Albspirit

Media/News/Publishing

Sejmen Gjokoli: PËR NOLIN FOLËM…

Me Julika Priftin, të bijën e shkrimtarit të njohur Naum Prifti duke folur për një këngë labe për Nolin.

Fjalët i ka bërë i ati i Julikës së bashku me Tonin Milotin gati katër dekada e ca më parë.

Vite të shkuara, në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së Nolit në vitin 1982, së bashku me Tonin Milotin, Naumit iu besua detyra të shkruanin një libret për një shfaqje të cilën e titulluan “Me kamzhikun e satirës” dhe u shfaq vetëm një herë në kryeqytet.

Atë kohë bënë edhe tekstin për ta kënduar me një grup polifonik prej Labërie, por që nuk mundën ta konkretizojnë.

Dhe prej at’here shkrimtarit i kishte mbetur merak që nuk mundën ta këndonin një këngë labe nisur nga amaneti që F. S. Noli do të linte përpara ndarjes nga jeta.

Është i njohur amaneti i tij i famshëm se shpërblimi i mjaftueshëm për punën e tij do të ishte një këngë e kënduar nga labërit e labëreshat.

Dhe pikërisht për këtë shumë vite më vonë, tani edhe vetë në Amerikë, e hante meraku që s’iu bë e mbarë të realizonte sa ishte në jetë.

Dhe vërtet kjo ide e dëshirë i mbeti si ëndërr mbasi dy vite më parë u nda edhe vetë nga jeta. Julika më thotë se të atit i mbeti peng që nuk arriti ta dëgjojë të kënduar nga një grup Labërie.

Tani Julika duket se ka mbi “shpinë” dy amanete; edhe për atë që u shkrua, Nolin, por edhe për atë që e shkroi në bashkëautorësi, babain e saj.

Folk Grup “Bilbili” me shumë dëshirë, së afërmi, do të dijë t’i plotësojë amanetet…

Se është amanet për Nolin e madh por edhe për shkrimtarin e shquar me krijimtarinë e të cilit kemi kaluar fëmininë e rininë…