Fundi i Thomas More ka qënë ndër fundet që na kujtojnë figura të njohura të martirizmit shqiptar. Ai që kishtë qënë në postet më të larta të monarkisë Angleze, dhe të Kishës, i refuzoi të gjitha ngasjet (Henri i VIII e konsideronte mik të afërt dhe i lutej të bashkëpunonte me të, duke i siguruar se do mbetej Njeriu i Dytë më i pushtetshëm, pas Mbretit). U ekezekutua në Toëer Hill of London, me 6 Korrik të vitit 1535, në moshën 57 vjeçare.
3.
Ky shkrim mori shkas nga një postim në Facebook i mikut tim Ndue Dedaj, në lidhje me shtëpinë e braktisur të Abatit Preng Doçit. Shtëpia e shoqërisë letrare “Shoqnia e bashkimit të gjuhës shqipe”, shtëpia ku u aprovua dhe Alfabeti i Gjuhës Shqipe, e njohur zakonisht si Alfabeti i Shoqnisë Bashkimi, është një shtëpi gërmadhë. Një shtëpi rrënojë, një shtëpi ndër ata që kinematografia i përdor për skenat me fantazma ose skena terrori. Kjo shtëpi ka kaluar sa e sa Shtete shqiptare, sa e sa Kryeministra dhe Presidentë shqiptar, dhe prapë, në çerekun e shekullit të XXI është kjo që shihni në fotografi. Dhe të mendosh se është shtëpia ku u përkund për here në djep alfabeti i Gjuhës Shqipe!
Shtëpia e Alfabetit të gjuhës Shqipe, që është njëkohësisht shtëpia e Abatit Preng Doçi, duhej të ishte e nderuar dyfish, duhej të qe një monument ikonografik i kulturës dhe i historisë shqiptare, një vend pelegrinazhi për ne dhe për të huajt që vijnë në Shqipëri. Rrënojat e kësaj Shtëpie nuk janë asgjë tjetër veç rrënojat shpirtërore dhe psikike të shqiptarëve të sotëm.
Të dielën që kaloi eca në lagjen ku jetoj, në Chelsea të Londrës. Dhe u ndala edhe një herë të shtëpia ku ka jetuar Thomas More. Henri i Tetë ishte një monark hakmarrës dhe mizor. Ai urdhëroi që kundërshtari i tij të dënohej fillimisht me metodën Vdekje Trefishe, dënim që u jepej kriminelëve ordinerë (varje, mbytje e kufomës dhe shqyerja e saj në katër pjesë), derisa u desh ndërhyrja e këshilltarëve të Mbretit që ai ta ‘zbuste’ dënimin, në prerje koke! Ky monark mizor dhe hakmarrës megjithatë nuk ia prishi shtëpinë Thoms Morit, sfiduesit të tij më të madh. As Henri i Tetë dhe as ata që erdhën më vonë. Përkundrazi, e restauruan disa herë gjatë pesëqind viteve, që ajo të mos rrënohej, nga vetë armiqtë e Thomas Morit. Pesëqind vjet më pas, ja ku është Shtëpia e Thomas More, po ashtu siç ka qenë në kohën e tij. Madje me objektet e jetës së përditshme të zotit të shtëpisë.
Ngase përmendëm Utopinë e Thomas More, në fund do të kujtoja atë që thosh Hythlodaeus, “problemi nuk është ta mendosh utopinë… por ta mbash atë të tillë, pa e prishur ne vetë”./Gazeta Panorama
https://www.panorama.com.al/shtepia-e-alfabetit-dy-figura-te-ngjashme-me-4-shekujt-ne-mes