Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Përse tradhtoi Juda?

PËRSE TRADHTOI JUDA? JUDA DJE DHE JUDAT SOT!

Kjo pyetje rrënjën e saj e ka tek mençuria. Juda dje dhe Judat sot.

Kalvari i historisë tërheq pas vetes qenie me shpirt të kalbur, sinonim i papastërtisë shpirtërore. Kjo kalbësi është aroma e tradhtisë ndaj së vërtetës dhe drejtësisë.

Juda dje tradhtoi. Kjo vepër e kryqëzoi Krishtin, shpirtin e mirësisë, shpirtin e përvujtërisë, dashurinë e panjollë. U kryqëzua drejtësia, mençuria, urtia, shërimi dhe shëlbimi.

Sipas botës Krishti vdiq në kryq dhe e vërteta u varros bashkë me të. Por ç’ndodhi? Krishti u ringjall sërish, e bashkë me të dhe e vërteta, e cila nuk u varros, por e sfidoi tradhtinë e Judës.

Këtu fillon një histori e re, një jetë e re, ku tashmë drejtësia nuk nëpërkëmbet dhe tradhtia nuk ngadhnjen mbi kryqin.

Por përse tradhtoi Juda?

Dimë që motivi i kësaj tradhtie ishte për para. Dimë edhe që kjo tradhti nuk e shpëtoi Judën, as nuk e bëri të pasur.

Juda e njohu Krishtin, mësoi se cili ishte ai, e dëgjoi të fliste, e pa të kryente edhe mrekulli. Por çfarë kërkonte më tepër ai? Kërkonte atë që nuk i përkiste, e ajo që nuk na përket na bën tradhtarë të dashurisë.

Por çfarë është ajo që nuk na përket? Është ajo që i bën Judat e sotëm të tradhtojnë, të manipulojnë, të fshihen nga drejtësia dhe të luajnë me dashurinë, të marrosen aq shumë pas lakmisë, sa të harrojnë se litari i varur në qafën e tyre është aty, në çdo çast, për t’ua fikur jetën përgjithmonë.

Juda u vetvar. E pra, monedhat që shitën dashurinë i kishte në dorë tani, e përsëri edhe pse i “pasur” kërkonte vdekjen. Ky simbol i egoizmit njerëzor është trashëguar edhe në Judat e sotëm, por me një ndryshim, ata kanë frikë nga vdekja. Mos vallë Juda i djeshëm ishte më i mirë dhe më dinjitoz se Judat e sotëm?

Vdekja nuk është mikpritëse në misterin e saj, por të çash renë e këtij misteri duhet forcë shpirtërore dhe përgatitje pjekurie. Por a i kishte Juda këto dhunti? Po Judat e sotëm, a janë të zotë të kuptojnë prekjen e këtij misteri?

Kur Juda u vetvar në degën e një peme, nuk u lëvdua nga bashkëpunëtorët e tij. E pra, drejtësia e tyre nuk e bëri “hero” bashkëpunëtorin që u shpërblye me monedha të arta. Këtij bashkëpunimi i mungonte drejtësia, e cila Judave të sotëm u qëndron ballë për ballë, në çdo kohë. Por sytë e Judave të djeshëm e të sotëm, janë të veshur me renë e lakmisë, e cila josh me lajka e vese që e shëmtojnë ndjenjën e dashurisë dhe e shpërdorojnë ligjin e drejtësisë.

Juda dje dhe Judat sot e shesin nderin për para, e cila është honi ku bien pa kthim ata që tradhtojnë në emër të parasë dhe të lakmisë.

Sot lakmitarët janë Judat që i shërbejnë zotërisë së errësirës. Kjo errësirë i mëson që të besojnë tek forca e parasë, por jo në fuqinë, gjakun dhe në besën e Jezu Krishtit.

Juda dje dhe Judat sot janë armiqtë e shpirtit njerëzor, e po ti numërosh janë shumë. Kjo pjellë e lakmisë e ka shtuar farën e saj anembanë globit. Fjalët e mëkatit si dje ashtu edhe sot, joshin për të lëvduar paranë dhe të mirat që vijnë prej saj. Kjo joshje është zbërthimi që i bën njeriut armiku i tij, i cili e quan pronë të tij njeriun.

Kur joshja kthehet në qëllim, atëherë njeriu kthehet në Judë kundër dashurisë.

Lakmia është gjuha e pabesisë. Lakmia të shtyn të përdorësh forcën e saj për të kryqëzuar dashurinë me vdekje. Por a vdes dashuria nga tradhtia?

Forcën e saj do ta shohim në ngjarjet që do të rrjedhin më pas.

Amen!