Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Gratë pogradecare – shpirti i bazave të Luftës Nacionalçlirimtare

Flamuri i Pavarësisë në Pogradec – një histori e humbur

Nuk dihet ende se ku ndodhet sot Flamuri i Pavarësisë në Pogradec. Menjëherë pas ngritjes së flamurit nga Ismail Qemali në Vlorë, patriotët pogradecarë, mes tyre Gjokë Kondakçiu e Muamer Minarolli, ngritën flamurin në qytetin e tyre. Gjoka e mbajti dhe e ruajti me përkushtim deri në vitin 1940, kur u nda nga jeta. Pas tij, bashkëshortja, Frosa Atstefan Kondakçiu, e ruajti si amanetin më të shtrenjtë, deri në çlirimin e atdheut.

Frosa Kondakçiu nuk ishte vetëm një ruajtëse e flamurit, por edhe një aktiviste e dalluar e gruas antifashiste. Ajo bashkëpunoi ngushtë me shumë gra të tjera të qytetit, të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në veprimtarinë e Organizatës së Gruas Antifashiste në Pogradec. Midis tyre shquheshin: Athina Gjokë Vako, nëna e dëshmorit Minash Gjoka; Lisaveta Prifti, motra e luftëtarit Nuçi Tira; Vika Llakmani, motra e partizanit të kulturuar Piro Vako; Tefta Marko, e shoqja e Naum Markos, të internuar nga fashistët; Parake Vako, nëna e dirigjentit të talentuar Milto Vako; Vangje Ambo, bashkëshortja e partizanit Kopi Ambo; Vangjë Stefan Poçari, motra e vëllezërve trima Tushi, Gjokë e Marko Poçari; Erefili Laçka, nëna e dëshmores Tomka Laçka.

Këto gra, bashkë me dhjetëra të tjera, nën drejtimin e Partisë Komuniste dhe të Frontit Nacionalçlirimtar, u bënë shtylla të organizimit antifashist. Ato morën pjesë në protesta dhe demonstrata, si ajo e vitit 1942 kur mbi 200 gra u paraqitën para komandës së karabinierisë për të kërkuar bukën e gojës për fëmijët, apo ajo e prillit 1943, kur gratë pogradecare dolën në ballë të popullit për lirimin e të burgosurve politikë. Në krye të këtyre protestave valëvitej Flamuri i Pavarësisë, i ruajtur me aq kujdes.

Më vonë, flamuri u ekspozua në zyrat e Organizatës së Gruas në Pogradec dhe pastaj në muzeun e qytetit. Por, me shkatërrimet e vitit 1997, gjurma e tij humbi përgjithmonë.

Gratë – shpirti i bazave të Luftës

Një nga shtyllat e Luftës Nacionalçlirimtare ishte krijimi i prapavijës së fortë, të sigurt dhe të besueshme. Në këtë prapavijë, bazat e luftës kishin një rol vendimtar. Ato nuk ishin vetëm strehë për ilegalët, por qendra të gjalla ku hartoheshin plane, shtypeshin trakte, shpërndaheshin komunikata dhe niseshin aksione guerile.

Në pamje të parë, ishin burrat kryefamiljarë që vendosnin hapjen e këtyre bazave. Por në të vërtetë, asnjë shtëpi nuk mund të kthehej në bazë të luftës pa rolin e grave, të cilat, me guxim dhe vendosmëri, e bënin shtëpinë e tyre strehë të partizanëve dhe vatër të lirisë.

Gratë dhe vajzat e qytetit e të fshatit u kalitën çdo ditë në përballje me rrezikun. Ato ruajtën konspiracionin, mbajtën të hapura dyert e shtëpive ditë e natë, i shërbyen e i strehuan luftëtarët, shumë herë pa i njohur fare. Kur burrat shkuan në male, ishin nënat, motrat e gratë që e mbajtën gjallë frymën e luftës në familje, duke u bërë burra në vend të burrave.

Bazat e para e më të rëndësishme në Pogradec u ngritën në shtëpitë e Qerime Çollakut, Athina Vako, Hajrie Minarolli, Milika Shuke, Vangjë Laçkës, Lisaveta Priftit dhe shumë të tjerave. Ato gra të thjeshta, me zemër të madhe, i kushtuan gjithçka luftës dhe u bënë mbrojtëse të palodhur të ilegalëve dhe partizanëve.

Gra dhe vajza – dëshmore dhe luftëtare pogradecare

Heroizmi i grave dhe vajzave pogradecare nuk u shfaq vetëm në prapavijë, por edhe në vijën e parë të frontit. Pesë prej tyre ranë në fushën e nderit: Pulherie Petraq Kole, e cila e ktheu shtëpinë e saj në bazë ilegale të rëndësishme në qytet. Meriko Selmanllari, që veproi me vendosmëri në Gorë, bashkë me të bijën, Shqipërinë. Medije Braçe, delegate në Kongresin e Gruas Antifashiste në Berat, në nëntor 1944. Liri Andon Çomo, që shërbeu si infermiere dhe nënë e motër për partizanët e batalionit të Mokrës. Tomkë Laçka, vajza e vogël e Mokrës, e njohur për buzëqeshjen e ëmbël dhe fjalët që frymëzonin shoqet e saj, e cila luftoi me guxim në Brigadën XV Sulmuese.

Krahas tyre, mbeten të paharruara edhe shumë gra e nëna si Fiqirie Kolaneci, Nënë Pashako, Fike Grybeci, që u shquan për trimëri, vendosmëri dhe sakrifica të jashtëzakonshme.

Trashëgimia e gruas shqiptare

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare solli një risi të madhe: pjesëmarrjen e gjerë të grave shqiptare në luftë, në prapavijë dhe në vijën e parë. Rreth 6.000 gra e vajza u rreshtuan në Ushtrinë Nacionalçlirimtare, duke thyer zakonet e vjetra, paragjykimet dhe pengesat shekullore.

Gratë pogradecare ishin një shembull i gjallë i këtij atdhetarizmi të ri. Ato u bënë shpirti i bazave të Luftës, simbol i qëndresës dhe i sakrificës, duke lënë një trashëgimi të ndritur për brezat që erdhën pas.