Tri ese nga Astrit Lulushi
Qëllim dhe përfundim
Kur qëllimi nuk arrihet, njeriu heq dorë prej tij.
Ndonjëherë, planet janë bërë, rruga e qëllimit është marrë, por e kundërta përmbushet. Njeriu nuk ka marrë mësim dhe përsërit të njëjtin gabim.
Plani fillestar për Kryqëzatën e Katërt ishte nisja e një sulmi në Egjipt. Kryqtarët planifikuan të rimerrnin Jerusalemin pasi të pushtonin Egjiptin. Por askush nuk ishte i interesuar të udhëtonte në Egjipt nëpërmjet tokës, kështu që ata zgjodhën të lundronin. Për të udhëtuar atje, kryqtarët kërkuan që venecianët të ndërtonin anije të shumta për ta.
Gjërat duket se po shkonin mirë për momentin, por ky ishte vetëm fillimi. Kryqtarët u detyroheshin venecianëve një shumë të madhe parash që ata nuk ishin në gjendje t’i paguanin sepse kishin llogaritur gabim numrin e anijeve që do të kërkonin. Pas kësaj, doge i vjetër i Venecias u tha se ai do t’i lironte ata nga një pjesë e borxhit nëse kryqtarët sulmonin qytetin e krishterë të Zarës në Kroacinë e sotme.
Shumica e kryqtarëve rrethuan qytetin dhe e pushtuan atë pavarësisht se Papa Inocent III i kishte thënë jo. Për këtë arsye Papa shkishëroi çdo kryqtar dhe venecian.
Më pas, një princ i ri bizantin i mërguar i quajtur Aleks Anxhelo u bëri një propozim joshës kryqtarëve: të shkonin në Kostandinopojë që të lironin babanë e tij nga kontrolli i xhaxhait të tij në pushtet. Aleksi u premtoi për të nënshtruar Kishën Ortodokse ndaj autoritetit të Papës dhe të shlyente borxhin e kryqtarëve ndaj venecianëve. Pas arritjes së një konsensusi, shumica e kryqtarëve dhe venedikasve u nisën për në Konstantinopojë.
Rrethimi i qytetit filloi në korrik 1203 dhe jo shumë kohë më pas, xhaxhai uzurpator i Aleksit u arratis nga qyteti dhe u nis për në Traki. Thesari perandorak ishte pothuajse i varfëruar për shkak të shpenzimeve ekstravagante, dhe ryshfeteve të zyrtarëve.
Ndërsa Aleksi ishte i suksesshëm në mbledhjen e më shumë se gjysmës së fondeve që u kishte premtuar kryqtarëve, ai nuk ishte në gjendje të përmbushte angazhimet e mbetura.
Situata po përkeqësohej shpejt dhe kryqtarët dhe venecianët u ndjenë të mashtruar. Si Perëndimi Latin, ashtu edhe Lindja Bizantine, prej kohësh nuk e vlerësonin tjetrin, gjë që çoi në tensionim të marrëdhënieve.
Bizantinët humbën besimin te Aleksi i ri dhe një i afërm, Aleks Duka, e rrëzoi atë. Sapo kryqtarët dhe venecianët iu lutën Aleks Dukës që të kthente borxhin, ai u shpalli luftë atyre. Kryqtarët e zemëruar sulmuan dhe pushtuan qytetin. Pasi Kostandinopoja u pushtua nga kryqtarët dhe venecianët, qyteti u plaçkit. Plani fillestar, ai për marrjen e Jeruzalemit, u harrua.
Qytetërime
Sigurisht që ka pasur shumë qytetërime të lashta. Megjithatë, janë 6 “djepat e qytetërimit”, për t’u veçuar; gjashtë rajone ku njerëzit u mblodhën në shtete më të mëdha, duke shkuar përtej fshatrave neolitike dhe formuan një lloj qytetërimi.
1- Gjysmëhëna pjellore, përfshirë. Mesopotamia dhe Levanti.
2- Lugina e Nilit.
3- Rrafshnalta Indo-Gangetike.
4- Rrafshina e Kinës së Veriut.
5- Bregdeti i Andeve.
6- Bregu i Gjirit Mesoamerikan.
Këto janë vendet ku qytetërimi mendohet se është zhvilluar individualisht dhe më pas është përhapur në të gjithë botën në epokën e bronzit, duke sjellë përfundimisht qytetërime të mëdha si ilire, greke dhe romake (e para është shkrirë mes tyre). Por një teori e tillë është paksa e thjeshtuar dhe përdoret kryesisht për të ndihmuar studentët e rinj të mësojnë veçmas disa kultura dhe t’i studiojnë ato. Kjo bëhet më e dukshme kur dikush kupton se Mesopotamia ishte në të vërtetë pjesë e rajonit më të gjerë të quajtur “Gjysmëhëna pjellore”.
Ky është përsëri një term i sajuar, por gjëja është se, në varësi të përkufizimit të saj, Gjysmëhëna Pjellore ose e sheshtë përfshijnë Egjiptin së bashku me Mesopotaminë. Që do të thotë se këto dy “civilizime” janë shkrirë në një qytetërim.
Por ne priremi të konsiderojmë Egjiptin dhe Mesopotaminë kultura të ndryshme, prandaj flasim për 6 djepe edhe nëse 2 prej tyre janë në thelb 1.
*
Thuhet se Toka është e rrumbullakët. Për shkak të kësaj, anija nga larg ndërsa afrohet, duket se po ngrihet ngadalë lart.
Nga këndi midis anijes dhe horizontit, ne mund të vlerësojmë distancën e anijes. Nëse përdorni një kalkulator, mund t’i merrni numrat në njësi metrike. Problemi është se në të kaluarën nuk kishte kalkulatorë. Kjo është arsyeja pse në det është e vështirë të llogaritet distanca duke përdorur njësitë metrike. Më e lehtë është të llogaritni distancën midis objekteve në det duke përdorur gradë. Mund ta matni duke përdorur një teleskop.
Një rreth i plotë ka 360 gradë. Kjo do të thotë se distanca e polit veri-jug është 180 gradë. Një gradë ose shkallë ndahet në 60 minuta harkore. Një minutë hark quhet 1 milje detare.
Një milje detare në orë quhet knot, komb, nyjë nautike. Nyjet mund të maten gjithashtu duke përdorur një teleskop. Është vetëm një çështje se sa ndryshon këndi midis anijes dhe horizontit çdo orë. Për shkak se llogaritja e nyjeve është më e lehtë, për përdorim në det, është më popullor se km/h.
Këto nyje mund të përdoren për të matur shpejtësinë e anijeve të tjera (nëse shpejtësia e vetë anijes mund të përdorë GPS).
Për shembull, nëse jeni pirat dhe dëshironi të dini nëse mund të kapni një anije tjetër, është më mirë nëse shpejtësia e të dy anijeve matet duke përdorur të njëjtat njësi.
*
Ravenna, një qytet piktoresk i vendosur në pjesën verilindore të Italisë, u bë kryeqyteti i ri në vend të Romës për disa arsye. Ky vendim nuk u mor lehtë dhe u ndikua nga një kombinim i faktorëve politikë, gjeografikë dhe strategjikë.
Së pari, gjatë Perandorisë Romake të vonë, vendndodhja e Ravenës luajti një rol vendimtar në zgjedhjen e saj si kryeqyteti i ri. E vendosur në bregun lindor të Italisë, Ravenna ofroi mbrojtje nga pushtimet barbare që rrënuan Romën. Qyteti ishte i rrethuar nga këneta dhe laguna, duke e bërë atë praktikisht të padepërtueshëm për forcat armike.
Ky mekanizëm mbrojtës natyror e bëri Ravenën një zgjedhje ideale për zhvendosjen e kryeqytetit, duke garantuar sigurinë e qeverisë dhe zyrtarëve të saj.
Për më tepër, afërsia e Ravenës me Perandorinë Romake të Lindjes, e quajtur zakonisht Perandoria Bizantine, ishte një tjetër faktor domethënës në përzgjedhjen e saj. Ndërsa Perandoria Romake Perëndimore u shkatërrua, Perandoria Romake Lindore mbeti e fuqishme dhe vendimi për të zhvendosur kryeqytetin në Ravenna lejoi komunikim dhe koordinim më të lehtë midis dy rajoneve. Ky avantazh strategjik forcoi mbrojtjen e perandorisë dhe lehtësoi tregtinë dhe shkëmbimin kulturor me bizantinët.
Një arsye tjetër pas ngritjes së Ravenës si kryeqyteti i ri i Italisë ishte trashëgimia e saj e gjallë artistike dhe arkitekturore.
Qyteti shërbeu si një qendër e shquar për artin, duke shfaqur mozaikë mahnitës dhe dizajne të ndërlikuara që zbukuronin kishat dhe pallatet e tij. Perandorët panë mundësinë për të krijuar një kryeqytet të ri që do të ishte jo vetëm i rëndësishëm politikisht, por edhe i pasur kulturalisht. Ky lulëzim kulturor e forcoi më tej pozicionin e Ravenës si një alternativë e denjë për Romën.
Për më tepër, Ravenna krenohej me një infrastrukturë të zhvilluar mirë, duke përfshirë një sistem të sofistikuar të rrugëve dhe rrugëve ujore. Ky rrjet lehtësoi transportin dhe tregtinë efikase, duke e bërë atë një zgjedhje praktike për kryeqytetin.
Për më tepër, porti i qytetit ofronte akses në detin Adriatik, duke lejuar lidhje detare me pjesë të tjera të Mesdheut.
Qëndrimi i Ravenës si kryeqytet nuk ishte i përhershëm. Me kalimin e kohës, peizazhi politik u zhvendos dhe Roma rifitoi statusin e saj si qendra e pushtetit. Arsyet për këtë tranzicion janë të shumëanshme, duke përfshirë ngritjen e perandorëve të rinj që kërkuan të rivendosnin prestigjin e Romës dhe rënien graduale të rëndësisë strategjike të Ravenës.
*
Legjionet romake nuk kishin shërbim prapavije. Kjo lind pyetjen: Si ushqeheshin ushtarët?
Nuk kishte kafeteri si në kohët moderne, çdo legjionar duhej të merrte ushqim të papërpunuar dhe ta gatuante vetë.
Shumica e racioneve romake përbëheshin nga drithëra, të cilat shypeshin, dhe më pas përziheshin me ujë për të krijuar një qull, ose piqeshin për të bërë bukë.
Legjionarët merrnin gjithashtu perime dhe mish, meqenëse ushqimi furnizohej në vend, përbërja e saktë e dietës legjionare varej nga krahina ku ata ishin: disa zona me bujqësi të zhvilluar do të rezultonin në një dietë kryesisht vegjetariane, ndërsa në provinca të tjera që mbështeteshin më shumë te mishi i bagëtive dhe bulmeti, përforimi i tyre ishte më i përhapur. Ndonjëherë legjionarët mund të përdorin paratë e tyre për të blerë më shumë përbërës si mjaltë, peshk, vezë, qumësht ose erëza për të përgatitur ushqime më të mira.
Legjionarët kishin si pjesë të kompletit një tenxhere hekuri, një thikë dhe një lugë, pirunët nuk ishin shpikur ende.
Kur ndodheshin në një bazë, legjionarët mund të përdornin një mulli dore për të prodhuar miellin dhe më pas të piqnin bukën e tyre në një furrë të përshtatshme.
Por nëse ata ishin në lëvizje gjatë një fushate një zjarr kampi do të mjaftonte.
Sfera Betz
Në vitin 1974, familja Betz në Jacksonville, Florida, gjeti një rruzull metalik në pyjet e ishullit Fort George. Me kalimin e viteve, sfera Betz ka nxitur spekulime rreth asaj se çfarë është dhe nga erdhi – tani ka edhe podcast për të zbuluar misterin.
Dikur, në mars 1974 – tre anëtarë të familjes Betz, prindërit Gerri dhe Antoini dhe djali i tyre më i madh Terry, po ecnin në pyll rreth pronës së tyre në ishullin Fort George. Terry gjeti diçka të mbuluar në dhè, që do të ndikonte në jetën e tyre për vite me radhë; zbulimi ishte një sferë e bërë me material të shkëlqyeshëm, që nuk ndryshkej, me madhësi sa një top bowling. Duke menduar se sfera ishte mjaft e çuditshme, ata e morën si suvenir, Terry, atëherë një student 21-vjeçar, e mori topin në shtëpi.
Së shpejti, “Sfera e Betz-it”, e quajtur gjithashtu “sfera e misterit” ose thjesht “Topi i çuditshëm”, filloi të tërhiqte vëmendjen e shtypit dhe rrjeteve televizive. Ron Kivett, drejtuesi i emisioneve në radio mbi fenomenet paranormale, ishte një nga të parët që e inspektoi sferën Kivett konfirmoi pretendimet e familjes Betz se sfera lëvizte vet. Ai, si shumë të tjerë pas tij, ishte i bindur se rruzulli ishte me origjinë jashtëtokësore, një pajisje e krijuar nga një inteligjencë kozmike.
Nuk është e qartë nëse familja Betz kontaktoi median, por gazetat si, Jacksonville Journal dhe Florida Times, filluan të mbulonin ngjarjen. Lindsey Kilbride, reportere dhe tani autore e një podkasti mbi sferên tërhoqi kureshtjen e njerëzve. Rreth asaj kohe, UFO-t ishin vërtet “në modê” dhe historia e sferës u bë më e madhe; ishte një histori kombëtare dhe ndërkombëtar.
Në pranverën e vitit 1974, reporterë nga e gjithë bota, përveç nga Shqiëria, sigurisht, pyesnin se çfarë është kjo gjë e çuditëshme në Jacksonville dhe nga kishte ardhur.
Familja nuk mendoi shumë për rruzullin deri në ditën, kur Terry Betz filloi të luante në kitarë me sferën pranë. Dhe, ndodhi diçka e çuditshme; topi filloi të gumëzhinte dhe të shfaqte veti të tjera të pazakonta – rrotullohej vet, duke ndryshuar drejtime dhe duke u ndalur befas. Madje, sfera vibronte dhe lëshonte një tingull të fortë.
Marina e SHBA-së donte t’i hidhte një vështrim sferës Betz. Gerri shkroi një kontratë që i dha Marinës dy javë për të inspektuar rruzullin në Stacionin Detar Mayport dhe i angazhoi ata ta kthenin atë nëse do të rezultonte se nuk ishte pronë e qeverisë. Në raportet bashkëkohore të lajmeve, zëdhënësi i Marinës deklaroi se ata kishin gjetur vetëm se topi ishte material inoks; nuk ishte pronë e tyre; po rnuk mund të përcaktonin se për çfarë ishte, dhe nuk ishin të sigurt nëse ishte ndërtuar në Tokë. Marina sugjeroi se tendenca e sferës për të lëvizur ishte për shkak të një chipi të vogël trekëndêsh nënsipërfaqe që shkaktonte ekuilibrin e saj dhe ëvizjet në ajër. Chips të tillë në kohë në Tokë as që ekzistonin – pa marrë parasysh sesa kokë sfrera kishte qëndruar në tokë para se të zbulohej.
Shkencëtarët ishin të radhës që u bënë kuriozë rreth misterit. National Enquirer mbodhi një panel prej pesë anëtarësh në New Orleans. Secili prej anëtarëve ishte shkencëtar ose inxhinier. Midis tyre ndodhej J. Allen Hynek, profesor i astronomisë në Universitetin Northwestern dhe ufologu më i njohur i kohës. Ata thirrën Terry Betz me sferën në mënyrë që të mund të hetohej nga paneli. Me sa duket, Hynek dhe kolegët e tij nuk ishin të impresionuar me sferên dhe ranë dakord me Marinën se ai ishte i krijuar nga njeriu.
Këto përfundime nuk bënë asgjë për të ulur interesin. Një vit e gjysmë apo më shumë pas këtij hetimi, familja thjesht pushoi së foluri për të; vendimi i panelit të shkencëtarëve ishte dërrmues për familjen Betz Gerri Betz] merrte telefonata 24 orë në ditë, telefoni thjesht binte vazhdimisht. Njerëzit filluan të shfaqeshin rteth pronës dhe jeta e tyre ndryshoi në mënyrë drastike. Meqënëse Betz-ët nuk po bënin më pyetje në lidhje me sferën, nuk u vërtetua kurrë përfundimisht se çfarë ishte ky objekt, ose si kishte arritur në ishullin Fort George. Mungesa e peshës së gravitetit, e bên Sferën Betz më intriguese, një sfidë pêr shkencëtarët, sot dhe në të në ardhmen. Përsa u përket skeptikëve që dyshojne për çdo gjë, edhe, për temën që po flasim, qëndrimi i tyre dihet.