Vdekja: vlerësime dhe përbaltje
Çapajev Gjokutaj
1.
Edhe në reagimet për vdekjen e parakohëshme të Artur Zhejit, krahas nderimit e vlerësimeve, nuk munguan prirjet për ta përbaltur e përgojuar, prirje që gjëllojnë sidomos në komentet e anonimëve përfund artikujsh e postimesh të mediave online.
Pyeta COPILOT si shpjegohet kjo prirje thuajse perverse: i ndjeri akoma nuk është varrosur, zakoni e do që të nderohet të paktën me heshtje, kurse lukunia e anonimëve nisin ta përgojojnë, ta përbaltin e të vjellin vrer?
Më poshtë po iu përcjell përgjigjen e COPILOT si dëshmi se makina jo vetëm po barabitet me njeriun në përcjellje informacini e ndërtim analize, por edhe po lë prapa një pjesë prej nesh, qoftë në etikë, qoftë në konstruktivitet.
2.
Përbaltja dhe përgojimi, sidomos ndaj figurave publike, janë shenja jo vetëm të mungesës së etikës, por edhe të një klime kulturore të infektuar, ku debati zëvendësohet nga sulmi dhe reflektimi nga mllefi. Le t’i shtjellojmë faktorët kryesorë që e ushqejnë këtë qasje:
a. Anonimiteti dhe liria pa përgjegjësi në rrjetet sociale
- Platforma si Facebook, Instagram apo TikTok lejojnë komente nga profile anonime, ku individët ndihen të lirë të shprehin mllef, xhelozi apo urrejtje pa ndonjë pasojë reale.
- Kjo krijon një kulturë të përçmimit, kulturë në të cilën përbaltja bëhet më lehtë se argumentimi.
b. Varfëria e mendimit kritik - Në mungesë të analizës së thelluar, që do të ushqente dhe orientonte ligjërimin mediatik, jo pak persona zgjedhin të gjykojnë figurat publike përmes thashethemeve, stereotipeve apo paragjykimeve.
- Nuk ka kulturë të leximit të plotë të një ideje — por vetëm reagim ndaj një fjale, një titulli, një fotoje.
c. Polarizimi politik dhe tribalizmi mediatik - Figura si Artur Zheji, që kanë pasur qëndrime të ndryshme në kohë, shpesh shihen si “tradhtarë” nga një palë dhe “heronj” nga tjetra.
- Në vend të një vlerësimi të balancuar, ndodh një gjykim tribal bazuar në moton “me ne ose kundër nesh”.
ç. Kultura e mosmirënjohjes - Në Shqipëri, shpesh nuk dimë të vlerësojmë kontributin, sidomos kur ai sjell risi.
- Figura që kanë mendim vetiak dhe nuk radhiten në llogoret partiake shpesh përballen me përbaltje nga të dy anët.
d. Zëvendësimi i debatit me përçmimin - Në vend që të diskutojmë idetë e një personi, shpesh kalojmë në sulme personale: për jetën private, për pamjen, për biografinë e paraardhësit.
- Kjo është shenjë e një shoqërie që ka mangësi në etikën e debatit, etikë ku kritika është pjesë e respektit, jo e urrejtjes.
e. Mungesa e institucioneve që mbrojnë kujtesën - Kur nuk ka arkiva, antologji, dokumentarë, figurat publike mbeten të pambrojtura përballë deformimit.
- Përbaltja dhe stereotipet lulëzojnë kur nuk ka fakte të ruajtura, kur kujtesa është e paorganizuar.
Si mund të ndërhyjmë? - Edukimi mediatik: të mësojmë si të lexojmë, si të analizojmë, si të debatojmë.
- Krijimi i platformave të kujtesës: ku figura publike ruhen me dinjitet, me kritikë të ndershme, me trashëgimi të dokumentuar.
- Promovimi i etikës së debatit: ku kundërshtimi nuk është përçmim, por pjesë e një dialogu të shëndetshëm
3.
Këto thoshte Copilot duke dhenë në pak sekonda strukturën e një analize që, gjynah mos paça, po më ngjan të jetë mbi të mesmen e analizave që bëhen në mediat tona. Natyrisht edhe teksti në fjalë ka dobësitë dhe mangësitë e veta, po s’është vendi këtu të merremi.
Duke e lexuar më tërhoqi vemendjen edhe diçka tjetër. Jo pak nga termat që ka përdorur Copilot i kam hasur këto ditë në disa nga shkrimet kritike për mënyrën sesi i përcjellim personalitet publike kur vdesin.
Ekzistojnë dy mundësi ose Copilot i ka marrë nga këto shkrime ( një nga të mirat e këtij chatbot-i është se ndryshe nga ChatGPT përditësohet thuajse në kohë reale), ose autorët e shkrimeve i kanë marrë nga Copilot, me një fjalë para se të uleshin për të shkruar janë konsultuar me të, kanë kërkuar ndihmën e tij.
Të dyja hamendjet janë të mundshme, por unë do të dëshiroja që të ishte e vërtetë e dyta, dmth që publicistët të kenë marrë nga Copilot. E di që ndokush do hidhet përpjetë e do thotë: po kjo është plagjiaturë a, thenë më shqip, vjedhje safí.
Në fakt, në fazën që janë AI chatbot-et, mund të përdoren efektivisht për të bërë punën paraprake para shkrimit të një analize, artikulli, eseje etj. Dhe ti mund ta përdorësh si çdo punë tjetër paraprake, mjafton të mos e kopjosh a, larg qoftë ta marrësh fjalë për fjalë, pa e deklaruar këtë veprim.
Dëshira që njerëzit e publicistikës dhe më gjerë intelektualët tanë të konsultohen sa më shpesh me njerin apo tjetrin AI chatbot, ka dhe një burim tjetër, shumë më të rëndësishëm. Shërbimi i tyre në shqip është ku e ku larg me shërbimin në gjuhët e mëdha të vendeve të zhvilluara. Kjo për një varg arsyesh.
AI chatbot-et nuk dinë gjë prej gjëje, as për Shqipërinë e as për Amerikën, të gjitha i mësojnë duke ‘bluar’ sa më shumë burime online. Shqipja këto i ka fare të pakta. Sidomos burimet akademike mungojnë thuajse tërësisht se i kemi në letër po fare pak në rrjet. Për të mos thenë se informacioni shqip që qarkullon në rrjet ka shumë, tej mase shumë byk dhe pak, fare pak drith.
Që të bindesh për këtë mjafton t’i hedhësh një sy Wikipedias Shqip, ku krahas punës serioze të një numëri vullnetarësh të zellshëm, nuk mungojnë, madje janë të shumta mediokritetet, partizanllëqet madje edhe rrugaçëria. Kemi shumë, tej mase shumë rrugaçëri në rrugë, po ka të ngjarë që rrugaçëria në rrjet e ka kaluar e lenë pas atë të rrugës.
Arsye tjetër për prapambetjen e AI chatbot-eve në trajtimin e subjekteve shqiptare, është se si rregull këta mësojnë të udhëhequr nga trainierë. Ta do mendja se për shqipen trainierë të tillë janë fare të paktë se jemi treg i vogël dhe fare i papërfillshëm. Faktor tjetër që ndikon jo pak: chat ka shumë vështirësi me nxënien e shqipes për vetë natyrën që ka gramatika jonë. Ka dhe të tjerë faktorë të këtij lloji që vështirësojnë përpunimin e subjekteve shqiptare.
Natyrisht të gjitha këto mangësi kërkojnë qasje institucionale për t’i zbutur e kapërcyer, po deri atëhere individët mund të bëjnë jo pak. Sa më shumë të aktivizohen AI chatbot-et në shqip, aq më mirë do e mësojnë shqipen e aq më lehtë e me më pak lajthitje do i trajtojnë subjektet shqiptare.