Albspirit

Media/News/Publishing

NE DHE PASQYRA JONË NË LIBRIN “MOSMARRËVESHJA…” TË KADARESË

“Nëse këtë botë e bëri një Zot, ai nuk doja të isha unë”!

Nga Veledin Durmishi

Këmbënguljes tënde që unë duhet ta dalloj një libër nga princi i letrave tona shqipe, Kadare, unë do t’i bëja bisht, nën një arsyetim bindës: se e kam të vështirë. Por këmbënguljes tënde me patjetër, unë nuk do të hezitoja: “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”. Mund të jenë të shumta arsyet që unë spikata këtë libër. Ndoshta mosha, sqima ime për të dalluar librin, një pjekje e mendimit racional, një kthejlltësi dhe ftohtësi arsyetimi, një njohje e të vërtetave të mëdha mbi historinë tonë që deri dje kanë qënë tabu, ndoshta… Dhe shkrimtari na vë një pasqyrë gjigande përpara, ku ne përplasim të shkuarën tonë, frontin sintetik ku shqiptari nervoz sheh veten e shpesh edhe ndjen një revoltë së brendshmi. Është një sprovë shumëplanëshe, një ese brilante, një roman historik, një vepër e mirëfilltë historike, filozofike ku nga largësia e shekujve ai kërkon të lidhë me fije herë të dukshme e herë të fshehta kodin tonë gjenetik i cili është i ndjeshëm, diku prekë kufijtë e lirisë, ai eksploron deri te tabani ynë, në troje të thata e plot lagështi ku diku zë udhë makthi, dëshira, ëndrra e ku ndërtohen edhe fate njerëzish e kombesh. Tema që kërkon të rrokë Kadareja ndihet që në faqet e para, çështja e simboleve të kombit, të flamurit dhe të himnit, dy identitete kryesore që formësojnë kombin për të hyrë më tej  në histori  e për të dalë dikur në rrjedhën e sotme, por gjithnjë duke lënë shtegun për t’iu drejtuar historisë te e cila mjaft probleme të identitetit, formimit tonë, prapambetjes sonë e kanë aty gjenezën, te e djeshma, te shekujt që e mbajtën kombin tonë aq gjatë në një stacion, në pritje të qerres lindore, ndërkohë bota udhëtonte drejt Perëndimit në trenin e së nesërmes..

Dendësia e informacionit i ka dhënë shkrimtarit një sintaksë aq të zgjedhur, sa vetëm Kadareja mund të shfaqet aq sintetizues, ku mungesa e një koreografie, e një kronologjie, planet që mbivendosen njëri mbi tjetrin, nuk e kanë penguar aspak këtë vepër të të ngërthejë si para një pasqyre, ku kombi ynë kërkon të shohë vetveten në mungesë filtrash, pa truke, pa rrufjanë historie. A jemi ne një komb i zgjedhur nga Zoti? Përse na zgjodhi ne i Plotfuqishmi e ne pastaj për të qenë i tillë ndërtuam ato dy vargje të himnit se Zoti vetë e ka thënë se ca kombe të tjerë do të zhduken, ndërsa ne jo. Lexim satanik e quan shkrimtari. Kjo është ajo nyja, ajo fjala kyçe që shkrimtari hap faqet e librit. Ndërkohë historia ka dëshmuar se Shqipëria ka qënë në zdrip të jetës, në udhëkryqe historie, në zhbërje të kufijve sa herë. Ndërkohë historia na ka mësuar se shqiptarët me marrëveshjet e mosmarrëveshjet e tyre, me grindjet në oborrin e shtëpisë së tyre, me intrigat e prapaskenat, me shpirtshiturit e gjakprishurit e vet, i kishin djegur sa herë mundësitë e në fundin e tyre mbeti vetëm shpresa. Historia është një ngrehinë, por interpretimi i saj shumë herë ka qënë i gabuar, herë-herë si rërë shkretie, herë si absurditet e herë  e sunduar nga një bazë logjike e ndonjë politike  kalimtare. Një mori pyetjesh ngërthejnë gjithë substancën e librit, ndërsa shkrimtari gërmon në histori. Marrëdhëniet tona me fqinjët, me osmanët, dilemat tona shekullore, me kë kundërkujt, kundërkuj po pse me këtë, ishin pyetje që historia i kishte nëpër labirinthet e saj dhe shqiptarët nuk e kishin  formësimin e duhur, dritën e duhur për të qënë koherentë. Një botë e tërë vjen në faqet e këtij libri e shtirë në kohë, një kohë e mbarsur me skena e prapaskena, një labirinth që kërkon ndihmë te Ariana e mitologjisë, me trazimet marramendëse e ashtu me mendje të terratisur ne prekëm shekullin e ri. Me turkun, me grekun, apo  me sërbët, me italianët a me austrohungarezët, me Stalinin a me Hitlerin, më pas me rusët a me jugosllavët, me Perëndimin a me Kinën, me Korenë a me Amerikën, Gjarpërinjtë e pyetjeve  si gjarpërinjtë e Laokontit. Udhëkryq historie, intrigash, lojrash, Shqipëria shesh lufte e ne të kalamenduar nuk kishim as prirjen e as prerjen e orientiemit në këtë udhëkryq, në këtë mjegullnajë edhe pse Zoti na kishte të zgjedhurit e tij. Kjo është lënda përmbajtësore e librit duke shtuar  në këtë  kakofoni zërash edhe shitjet e blerjet tona në histori.

Te porta e parajsës Skënderbeu pyeti djallin:  -“Si janë pra shqyptarët e Shqypnija”?

Djalli iu përgjigj:- “Si i don armiku”!

Kjo është lënda të cilën shkrimtarit e vendos dhe e zhvendos në të gjitha kohët e Shqipërisë. Ka qënë një kambanë e përhershme alarmi mes shqiptarëve, edhe pse Fishta kurrsesi nuk ka dashur t’i ligështojë shqiptarët. Se vërtet Zoti nuk e kishte braktisur Shqipërinë, por Shqipërinë nuk e kishte braktisur edhe djalli! Faktet historike që vijnë kohë pas kohe, epokë pas epoke e kanë ndjekur kombin tonë si një mallkim e kanë qënë edhe formues, diktuese të një çasti historik, ku njeriu vjen me shtresëzime kohrash, me ngarkesa ekzistenciale, me hijen e dritën e që zhbirillimi i tyre  është edhe substanca e librit në fjalë. Historia jonë është e trishtë. Kemi patur aq shumë shtigje sa shumë herë kemi qënë aq të çarmatosur edhe e kemi lëshuar veten në krahët e fatalizmit: “Të bëhet çfarë të bëhet”! Nuk u sëmurëm gjatë rrugës, por sikur ashtu të sëmurë kemi ardhur në histori Në këtë truall sikur luftrat, intrigat e fqinjëve na shtuan së tepërmi ndotjen morale e që shpesh na duket sikur kjo ndotje ka lindur bashkë me ne. Pushtimi i gjatë otoman dhe skaji i perandorisë, me fqinjë që erreshin dhe gdhiheshin mbi harta grabitjeje mbi tavolinat e politikave te tyre e në këtë terren aq të rrëshqitshëm, mbrojtja e kombit nga  theqafja ishte qëllimi kryesor i njerëzve tanë patriotë, që përballë kishin  ata që ishin bërë  pjesë e pazareve me armiqtë tanë.  Dhe Kadareja ka zbritur në arkiv. Një arkiv i ftohtë siç janë arkivët dhe shumëkush lart është në ankth nga  ato që arkivi ruan kujtesës së vet. Shkrimtari ndalet gjatë te sundimi otoman. Aty ai sheh gjithë trajektoren e historisë sonë. Se osmanët lejuan gjithfarë shkollash këtu, vetëm shkronjat shqipe jo. Për ne dëshironin alfabetin e tymit të zi. I gjatë ky sundim, i ashpër, preku truallin tonë, qënien tonë, kontuinitetin tonë gjenetik. Flake kryqin kristian, atë kryq që në Iliri erdhi 100 vjet më parë se në Greqinë fqinje. Flake kryqin të marrësh grada, ofiqe, prona. Flake edhe gjuhën, ju jeni tani pjesë e perandorisë së madhe dhe  nën sqetullën time nuk u prek dot as sërbi e as greku, por ju merrni gjysëmhënën. Ndërgjegjja jonë u trazua keqas, ajo u godit në gjenezën e saj, mori të krisur. Dhe këtu shkrimtari i kategorizon shqiptarët në tri kategori. të parët që nuk pranuan të shesin, të blejnë, të këmbejnë asgjë; grupi i dytë ata që  dhanë fenë, por ruajtën kombësinë dhe  grupi i tretë ata që flakën gjithçka të tyre për grada e tituj. E kështu ky komb, më i vogli i Ballkanit, ruajti në shtrirjen e vet të tri fetë e trifetarizmi që ai manifestoi, do të ishte e vetmja stoli e epërme e saj. A ishte ky kumt i “mjaftueshëm për të  shlyer prapësitë”? Këtë pyetje ngre autori e cila ndihet deri në fund të librit. Përmasat e librit zgjerohen dikur me një pyetje me të cilën ne shqiptarët e kemi patur refren që agun e shekullit të kaluar. A do të na pranojë Evropa? Ajo shqiponja me atë shenjën e robërimit osman në këmbë, ka mbetur si një damkë e robërisë, si një shenjë e pranimit të gjysëmhënës. Dhe ne po rrekemi të hapim atë portë. Dhe mirëkuptimi mes nesh, pranueshmëria e tjetrit edhe pse është ndryshe, shfaqet dukshëm si një fenomen pak i mirëpritur për ndërgjegjen tonë kombëtare e kjo sindromë po na ndjek në të gjitha këto vite të gjata tranzicioni. Se te identiteti duhet shënja treguese e një kombi e me këtë identitet ne po trokasim dyerve të Evropës duke i dhënë vetes e të tjerëve sinjale të forta shprese

Fajësojmë veten deri sa e mallkojmë atë, harrojmë antishqiptarizmin tonë e pastaj i kthehemi Evropës, ftohtësisë së saj dhe prapaskenave që ajo ka thurrur kundër Shqipërisë së gjorë, konferencave të saj që për ironi të tyre, i quante edhe “konferenca e paqes”.

Hap pas hapi, faqe pas faqeje ne shohim ecurinë historike të kombit tonë edhe pse koha solli të tjera ngjarje të cilat dëshmuan se trualli ynë do të lëngonte gjatë nën trysninë e mohuesve e rimohuesve të historisë të cilët shfaqen herë -herë në këtë cep të Ilirisë së Poshtme. Tema që hapen, mbyllen e përsëri hapen. Lufta çlirimtare ka një pjesë të rëndësishme te faqet e librit. Një periudhë që për nga qëllimi ishte një periudhë e ndritur e historisë, sepse shqiptarët u rreshtuan në aleancën më të madhe botërore në luftë kundër fashizmit pushtues. Por konfliktet edhe në këtë periudhë  ishin të mëdha, konflikte që rrënuan edhe idealet e shoqërisë shqiptare, idealet e partizanëve të thjeshtë që i përjetonin aq keq prapaskenat dhe konfliktet deri në vrasje. Dhe në fokusin e tij Kadareja bje një faqe nga historia e një njësiti partizan në malësitë e Vlorës ku nje vajzë qytetare, e shkolluar, bëhet viktimë e një lufte që kishte lindur diku në prapaskenë dhe ajo u ndodh përpara grykës së pushkëve të dy shoqeve të saj që nuk e shenjonin dot nga  ankthi, dëshpërimi, keqardhje, apo edhe si protestë e heshtur ndaj një padrejtësie. “Të vrasësh një njeri nuk do të thotë të mbrosh një doktrinë, por thjesht të vrasësh një njeri”! E kështu komunistët shpallën verdiktin e epokës së tyre, dëshmuan se Abelë dhe Kainë do të ketë shumë kësaj ane të Ilirë së Poshtme. Dhe komunizmi erdhi. Vetë Kadareja diku ka thënë “shqiptarët hynë në diktaturë si në festë”. Dhe te libri “Mosmarrëveshja” ky deduksion shfaqet turbullues, sikur rrënjët t’i kishte te urrejtja që ne kemi mbjellë për njeri-tjetrin dhe për 45 vjet ushqyem urrejtjen, mbajmë gjallë në nëvetëdijë  muzgun e mykur të mesjetës. Sa shqiptarë u vranë e u burgosën në dimrin e sistemit tonë monist? Lista është e gjatë dhe trullosëse. Paranoja e pushtetarëve i ngarkon ata me pandehma dhe rreziqe imagjinare, të cilat u kërcënojnë pushtetin dhe diktaturat jetojnë vetëm mbi themele dhune Pushteti të jep edhe mjetet e duhura për ta mbrojtur e përjetësuar atë. Demonët e së keqes gëlojnë ende në Ballkan. Kadare rreshton raste pafund. Sikur fqinjët tanë janë të sunduar nga demonët e përjetshëm të një urrejtje gjenetike  që edhe kohërat e reja nuk po i çlirojnë dot. Askush nuk i ka harruar thirrjet në korr antishqiptare të disa strukturave ushtarake të Greqisë fqinje që  ulurinin se zorrët tona do t’i përdornin për lidhëse këpuce! O Zot! Deri ku mund të shkojë çmenduria njerëzore! Ditë më parë edhe në Maqedoninë e Veriut u hodhën parrulla që zienin nga urrejtja ndaj nesh, ndërkohë që Shqipëria ka qënë historikisht faktor paqeje e stabiliteti ne rajon. Ne historikisht kemi dëshmuar kumte paqeje, mirësie dhe mirëkuptimi në fqinjësi. Kjo sjellje arkaike që fqinjët tanë e nxjerrin shpesh nga muzgu mesjetar, është një shfaqje antishqiptare që më të dy buçitë i fryjnë përçarjes, nxitjes së konflikteve etnike dhe asgjë nuk po duket në kohët e reja se mund të sjellë një erë ndryshimi. Këtë qasje shkrimtari ynë e quan “kreshpërim racist”. “Urrejtja e verbër ushqehet me gjithfarë  gjërash të vogla”, vëren Balzaku. Me sa duket ajo shprehja se “Ballkani prodhon intrigë më shumë se sa konsumon” i shkon përshtat gadishullit tonë.

Dhe në skutat e vetëdijes njerëzore ende flenë instiktet e një botë të errët që i fryjnë luftës, ndërkohë që duhet t’i gëzohemi paqes së arritur. Bota që duket sikur ndihet e dehur nga paqja,  armatoset me ankthin e luftës mbi krye.

“Treni i botës udhëhiqet nga vdekja”, thotë Bodler.