Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Bardhosh Gaçe: Poetja që përkund ëndrrat e lirisë

Duhet të ketë qenë tetori i vitit 1987 kur në kafenenë e Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë, më ra në dorë poezia “Liri” e poetes së re Katjushka Pogaçi. E kisha parë disa herë nëpër shkallët e Lidhjes dhe nuk e di pse më dukej, si një fllad i lehtë, që ecte në pyllin e poetëve, pa bërë zhurmë në murmurimat e saj, si krojet në pllajat e Labërisë.

Duke lexuar poezinë “Liria” atë çast solla ndërmend edhe babain e poetes, një nga antifashistët e shquar të Luftës së Dytë Botërore, të cilin e kisha dëgjuar disa kohë më parë, tek fliste me një shpirt të zjarrtë për betejat dhe shokët e rënë për Lirinë e Atdheut.

Tema e lirisë gjithnjë ka nxitur artistë-piktorë (Delakrua), poetë (Pol Elyar dhe Mjeda). Kjo temë është kënduar me hov e zjarr të shpirtit, herë liria si sakrificë, herë liria si çlirim kombëtar e herë si çlirim social prej padrejtësive apo si nevojë filozofike për rritjen dhe orientimin e qenies (Migjeni).

Katjusha Pogaçi është një zë femëror në poezi, që dallohet për origjinalitet dhe begati të mendimit dhe të imazhit, për një qasje vetjake interesante ndaj objektit poetik, për një un liriko-filozofik të kultivuar, dhe kjo vihet re në të gjithë krijimtarinë e saj poetike, por edhe në poezi të veçanta, siç është poezia, të cilën po marrim në shqyrtim: “Liri”.

Vetë titulli “Liri” dhe jo Liria-shpreh një kuptim domethënës për mënyrën se si i drejtohet lirisë, një mënyrë e drejtpërdrejtë, intime e afërt, që krijon një raport të ngrohtë dhe jo të largët. Ta krijon ndjesinë për diçka që e ke dhe ke frikë se e humb, për diçka që ti e ke dhe ajo është aq e shtrenjtë dhe burimdhënëse, sa ke dëshirë t’i drejtohesh disa herë, sepse liria është si ajri, si buka, si drita, ajo ngërthen dhe shpalos në vetvete një tërësi elementësh që përbëjnë brumin me të cilin gatuhet jeta dhe ajo merr kuptim: “Liri, more formën e një flamuri të kuq me shqiponjë/E na përfshive qiellin,/More formën e kurmit të bardhë të lumturisë/E të vumë në dorë zemrën…

Mënyra se si e nis konceptimin e poezisë poetja Katjusha Pogaçi është interesante. Nuk mund të ketë asnjë liri tjetër nëse nuk ekziston liria kombëtare. Këtë mesazh thelbësor dhe përcjellës e ka dhënë aq bukur De Rada në kryeveprën e tij “Milosao”. Ky konceptim nuk është një thirrje patetike, por një realitet i provuar që nuk kërkon asnjë diskutim të përkundërt. E nga kjo provë e historisë, vjen edhe përkushtimi për ta mbrojtur, sepse liria kombëtare e popujve gjithmonë është kërcënuar dhe sa herë ka ndodhur kjo, popujt janë ndërgjegjësuar për ta mbrojtur, prandaj poetja shprehet poetikisht: “Të kërcënoi dikush me kokë në gijotinë/E ne gjakun derdhëm…”.

Poetja shpreh idenë se liria e fituar me gjak ka tjetër shije, ndryshe nga liria e “falur”, e cila kjo e fundit, shprehet aq bukur në vargjet e Migjenit: “Liri edhe gaforrja gëzon/Po gaforre asht”. Poetesha i kombinon vargjet sintetikë të fillimit të poezisë me vargjet e tjera rrëfyese e përshkruese dhe shpjeguese. Kjo bëhet në mënyrë të tillë që ky kombinim i teknikës së formës shkrimore dhe të llojit të saj, të çojë te plotësimi sa më i gjerë i kuadratimit të imazhit të lirisë: “E ne gjokset zhveshëm/Dhe ty të futëm në gjak...”.

Vihet re se si ndërrohet edhe veta ligjërimore nga veta e dytë me tipar përgjithësues në vetën e parë shumës. Ky ndërrim i vetës ligjërimore i jep më tepër gjerësi imazhit të lirisë, lejon më tepër mundësi për të shpalosur mendimin dhe për ta përmbushur atë deri në thënien e gjithçkaje që synon ideja fillestare. Poetja më poshtë thekson se liria gjendet kudo, në ajër, në natyrë: “Dhe qoftë midis dy shkrepash/Ose në dy gurë,/Dhe midis dy malesh me dialog të ylbertë”…

Përfshirja e natyrës në konceptimin e fuqisë së lirisë, bëhet mbi bazën e gjendjes njerëzore, duke kujtuar kështu vargjet e Naimit: “Atje dielli është tjetër diell/Dhe dita tjetër ditë…”. Kudo në botë natyra është njësoj me male, fusha, pemë, por ajo nuk është njësoj përsa i përket shpirtit njerëzor ose njeriut që ka bashkëjetuar për një kohë të gjatë me të dhe ka lindur në një vend të caktuar. As nuk është njësoj në përjetimin e saj në liri apo në robëri, prandaj jo më kot këto dy vargje të poetes i afrojnë kaq bukur dhe thjesht këto ndjesi…

Dashuria për lirinë vjen me rritjen ose zvogëlimin e qenies, duke i dhënë lirisë edhe karakter ontologjik: “Gjoksin njerëzor ti e bën të pafund/E bën t’i pushtojë horizontet”.. Metonimia e gjoksit dhe hiperbola e pushtimit të horizonteve shkojnë bashkë në këtë mendim, duke kuptuar se gjithçka është e mundshme me lirinë, me guximin për ta kuptuar e dashur atë. Popujt që e kanë pasur atë apo individët kanë arritur përparim, qytetërim, e kundërta popujve që u është marrë apo dhunuar liria, përparimi dhe qytetërimi u ka trokitur me vonesë e në mënyrë kaotike. Forca përtëritëse e lirisë është e tillë që: “Ti e bën burrin e moçëm të ndihet fëmijë/E fëmijën e bën zog e dritë, e erë”…

Kjo forcë përtëritëse ka të bëjë me hapësirën e lirisë, me magjinë e saj të thjeshtë, të kuptueshme që poetesha e shpreh përmes këtyre vargjeve të spikatura me vlerë domethënëse. Forca shprehëse e vargjeve të Katjusha Pogaçes ka të bëjë me mençurinë e gjetjes dhe shprehjes së mendimit, me deduksionet e arrira, për të përfunduar se liria është njohje e saj dhe ndërgjegjësimi për të, prandaj vargu përmbyllës është: Nga krahët e tu Liri,/“…s’ka errësirë a forcë që më merr…”. Sa më shumë ta njohësh një gjë të çmuar, aq më shumë e do atë, dhe në këtë botë nuk ka gjë më të çmuar se liria, e cila sipas mesazhit të saj nuk duhet kërkuar kur nuk është, por, edhe kur është, duhet njohur, kërkuar e çmuar vlera e saj.

Poezia “Liri” botuar në revistën “Nëntori” (1987) e ruan mesazhin e gjithkohshëm dhe, sa ç’troket ky mesazh në një periudhë të caktuar, aq troket dhe aktualizohet në çdo kohë. Ajo është shkruar në trajtën e një ligjërimi të lirë, përshtat të cilit vjen si materie artistike edhe vargu me gjatësi të ndryshme rrokjesh pa rimë- me figuracion të pasur dhe me një konceptim domethënës, ku idetë e organizuara vijnë në rendin e tyre racional dhe krijojnë një kreshendo ideore dhe ndiesore me përjetime të fuqishme.