Ismet Hajrullahu: Hipokrizia e UNESCO-s
Është e pabesueshme, por ja që jemi në vitin 2025 dhe Kosova ende nuk është anëtare e UNESCO-s. Një vend me mijëra vjet histori, me monumente të trashëgimisë, me rrënjë të thella kulturore dhe shpirtërore, fatkeqësisht vazhdon të përjashtohet nga organizata që ka për mision mbrojtjen e trashëgimisë së njerëzimit. Për mendimin tim, kjo situatë nuk është thjesht një gabim diplomatik, por një turp i madh për UNESCO-n dhe një dështim i rëndë moral për komunitetin ndërkombëtar.
Kosova është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë shumicën e vendeve evropiane, Japoninë, Kanadanë, Australinë, Izraelin dhe mbi të gjitha, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sponsorizuesi më i madh financiar i vetë UNESCO-s. E megjithatë, kjo organizatë vazhdon të mbajë një qëndrim të ngurtë, duke e lënë Kosovën jashtë dyerve të saj, si një vend pa zë, pa përfaqësim, pa të drejtë të mbrojë trashëgiminë e vet.
Ironia është e thellë. Monumentet që ndodhen në territorin e Kosovës, si Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën e Premtes në Prizren, janë të regjistruara në listën e UNESCO-s, por jo si pjesë e trashëgimisë së Kosovës. Ato figurojnë si “monumente në Kosovë (Serbia)”, duke mohuar jo vetëm realitetin historik, kulturor dhe administrativ, por edhe vetë pavarësinë e Kosovës si shtet sovran. Ky formulim është një akt i pastër politik, një përvetësim i qëllimshëm që e trajton Kosovën si një territor pa subjektivitet ndërkombëtar, pavarësisht faktit se ajo është shtet i njohur nga shumica e botës demokratike.
Kjo është një formë e institucionalizuar e mohimit, një manipulim i ftohtë që i shërben interesave të shteteve që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. UNESCO, në vend që të qëndrojë mbi politikën, është bërë vegël e saj. Nuk mund të flasë për “trashëgimi botërore” dhe në të njëjtën kohë të përjashtojë një popull që ka kontribuar në civilizimin evropian që nga koha e Dardanisë antike. Nuk mund të flasë për “diversitet kulturor” dhe të injorojë faktin se Kosova është një mozaik i gjallë i kulturave, feve dhe traditave që kanë bashkëjetuar për shekuj.
Ky përjashtim nuk është thjesht simbolik. Ai ka pasoja reale, pasi Kosova nuk ka qasje në fondet e UNESCO-s për ruajtjen e monumenteve, nuk ka të drejtë të paraqesë lokalitetet e saj për mbrojtje ndërkombëtare, nuk ka zë në debatet globale për trashëgiminë kulturore. Dhe më keq akoma, monumentet e saj trajtohen si të huaja, si të përvetësuara nga një shtet tjetër që nuk i administron, nuk i mirëmban dhe nuk i përfaqëson.
Kjo është një dështim i UNESCO-s për të qenë ajo që pretendon: një organizatë e paanshme, e drejtë, e përkushtuar ndaj vlerave universale. Në vend të kësaj, ajo është kthyer në një arenë ku politika mposht parimet, ku diplomacia e bllokut triumfon mbi të drejtën e trashëgimisë. Përjashtimi i Kosovës është një formë e heshtur, por e rrezikshme, e mohimit të pavarësisë së saj dhe përbën një akt që nuk ndodh në heshtje, por në dokumente zyrtare, në konferenca ndërkombëtare, në listat e trashëgimisë ku emri i Kosovës nuk figuron.
Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar privilegje, por është mëse e logjikshme që ajo të ketë një trajtim të dinjitetshëm, si çdo vend tjetër që ka histori, kulturë dhe identitet. Ajo kërkon të mbrojë monumentet e saj, të promovojë vlerat e saj, të kontribuojë në dialogun ndërkombëtar për trashëgiminë. Mbi të gjitha, Kosova nuk duhet të përjashtohet për shkak të lojërave politike që nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën.
UNESCO duhet të jetë jashtë ndikimeve dhe rrymave të ndryshme, të shikojë realitetin në sy dhe të pranojë Kosovën si pjesë të barabartë të komunitetit botëror të trashëgimisë. Sepse çdo ditë që kalon pa këtë njohje, është një ditë turpi për një organizatë që ka harruar vetë arsyen e ekzistencës së saj.