Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Kujtojmë dëshmorët Shyqyri Alimerko dhe Sadik Zotaj

Luftëtari i Aksioneve, Shyqyri Murat Alimerko

Shyqyri Murat Alimerko ka lindur në Tragjas në vitin 1923. Pasi përfundoi shkollën atje, vijoi shkollimin në Shkollën Tregtare të Vlorës, ku u njoh me lëvizjen antifashiste dhe filloi luftën kundër pushtuesve. Si një i ri i zjarrtë, aktivizohej me të gjitha energjitë për kauzën e Atdheut, i guximshëm dhe gjithnjë në veprim. Ai mori pjesë në demonstrata antifashiste, dhe, sipas burimeve të kohës, mori pjesë në disa aksione me njësitin guerril të Vlorës. Aksioni më i njohur i tij, ai që e bëri të famshëm, ishte më 21 gusht 1941, kur dogji depot e municioneve italiane në Radhimë, duke dëshmuar trimëri dhe dedikim për çlirimin.

Në vitet 1942-1943 ai vazhdoi të angazhohej në aksione të ndryshme në Qarkun e Vlorës. Më 4 dhjetor 1942 u bë anëtar i çetës “Plakë”, ndërsa në qershor 1943 kaloi në çetën “Hodo Zeqiri”. U anëtarësua në Partinë Komuniste më 17 janar 1943.

Në periudhën e luftës kundër fraksionistëve brenda lëvizjes, Shyqyri iu dha detyra për eliminimin e udhëheqësve të tij nga komanda partizane, së bashku me Sadik Zotaj. Aksioni u zhvillua më 27 gusht 1943, midis Lepenicës dhe Gjormit, ku në përballje u vranë Sadiku Zotaj dhe vetë Shyqyri. Ai u varros me nderime partizane në Tragjas më 28 gusht 1943.

Nderimi për Heroin – Dëshmor Shyqyri Alimerko

Dëshmori Shyqyri Alimerko është nderuar me disa prej dekoratave më të larta në Shqipëri për meritat e tij heroike gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare: medaljet e “Kujtimit”, “Çlirimit” dhe “Trimërisë”, si dhe titullin e lartë “Hero i Popullit”, të gjithë këto nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në vitin 1969.

Ai u shpall Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22 shtator 1972, të miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit Vlorë.

Në nder të tij, autoritetet vendase kanë emëruar rrugë e shkolla në Vlorë me emrin e tij. Varrezat e Dëshmorëve të Vlorës strehojnë edhe vendin e fundit të pushimit të Shyqyriut.

Në vitin 1969, përkujtimi i tij u bë edhe përmes ngritjes së lapidarëve: njëri në Lepenicë të Vlorës dhe tjetri në Radhimë në kujtim të aktit të tij heroik. Të dy këto përkujtimore u shkatërruan në vitin 1992. Është ringritur lapidari në Radhimë.

Figura e tij e guximshme gjendet e dokumentuar edhe në librin “Yje të Pashuar” (vëllimi I) në titullin “Heronj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, si dhe në publikime të shumta si gazetat “Bashkimi”, “Zëri i Vlorës”, “Kushtrim Brezash”, “Labëria” dhe revista “Pavdekësia”.

Trimi nga Smokthina, Sadik Zoto Zotaj

Sadik Zoto Zotaj lindi më 10 maj 1921 në fshatin Ramicë dhe përfundoi disa klasa në qytetin e Vlorës. Në vitin 1941 iu bashkua Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), duke marrë pjesë në shumë aksione luftëtarake në qytetin e Vlorës dhe fshatrat përreth: Ramicë, Jonufër dhe Gjorm. Ishte prej pesë antarëve të celulës së Partisë Komuniste për zonën e Smokthinës dhe më tej u angazhua në çetën “Zigur Lelo” më 5 qershor 1943 dhe më pas u bë pjesëtar luftarak në batalionin partizan “Halim Xhelo”.

Ai ra me armët në dorë më 27 gusht 1943 në një përleshje mes fshatrave Gjorm dhe Lepenicë, gjatë kohës kur luftohej kundër “fraksionit të Vlorës”. Në këtë aksion ranë së bashku edhe Shyqyri Alimerko, që do të shpallej më vonë Hero i Popullit. Në varrimin e Sadik Zotaj në Ramicë, fjalën e lamtumirës e mbajti Ali Demi, Hero i Popullit.

Për veprimtarinë e tij të shquar, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me medaljet e “Kujtimit”, të “Çlirimit” dhe të “Trimërisë”. Më tej, ai u shpall Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22 shtator 1972, nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit Vlorë; dhe më 20 maj 2003, Komisioni Qendror i Statusit i dha sërish këtë nder, me vendimin nr. 10.

Nderimi për Dëshmorin Sadik Zoto Zotaj

Institucionet me emrin e tij: Shkolla e Ramicës mban me nder emrin e Sadik Zotaj. Në qytetin e Vlorës ekzistonte një rrugë që e bartte emrin e tij, për të cilën një vendim i Këshillit të Ministrave në vitin 1947 e kishte mbrojtur, por ai u hoq në kohën kur erdhi pushteti i PS-së, ndonëse qytetarët e Vlorës ende e quajnë me emrin e mëparshëm.

Publikime kushtuar jetës e veprimtarisë së tij: Në vitin 2003 është botuar monografia me titull Dreri i Bukur i Ramicës, që i kushtohet jetës dhe sakrificës së Sadik Zotaj. Në këtë libër përshkruhen familja e tij, aktivitetet luftarake, rënia në betejë, shkrime të kohës, kujtime nga bashkëluftëtarë dhe vajtime popullore.

Ai është gjithashtu përmendur në vëllimin IV të librit Yje të Pashuar dhe në libri Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar, si dhe në gazetat “Bashkimi”, “Zëri i Vlorës”, “Kushtrim Brezash”, “Labëria” dhe në revistën “Pavdekësia”.

Vendprehja e dëshmorit Sadik Zotaj ndodhet në Vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë, në parcelën P III Q, në rreshtin 3, vendi nr. 8.

Një lapidar përkujtimor në Lepenicë të Vlorës u ngrit në 1969, por u shkatërrua gjatë periudhës së ndryshimeve politike në vitin 1992.