Albspirit

Media/News/Publishing

Sot ditëlindja e mikut tim të paharruar, Shaban Murati


Sot, 2 shtator Shaban Murati do të bënte 80 vjeç. Ndryshe nga bashkëstudentët e mi, nuk pata fatin të ndiqja leksionet e tij në Fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe, në vitet tetëdhjetë, por gjithmonë e ndiqja si një model, në analizat ndërkombëtare për çështje të rajonit, të Europës dhe më gjerë.

Por kishim bashkë edhe një mik të përbashkët, një shkrimtar të përbotshëm, Ismail Kadarenë, që ne e vlerësonim shumë, por gjithashtu ndiheshim në “qiellin e shtatë” kur rrinim shpesh me të, në shtëpi, në shëtitje, në dreka të përbashkëta ku flisnim lirisht dhe pa kurrfarë droje.

Kadare në jetën e vet ka pasur dy ankthe: botimin e çdo krijimi, poezi, poemë, tregim, novelë apo roman, pavarësisht se mund të ndalohej disa ditë më pas dhe shpifjen që i vinte nga gjithkah. Një libër i tërë kundër tij nga një themelues i Sigurimit të Shtetit dhe vrasës vetëthërmohej kur pranonte se nuk ishte as shqiptar, as shkrimtar por turk; një tjetër, i dënuar nga regjimi jugosllav dhe ai që vetëshpallej jo më nga shqiptarët e Malit të Zi po nga sllavët, një ish i burgosur me 7 vjet burg, por që e ka përdorur më shumë se Sami Dangëllia apo Petrit Velaj në portalin ‘Pezhishkat e fjalës’, një tekstor këngësh që dilte ekran më ekran dhe jepte pa droje të gjitha thashethemnajat anti-Kadare dhe kështu me radhë gjithë skota e mediokërve, që janë të pranishëm në çdo sistem politik, nga antikiteti e deri në ditët e sotme.

Pikërisht kjo gjë më shqetësonte dhe me disa syresh kam replikuar herë pas here për të thënë çfarë dija unë për një miqësi dhe të vërtetat mbi disa dekada, por në këtë trandjen time më vinte në ndihmë Shaban Murati që quante të mjerë korin e krijuesve të diktaturës, por edhe të viteve të demokracisë që e kërkojnë lavdinë prej pushtetit dhe jo prej talentit e që sulmojnë pa kurrfarë skrupuj një shkrimtar planetar.
I ndrit shpirti Shaban Muratit!