Viron Kona: Ligjëruesi “modern”
E kishin kërkuar vetë atë ligjërues,
prof. me gradë të lartë në ekonomi,
por ndonëse të përqendruar tek ai,
s’po e kuptonin dot ligjëratën e tij.
*
S’dukej si ligjëratë, por si labirint,
përzierje shprehjesh frazeologjike,
hyrje – dalje pa fund nëpër fjalorë,
komente situatash e idesh politike.
*
Vend e pa vend fliste fjalë të huaja,
N’vend të fjalëve të bukura shqipe,
i quante si t’veta disa fjalë të urta,
autorët e t’cilave tërë bota i njihte!
*
Gati e quajti veten dijetar të madh,
kulturën e tij si “pasuri kombëtare,
eh, ja natën e zezë po e ndriçonte,
një yll i ri i ekonomisë shqiptare”!
*
Kur foli për të ardhmen, ai sa thirri:
“T’i ndalim aventurat e brezit të ri!,
Këta po hedhin botën në humnerë!
Bota kemi qenë ne dhe jo kjo rini”!
*
Dëgjuesit sikur dëgjonin një daulle,
me tinguj të largët edhe të mbytur,
ai ligjërues i shumëpritur prej tyre,
po dilte fund e krye mendjemykur!
*
Akrepat e orës sikur kishin ngrirë,
dëgjuesit ndienin padurim e mërzi,
ja, edhe një faqe ka! pëshpëritnin,
por, jo, ai s’dilte nga labirinti i tij.
*
Ajri mbytës në sallë ishte rënduar,
ndonjëri fshinte djersët me shami,
pëshpërimat, kollitjet qenë shtuar,
disa linin sallën për t’marrë freski.
*
Më në fund ai mbaroi e ngriti sytë,
priste q’dëgjuesit ta duartrokitnin,
por ata pak t’mbetur në atë sallë,
vetëm dremitnin apo gërhisnin!