Artan Xh. Duka: Gjobalizmi!
Qasja Trump “E para Amerika” e globalizmi nuk para shkojnë bashkë e nëse lajm i mirë apo i keq për bashkësinë ndërkombëtare, këtë koha do e tregojë. Proteksionizmi Trump mbase pështjellon gjërat dhe po e bën botën çorap por edhe globalizmi, ashtu siç e njohim atë, kishte marrë kot.
Bota ka nevojë për hapje e bashkëpunim real, globalizim me të fituar të gjithë dhe jo “gjobalizim” që privon e varfëron njerëzit e “gjobit” Tokën vetë dhe proteksionizmi Trump, aq sa ngërç është edhe shtytje për të ndryshuar ato që jo vetëm nuk shkonin në marrëdhëniet ndërkombëtare por edhe yshtën proteksionizmin, nacionalizmin arkaik, ekstremizmim ideologjik, racizmin etj.
Mbijetesa e njerëzimit e Tokës bashkë, kalon vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Një çati na mbulon të gjithë e një njollë jemi në hapësirën e pamatë ndaj edhe rikthimi i Trump, sesa numërim mbrapsht për agoninë e globalizmit, është shkundje për rifillim.
Bishtat e globalizimit!
Globalizmi duhet të mundësojë që të gjithë në Tokë të ndjehen më mirë. Fakti që ai sot lakohet si fjalë e “pistë” dhe proteksionizmi e nacionalizmi me retorikat e tyre për rritjen e punësimit e mirëqënies vëndase janë në revan, tregon se globalizmi nuk është ai që shitej. Rikthimi i parimit të “mbështetjes në forcat e veta” me prodhimin e punësimin vëndas si përparësi po fiton hapësirë në mendimin e veprimin politik e publik ndonse në afatgjatë ai mund të cënojë interesat e vetë konsumatorit e prodhuesve e vetë bashkëpunimin ndërkombëtar.
Sa kohë ka ndarje të punës në planet diktuar edhe nga faktorë objektivë, natyrorë etj, bashkëpunimi mes vëndeve nuk është luks por nevojë. Kjo e bën globalizmin domosdoshmëri dhe çështja nuk është a duhet të vazhdojë por si duhet të vazhdojë.
Në interes të njerëzimit e planetit bashkë, globalizmi duhet të evoluojë që t’ia dalë proteksionizmit populist. Hapja si premisë e tij nuk duhet të rrezikojë apo asimilojë kulturat, vlerat e arritjet lokale, thellojë polarizimin klasor e varfërinë, “gjobisi” Tokën – florën, faunën, klimën, oqeanet etj.
Një frut ekzotik, një veshje e lirë etj, nuk janë mirëqënie por bashkëfajësi nëse diku në Tokë punëtorët marrin kacidhe apo trajtohen si skllevër dhe Toka rëndohet me “gjurmën” e stërmadhe të karbonit nga prodhimi, magazinimi, transporti etj i përditshëm që mban raftin plot në perëndim.
Globalizmi duhet të ndihmojë në çrrënjosjen e varfërisë e jo “legalizimin” e saj, të zbutë ndarjen mes perëndimit të zhvilluar e vëndeve të prapambetura e jo thellojë atë, të paqtojë e afrojë kombet e vëndet në bashkëadministrimin e pasurive të fundme natyrore në Tokë e jo nxisë kundërshti për ndarjen e tyre, të sheshojë “muret” mes vëndeve e jo të shndërrojë ekonomitë në han pa porta me “neokolonializimin” e kompanive, multikoorporatave e shumëkombësheve aq sa edhe vëndasit nuk e kanë idenë për kë punojnë.
Globalizmi duhet të mundësojë ekonomizimin e kullandrisjen e duhur të pasurive të fundme natyrore në Tokë dhe jo t’i shterrojë ato në emër të klisheve, steriotipeve e prirjeve konsumeriste në perëndim nga fiksimi me produktet e luksit, modës, stilet për t’u dukur të jetesës, zhbërja e hapësirave natyrore për nevoja ndërtimi urban, industrial e bujqësor, masakrimi i florës e faunës për interesa biznesi, prirjet marramëndëse për automjete rrugëve, turizëm pafre ku humb vëndasi e natyra (sikurse tek ne), fluturime ajrore mizëri, abuzimi me troje shtëpish, zhbërja e pyjeve, shpërdorimi i ushqimeve me maninë e restoranteve, kuzhinat komplekse, ndotja globale e paketimit etj “bishta” të globalizmit që sot nuk njohin kufi.
Proteksionizmi gjen shesh pa bën përshesh por tok ai e globalizmi pa “frena” janë ekstreme rrënuese për të ardhmen e njerëzimit e planetit dhe kjo bën të domosdoshme rregullimin e barazpeshën mes tyre.
Globalizmi si mbijetesë!
Asnjë vënd nuk bën dot pa të tjerë por ndërkohë edhe tregu ndërkombëtar nuk duhet lënë në rrokullisjen e lirë të tij. Ekonomitë kudo kanë nevojë për barazpeshë mes prodhimit e shërbimeve vëndase dhe atij të importuar për të mundësuar ekonomi shkalle, përdorimin efikas të pasurive të Planetit, fuqinë blerëse, punësimin, ruajtjen e identitetit e vlerave lokale etj. Tarifat nuk duhet të jenë përjashtuese por grishje për garë e zgjedhje konsumatore, mjet për ruajtjen e traditave e trashëgimive lokale etj. Tarifat duhet të diferencojnë mes produkteve të nevojshme për jetesën – ushqime, veshje bazë etj, e atyre “tertipe” me të cilat njeriu bën edhe pa to – pijet alkolike, duhani, moda pafre, shumë pajisje elektronike etj.
Përpara se të hedhë sytë tej, njeriu e shoqëria për hir të vetes e natyrës duhet të plotësojë sa më shumë nevoja me ato rrotull tyre sa kohë kjo ka edhe kuptim ekonomik. Gjithshka fillon me stilin e jetesës me thjeshtësinë si “kod” e harmoninë me mjedisin – të ushqyerit, moda, argëtimi, trafiku, strehimi etj që sot në perëndim ka marrë kot në dëm jo vetëm të shëndetit fizik e mendor të qytetarit por dhe natyrës e burimeve të fundme të Tokës që janë pre e konsumerizmit marramëndës e që falë globalizmit, nuk kursejnë kënd.
Globalizmi duhet të bëjë botën bashkë në emër të Planetit të brishtë dhe jo nëpërkëmbë vlera e fate njerëzore duke dëmtuar edhe vetë Planetin në këtë rrugëtim. Çdo gjë me karar ndryshe po aq sa proteksionizmi historik, edhe globalizmi pa fre nëpërkëmb po njëlloj.
Jemi të gjithë në një “thes” ndaj dhe bashkëpunimi mbetet jetik. Tragjedi si lufta në Ukrainë, Gaza, gjetkë, tensionet historike mes vëndeve etj tregojnë se jemi akoma ende larg sfidës së kohës ndaj edhe çdo përpjekje për të shuar konflikte e tensione, sado pështjelluese në dukje (psh. Trump ndaj luftës në Ukrainë), duhet të mbështetet pa ngurrim.
BE, që ia doli të krijonte “globalizmin” me të fituar të gjithë brënda kufijve të saj, duhet të jetë zëdhënës i globalizmit të duhur planetar duke adresuar më së pari e pa vonesë konfliktet që minojnë premisat për të. Sikurse bëri brënda hapësirës së tij, BE duhet të zbehë rolin e kufijve më tej duke ofruar zgjerim e integrim të shpejtë e pa dallim në kontinent.
Ishte hapja e integrimi që la pas sherrin historik franko-gjerman e mendohet të shpëtojë gadishullin Ilirik nga fantazmat e së shkuarës. E nëse ia vlen për to, ia vlen edhe për luftën në Ukrainë. Një Rusi në BE do të shuante pakthim çdo sherrnajë në kontinent dhe BE, jo vetëm do të ishte shtëpia e të gjithëve por duke patur edhe një “këmbë” në Azi, do të ishte reklama më e arrirë për globalizimin mbarëplanetar që në vetvete do të ishte “vaksina” më e mirë për ruajtjen e paqes e Tokës për brezat që vijnë.