Albspirit

Media/News/Publishing

FETI ZENELI: “MEMALIAJ NA THËRRET”, ME KËNGË E VALLE NA PRET…

Pesëmbëdhjetëditshi i dytë i gushtit bën zbrazjen e fundit verore të qyteteve dhe qendrave të tjera urbane të vendit, për të mbushur me pushues, kryesisht vijën bregdetare të vendit tonë, nga Velipoja deri në Ksamil. Por me qytetin e Memaliajt ndodh e kundërta; ai popullohet si në asnjë periudhë tjetër të vitit. Është një dukuri e këtyre dy – tre viteve të fundit; fryt i bashkëpunimit institucional të Bashkisë Memaliaj me Shoqatën “AlbAccess Open”, në organizimin e eventit “Java Memaliote”. Në këto ditë, sheshi i qytetit “Minatori” rigjallërohet si me magji. Sapo shpërthen hareja e njerëzve apo dekori në lëvizje, bën të mos bien në sy zbukurimet statike rreth e qark, skena e aktiviteteve, shkëlqimi i dritave, banderolat festive, etj. Ovacionet dhe gëzimi i banorëve përbëjnë qiellin e vërtetë të mbrëmjes gjatë gjithë javës në Memaliaj, në të cilin këndohet, kërcehet, duartrokitet; bëhen urime e krijohen miqësi. S’ka si të ndodh ndyshe, teksa ofrohet një meny e pasur aktivitetesh kulturore e artistike, ku “pjata kryesore”, natyrisht i përket Festivalit Folklorik Mbarëkombëtarë “Jehona e Vjosës”.

Miti “rigjallërues” i “Vjosa N’Fest”

Vjosa, duket se është zgjedhur si “kumbarë” i veprimtarive të ndryshme social-kulturore, të cilat po zhvillohen në qytetin e Memaliajt, gjatë periudhës që bashkinë e kësaj njësie vendore e drejton Albert Malaj. Ato nisën sivjet në muajin e fundit të pranverës, pikërisht në 23 dhe 24 maj, për të vazhduar rreth një javë në fundverë; ku kultura, tradita, arti e muzika bëhen jehonë e shpirtit, dallgë gëzimi e momente endërrimi për një jetë më të begatë; këtu ku Vjosa i vë brrylin fundmalit të Shëndëllisë dhe mban në prehër qytetin. Këtë herë, në rastin e aktiviteteve pranverore, siparin e çeli “Mbrëmja poetike”, kurse ato të fundverës – Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”. Këto aktivitete i japin një ritëm të ri jetës, plotë vrull e energji, duke e shkundur nga monotonia e përgjumur dhe individualiteti i nevojave ditore. Një nisje simbolike, në stinën e rigjallërimit të jetës, për t’u dhënë një mesazh shprese, jo vetëm banorëve të qytetit, por dhe atyre të zonave rurale, se e ardhmja po e gjen sekretin dhe po e projekton tërë bindje hijen e gëzimit të saj në shpirtin e njerëzve, duke ngritur ura ndjeshmërie mes brezave. Hyjnitë e sotme të fjalës e të këngës, kanë zbritur në zemrat e tyre, duke i bërë ato të rrahin e oshëtijnë si Vjosa, ky lumë i shenjtë e i begatë po aq sa Nili i Perëndisë Osiris. Legjenda e realitete pafund e shoqërojnë rrjedhën e Vjosës, qysh nga krijimi i botës. Kësisoj, Vjosa nuk është thjesht një lumë, por një pasuri e rrallë natyrore, një mrekulli që i jep jetë fushave, qyteteve dhe njerëzve të cilët jetojnë pranë tij. Mjafton të kujtojmë, se në çdo dy kilometra rrjedhë të këtij “lumi të egër”, të shfaqen mesatarisht; një monument natyror, 8 lloje të veçanta shtazore e bimore, 735 banorë qytetesh e fshtarash në të dy anët e saj, etj. Vendbanime të hershme e të vonshme, siç e kanë sjellë rrethanat natyrore dhe ato social-politike. Teksa i afrohet kilometrit të 200-të të gjatësisë së vet fizike, kemi ndoshta një prej vendbanimeve më të vonshme të saj, që i përket gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.

Bëhet fjalë për qytetin e Memaliajt. Banesat e para filluan të ndërtohen në dekadën e viteve ’50. Vjosa i kishte krijuar me kohë kushtet e një vendbanimi të tillë, por njerëzit ishin në pritje, apo më mirë të themi, kishin zgjedhur lartësitë mbrojtëse të terrenit, teksa gjithë vendi ishte zhytur në luftra pafund, duke i ngritur strehëzat rrëzë maleve e kodrave përreth. Bujarisë së Vjosës këtu në Memaliaj iu shtua edhe begatia mineral-mbajtjëse e nëntokës, në të djathtë të rrjedhës së saj, që vulosën projektet urbane të qytetit, të përfshira në planin e parë pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë e kulturës shqiptare (1951 – 1955). Theksi që i vinte ky dokument zyrtar shfrytëzimit të burimeve tona natyrore të naftës, kromit, hekur-nikelit, ziftit dhe qymyrgurit, diktuan nevojën e ngritjes së kësaj qendre urbane në fushën që formon harku i lumit Vjosë poshtë këmbëve të Memaliaj Fshat. Në më pak se tri dekada u ndërtua një qytet e tërë, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për një jetë normale, madje më të begatë se shumë qendra të tjera urbane në jug të vendit, të krijuara shumë më herët në kohë. Mjafton të kujtojmë, se në mesin e viteve ’80, Memaliaj kishte gati 8 mijë banorë, nga të cilët një e dhjeta e tyre jetonin në fjetinat e punëtorëve. Niveli i mirëqënies qytetare ishte nga më të lartit në vend, edhe për shkak të trajtimit të veçantë nga qeveria dhe shteti i kohës për minatorët. Mjafton të kujtojmë, se nga rreth 1700 familje gjithsej që jetonin në këtë qytet, gati 85 për qind e tyre kishin pjestarë në minierën e qymyrgurit. Kështu që mund të themi me plotë gojën, se Memaliaj lindi dhe u rrit në ato vite nga puna e njerëzve të thjeshtë të nëntokës për të nxjerrë pasuritë minerare që ajo fshihte në thellësi të saj. Ishin minatorët, ata që shkruan historinë e këtij qyteti. Një qytet me gjithë të mirat, aq sa mundësonte koha; me jetë të pasur kulturore e artistike, me ekip fotbolli, me intelektualë e personalitete të njohur në shumë fusha, etj. Dy nga artistët më në zë të skenës dhe ekranit shqiptar, Mehdin Malkaj dhe Agron Llakaj kanë kryer fillimisht “shkollën” e minierës e pastaj atë të artit (që të dy kanë qenë prezent në të dy edicionet e Festivalit Folklorik “Jehona e Vjosës”; vitin e kaluar dhe sivjet).

Ndryshimet politike dhe reformat ekonomike të pas ’90-ës e mpakën qytetin. Mbyllja e minierës i mbylli atij derën e rritjes dhe të zhvillimit. Sot në Memaliaj nuk banojnë më shumë se 20 për qind e popullsisë së fundviteve ’80. Bashkë me numrin ka rënë edhe niveli i jetesës, aq sa njerëzit kujtojnë me nostalgji “bollëkun” e minierës. Në këto kushte ky qytet i vogël por me shpirt të madh përpiqet ta rigjejë veten tek tradita dhe burimet e pashtershme natyrore të Vjosës, ca më tepër tani që, duke filluar nga 13 mars 2023, ky lumë është shpallur “Park Kombëtar i kategorisë II”, sipas përkufizimit të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Por Vjosa nuk është vetëm natyrë. Ajo është edhe kulturë. Shumë qytete shqiptare të jugut, si Përmeti, Tepelena, Memaliaj, por dhe Vlora, e kanë të lidhur jetën me këtë lumë. Ai ka frymëzuar këngë, valle e poezi, duke u bërë simbol i lirisë dhe i bukurisë shqiptare. Ndërsa tingujt e polifonisë që kumbojnë buzë Vjosës e bëjnë dhe më magjepsës çdokënd prej këtyre qyteteve, por në mënyrë të veçantë Memaliajn, edhe për shkak të pozicionit gjeografik.

Një rrëfim përmes lotësh i aktorit Mehdi Malkaj

Midis shumë emrave të mëdhenjë që ka njohur arti shqiptar, një vend të veçantë zë edhe Mehdi Malkaj, bir i qytetit minator të Memaliajt. Ai nuk është vetëm një aktor i talentuar, por edhe një personalitet që ka ditur të prekë zemrat e publikut me lojën e tij të natyrshme, me humorin, por edhe me dhimbjen e thellë që arrin të përcjellë në skenë dhe në ekran. Ai është dëshmi e faktit, se arti nuk është vetëm famë, por mbi të gjitha punë, pasion, përkushtim dhe dashuri për publikun. Një vlerë tjetër e tij është, se pavarësisht staturës si artist i madh, kurrë nuk e ka humbur thjeshtësinë. Sepse, përveç të tjerash, nuk harron rrugën që ka përshkuar për të mbërritur në majat e larta të artit, duke u bërë pjesë e pandashme e kujtesës sonë kulturore.

U takuam me të për një kafe, mëngjesin e ditës së dytë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”. I pranishëm dhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj. “Ku e ke patur shtëpinë?”, e pyet në një moment Alberti. Mehdiu pasi heshti pak çaste, në mënyrë që lotët të mos i dilnin përpara fjalëve, i përgjigjet: “Ja këtu, pak më tej; një shtëpi përdhese, por që është rrënuar tani. Dëshiroj shumë ta ringre, se më lidhin mjaft kujtime me të, qysh nga fëmijëria. Vij vit për vit në Memaliaj, dhe në mungesë të ambientit shtëpiak, pi kafe në lokal, bisedoj më Vjosën dhe kthehem andej nga kam ardhur”… Përsëri pauzë, këtë herë më e gjatë, ndërkohë që  lotët, tashmë, dolën përpara fjalëve. Nuk aktronte, por kujtonte orën e parë të leksionit në Institutin e Lartë të Arteve, me pedagog Adriatik Kallullin. “Unë isha 28 vjeç kur shkova të shkollohesha për aktor, gati 10 vjeç më i madh se shokët dhe shoqet e mia të grupit. Por skenën dhe spektatorin e kisha njohur më parë se ata, që në moshën 14 vjeçare, si amator. Në përfundim të leksionit i them atij: Nuk mora vesh asnjë fjalë, profesor. Të gjithë qeshën. Atëherë ndërhyn profesor Adriatiku: “Mos u mërzit, ti je miku im!” E takoj pedagogun pas orës së leksionit teksa dilte nga auditori: Meqë më ke mik, më ndihmo; çfarë duhet të lexoj që të arrij shokët?!”. Tashmë ishte Profesor Kallulli, që për një çast hesht e bie në mendime. Pastaj i drejtohet Mehdiut: “Ti duhet ta fillosh leximi nga revista “Fatosi”; pra nga librat e fëmijërisë! Mua do më kesh në krah”. Dhe kështu; profesori sugjero e Mehdiu lexo, në vitin e dytë ai arriti nivelin e studentëve të tjerë, ndërsa vitin e tretë i tejkaloi ata, duke e e mbyllur ciklin e studimeve me të gjitha “dhjeta”. “Nuk flija më shumë se 3-4 orë në natë”, kujton Mehdiu. Pastaj i drejtohet kryetarit të bashkisë: “Jo pa qëllim ta tregova këtë histori jetësore. Kam dëgjuar, që edhe ti kështu e ke filluar në Memaliaj, me “Fatosin” e radhës së punëve për plotësimin e interesave qytetare, ndaj jam i bindur se do t’ia dalësh me sukses. Me përkushtim dhe ndjeshmëri të lartë njerëzore e profesionale, nuk ka objektiv të mos arrihet, sado vështirësi e mangësi që mund të kesh”.

 “Jehona e Vjosës” me këngë e valle folklorike

Vjosa, përveçse një himn i natyrës, mund të përcaktohet artistikisht edhe si një këngë që buron nga malet dhe përfundon në det; një pasuri që memaliotët kanë filluar ta duan e ta ruajnë si thesarin më të çmuar të tyre. Në çdo kthesë të saj, ajo përcjell histori, por dhe melodi, njëkohësisht. Pikërisht në Memaliaj, Vjosa bën një kthesë spektakolare, duke krijuar një xhep tejet të madh fushor ku shtrihet qyteti, i cili këto dy vitet e fundit është bërë mikpritës i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”. Ky Festival është shembulli më domethënës, se si qyteti i dikurshëm minator, edhe në një situatë jo aq të favorshme social-ekonomike, përpiqet të rigjejë veten përmes vlerave të traditës kulturore, duke mbetur një vatër e madhe e artit popullor dhe krenarisë sonë kombëtare. Në çdo aspekt që ta shohësh këtë lloj aktiviteti, qoftë nga pikëpamja sasisore apo dhe cilësore, vlerësimet mbeten të larta. Rreth 20 ansamble dhe grupe folklorike me mbi 150 artistë nga të gjitha trojet shqiptare e shndërruan Memaliajn e vogël në një skenë të madhe të interpretimit dhe bashkimit kulturor. Melodia e këngës polifonike, tingujt e instumentave muzikor, ritmi i kërcimit, etj., krijonin një mozaik të gjallë, ku çdo krahinë shpaloste ngjyrat e vete. Një larmi e pafund zërash, melodish e veshjesh të grupeve dhe ansambleve, si: “Pavarësia”, “Vatra Labe”, “Visaret e Krrabës”, “Labçe përmbi valë”, “Djemtë e Bogonicës”, “Memaliaj”, “Rapsodët e Deçanit”, “Matit”, “Mallakastrës”, “Lazaratit”, “Azis Nderu”, “Thesaret Labe”, “Kaltërsia”, “Gurra e Picarit”, “Djemtë e Delvinës”, “Ferrizaj”, “Rapsodët e Klinës”, “Drenica – Skënderaj”, “Krojet e Velçës”, “Lunxhëria”, etj., e shndërruan Memaliajn në kryeqendrën e kulturës dhe traditës shqiptare. Në radhët e artistëve dominonin të rinjtë, edhe si një dëshmi e përcjelljes brez pas brezi të traditës sonë kulturore. Përtej argëtimit dhe bukurisë së interpretimit artistik, ky aktivitet mbart edhe misionin e edukimit të brezave të rinj me dashurinë për rrënjët e ta parëve; për t’u dëshmuar atyre, se në këngët e vallet e gjyshërve e të stërgjyshërve ka histori e krenari kombëtare, dhe se, në fustanellën e xhubletën e traditës ka art dhe dritë shpirti. Kësisoj, sheshi “Minatori” u mbushë plotë e për plotë, jo vetëm me jehonën e zërave artistik dhe kostumet shumëngjyrëshe të artistëve, por dhe me harenë e spektatorit memailotë. Masat përgatitore dhe ato organizative ishin të atilla, që mundësuan performacën më të mirë interpretuese të këngës dhe valles polifonike. Kësisoj, ceremonia e pritjes së artistëve ishte po kaq mbreslënëse sa dhe paraqitja e tyre në skenë. Paradës së parakalimit të tyre i parapriu një ekspozitë fotografike me pamje nga edicioni i kaluar i këtij eventi, si dhe një koktej i shtruar nga organizatorët; Shoqata “AlbAccess Open” me Bashkinë Memaliaj. Ky standard serioziteti vazhdoi edhe gjatë konkurimit artistik, duke filluar qysh me elementët formalë të daljes në skenë, interpretimit e largimit dinjitoz prej saj; një model që rrallë e ndesh sot edhe në rastin e organizimit të Festivalit Folklorik Kombëtar, apo aktiviteteve të tjera me një traditë disavjeçare. Ndaj, dhe nga specialistë të ndryshëm të fushës, Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” u përcaktua, si; një ndër manifestimet më të rëndësishëme në fushën e trashgimisë shpirtërore, me shtrirje në një pjesë të madhe të trevave etnografike shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Çdo këngë, valle, apo melodi shpalosi pasurinë e folklorit tonë. Nga ana tjetër, në një kohë kur globalizimi shpesh rrafshon dallimet kulturore, ky festival bëhet mburojë e identitetit kombëtar për këtë pasuri të rrallë shpirtërore të kombit shqiptar.

Kësisoj, këngët dhe vallet folklorike, po aq sa mënyrë argëtimi, janë edhe pasqyrë e jetës, historisë dhe ndjenjave të njerëzve. Ato rrëfejnë për trimat që luftuan për liri e pavarësi, problematikën sociale të kohës, dashuritë e fshehta, gëzimet e dasmave apo edhe për hidhërimet e jetës së përditshme. Në to vihen re ndjenjat e sinqerta të popullit tonë, të shprehura me gjuhë të thjeshtë, por plot forcë dhe emocion. Këngët dhe vallet folklorike janë një thesar i gjallë që na lidh me rrënjët tona. Ato na tregojnë se kush kemi qenë, çfarë kemi dashur dhe për çfarë kemi luftuar. Përmes tyre, brezat e rinj mësojnë të respektojnë të kaluarën dhe të ndjehen krenarë për kulturën e tyre.

Drejtori artistik i festivalit, Viktor Aliu, pasi i falëndron një për një të gjithë grupet dhe artistët pjesmarrës, si dhe faktorët e tjerë që kontribuan në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti thekson: “Kanë qenë me të vërtetē dy netë magjike, të cilat dhuruan spektakël dhe emocion për të gjithë spektatorët e pranishëm…”. Ky festival përbën, sipas tij, një ndër manifestimet më të rëndësishëme në fushën e trashgimisë kulturore në këto kohë. “Qershia mbi torte”, apo “Gjerdanë me gur të çmuar thesaresh”, ai konsideron interpretimin mbreslënës të Fëmijëve të Qendrës Kulturore Memaliaj. E mbyll me “të veçantat” e këtij festivali: “… hapësirën e gjerë gjeografike, prurjet e reja dhe diversitetin e grupeve pjesmarrëse, të cilat vijnë nga komunitete të ndryshme, dhe që dëshmojnë larmishmërinë e trashëgimisë sonë kulturore”. Një e veçantë tjetër, në raport me shumë aktivitete të këtij lloji, sipas Viktorit, është se: “Ne nuk mund të ftojmë çdo vit të njëjtit grupe apo ansamble, pasi duam t’u japim mundësinë të gjithëve, që të ngjiten në këtë skenë festivali, ku artistët e ndjejnë veten të respektuar e motivuar, fal organizimit perfekt dhe respektimit të kritereve vlerësuese”. 

“Thesaret labe” të Viktor Aliut

Mbarëvajtja dhe suksesi i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” janë të lidhura pazgjidhshmërisht me emrin e Drejtorit Artistik, Viktor Aliu. Ai është një artist i pasionuar, ruajtës e promovues i traditës së krijuar brez pas brezi për këngën dhe vallen folklorike. Ka rreth katër dekada që punon me përkushtim të veçantë në këtë fushë, qysh prej shkurtit të vitit 1986, kur emërohet përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës në ish-kooperativën bujqësore Selckë, e më pas në fshatin e tij të lindjes, në Kalivaç. Ngjitja në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në ato kohë, të grupit të Komarit dhe Kalivaçit janë meritë e punës së tij. Ndryshimet politike të pasviteve ’90 e përballën me shumë sfida, si çdokënd tjetër në atë periudhë, por Viktori asnjëherë nuk e la pas dore pasionin e tij për kulturën, këngën dhe traditën. Ai është një artist i kultivuar, i specializuar në sektorin e Kulturës, dega Regjizurë. Duke qenë se në fillim të ’90-ës, këto lloj profesionesh po i linte koha në harresë, dhe nuk të siguronin mundësi ekonomike për nevojat e jetesës familjare, Regjizori Viktor Aliu, krahas shkollimit universitar për Histori – Gjeografi, përfundon edhe Fakultetin e Drejtësisë. Kësisoj, nga 1992-shi e në vazhdim, për 26 vite rresht kryen detyra të ndryshme në sektorët publik e ato privat, si: Mësues në shkollën “Sami Musaj” në Kalivaç, Inspektor dhe Komandant Grupi në Drejtorinë e Antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithëshme të Doganave, Administrator në një biznes privat, jurist pranë Ndërmarrjes Industriale Nr 1, Tiranë, etj. Sidoqoftë puna me kohë të plotë në këta sektorë, nuk e penguan që “part – time” të ndiqte pasionin e tij të rinisë për këngën polifonike dhe kulturën në përgjithësi. Duke e parë që kjo punë nuk mund të bëhej siç duhej, vetëm në “kohën e lirë”, ai, duke filluar nga viti 2018 e në vazhdim i përkushtohet totalisht këngës dhe kulturës në përgjithësi. Ky moment kohor përkon me krjimin e Grupit Polifonik “Thesaret Labe”, me të cilin brenda një periudhë të shkurtër kohe ka arritur rezultate mjaft domethënëse. Viktori nuk është vetëm drejtues e menaxhues i një prej grupeve më në zë të këngës polifonike, por edhe solist e tekstshkrues. Për interpretimin artistik dhe vokalin si solist është vlerësuar herë pas here me çmime të ndryshme. Po kështu ka krijuar mbi 200 tekste këngësh për grupin e vet “Thesaret Labe” dhe grupe të tjera artistike. Është njohës shumë i mirë i kulturës dhe i folklorit burimor, sidomos i këngës polifonike. Të gjitha këto njohuri i ka vënë në shërbim të publikut, qoftë si solist në përbërje të grupit “Thesaret Labe”, ashtu dhe si drejtues artistik, fillimisht në repartet ushtarake të Divizionit të Delvinës e Konispolit, e tani së fundi, të koncertit “Buzi-Folk” apo të dy edicioneve të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtarë “Jehona e Vjosës”. Sidoqoftë, fokusi kryesor mbetet krijesa e tij “Thesaret Labe”, një nga grupet polifonike më të njohur në vend, i cili deri tani ka një repertor me rreth 100 këngë. Ky grup është vlerësuar me të gjitha llojet e çmimeve të mundshme, gjatë aktiviteve të ndryshme brenda e jashtë vendit. Është i pari grup polifonik që ka kaluar Atllantikun dhe ka performuar në skenën amerikane të New Yorkut, i ftuar nga Shkolla Shqipe “Alba Life” dhe Shoqata Shqiptaro – Amerikane “Skënderbej”.

Kënga për Viktorin, përveçse dhunti personale është edhe një trashëgimi familjare. “Pasioni im për këngën, -tregon ai, -ka lindur qysh në moshën 5 – 6 vjeçare, kur unë, si fëmija më i vogël e më i përkëdheluri, nuk u ndahesha prindërve, në dasma e gëzime të tjera familjare. Jo vetëm ata, por edhe vëllezërit e motrat e mia e këndonin shumë mirë këngën labe. Familja jonë me dy prindërit dhe 8 motra e vëllezër krijonin, si me thënë, një grup artistik më vete. Kam parasysh, që sidomos netëve të dimrit, të cilat në fshat ndjehen më të gjata se kudo, ne mblidheshim familjarisht rreth zjarrit dhe këndonim”. Pastaj kur fillon shkollën, evidentohet në aktivitetet artistike që zhvilloheshin aty, si kthyes e më pas si marrës i këngës polifonike. Kujton me respekt e mirënjohje mbështetjen e mësuesve të tij që nga klasa e parë deri në të tetën, si; Dëro Dëraj, Mënyr Lamkaj, Skënder Xhaferi, Petrit Zeneli, etj.

Nisur nga fakti, që kënga polifonike përbën një thesar të pashtershëm të kujtesës dhe shpirtit të kombit tonë; kushdo që e ruan, kultivon apo e përcjell atë brez pas brezi, sikundër dhe Viktori, përveçse artist, bëhet një misionar i identitetit tonë kulturor.

Si drejtues artistik i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”, Viktor Aliu ka ditur ta kthejë këtë aktivitet në një arenë të gjallë të kulturës popullore. Ai e ka inicuar dhe konceptuar festivalin, jo thjesht si një shfaqje artistike, por si një udhëtim shpirtëror, ku gërshetohen kënga, vallja, meloditë muzikore, historia dhe përjetimet e brezave. Me aftësi organizative dhe ndjeshmëri artistike, ka sjellë në skenë dhjetëra grupe folklorike nga treva të ndryshme, duke e bërë festivalin një pikë takimi të trashëgimisë kulturore shqiptare. Viktori, në këtë rast, nuk është mjaftuar me rolin formal të drejtuesit, por ka qenë gjithmonë frymëzues dhe bashkëpunëtor i afërt me artistët popullorë. Falë punës së tij, “Jehona e Vjosës” ka arritur të krijoj bindjen, se kënga, vallja dhe melodia folklorike, nuk janë vetëm e shkuara, por edhe e tashmja dhe e ardhmja; një art i vërtetë, që mund të jetojë brez pas brezi nëse kultivohet me dashuri e përkushtim. Kësisoj, ky festival nuk përbën thjeshtë një aktivitet artistik, por një pasuri e shkollë shpirtërore, që na mban të lidhur me rrënjët; një urë midis traditës dhe kohës moderne. Ndaj dhe pritet me padurim nga spektatorët.