Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Sytë e Nënës Terezë

Në shekullin e kaluar, kishte errësirë të madhe,
por Nëna Tereze nuk u zhyt në të,
që të bëhej një me terrin.
*
Sytë e saj shndritnin.
*
Ajo nuk u moleps nga dora e egër e mjerimit.
Nuk i dëgjoi sirenat e luftërave.
Nuk u tundua nga pema joshëse e pushtetit,
që si në fillimet e kohëve, ndante të mirën prej të keqes.
Nuk eci skajeve të dhimbjeve.
Nuk u përul përpara përmendoreve prej bronzi,
por mblodhi dhimbje njerëzore,
dhe me sytë e saj plot ditë,
u fut si gur këndi në secilën shtëpi dëshpërimi.
Se ajo e dinte se sytë janë pasqyrë e shpirtit,
siç thotë një proverb i vjetër, që i ka mbijetuar shumë kohëve.
*
Mund ta kishte thënë një shpirt i lirë,
që ka përjetuar horizonte drite ose një i robëruar,
me zinxhirë në zemër, që ka parë errësirë pafund.
*
Po çka shihte Nëna Tereze,
kur linte prapa shtëpinë,
gëzimet e rinisë,
korin e jetës
dhe ashtu, e lehtë, si një engjëll
hidhej ujërave të egra të paqartësisë,
aty ku asfiksohej njerëzorja?
*
Çka shihte ajo kur i thoshte nënës lamtumirë
dhe shtathollë e sy ëmbël,
ecte dallgëve të trazuar të jetës, për ta shpëtuar njerëzoren?
*
Çka shihte ajo kur zhytej udhëve të mjerimit
dhe prekte urrejtjen njerëzore me duart e saj të buta.
*
A e dinte ajo se njerëzit kanë frikë ta prekin urrejtjen me duar,
ta troshitin,
si një bukë të prishur
dhe ta heqin prej tryezës së tyre,
që të mos ushqehen me të.
*
Çfarë melodie dëgjonin veshët e saj,
kur binin ulërimat e bombave
dhe ajo e përulur, hynte në kishën madhështore të dashurisë
për t’iu thënë stop armëve.
*
Çka shihte ajo kur ulej në tryezë
me ata që nuk i donte askush?
*
Po njerëzit çka shihnin në sytë e Nënës Terezë?
A shihnin ujëra të ëmbla të jetës.
Një diell për stinën e tyre të dëshpërimit,
zymtësisë,
ilaçin e saj kundër të gjitha të këqijave: dashurinë.
*
Ose ndërgjegjen tyre të lyer me zift të zi.
*
Çfarë shihnin presidentet, kryeministrat, komandantët,
shkencëtarët, të pasurit, bastardët,
në sytë e Nënës Terezë?
*
A e shihnin ndërgjegjen e tyre të balsamosur me urrejtje
dhe pastaj
me petkat e saj blu e të bardha,
donin ta mbulonin turpin e tyre?
*
Po kur i merrte të gërbulurit në përqafim
dhe shfaqej buzëgaz përpara botës së tërbuar pas fasadave,
pushtetit, seksit, parave, dhe ajo,
me ato krijesa të vyshkura, buzëqeshte ëmbël,
si paqja në fillimet e kohës në tokë?
*
Çka shihte ajo në terr, në mjerim, në sëmundje?
Po të vuajturit çka shihnin në sytë e saj?
*
Çka shihja unë, në fundshekullin e kaluar,
në atdheun tim,
kur vërshuan shirat e frikës, dëshpërimit.
A ishim ne në prehrin e Nënës Terezë?
A ushqeshim në tryezën që ajo ka shtruar për ne,
kur këtu, gjithçka ishte lyer me frikë
dhe gjithçka mungonte, pos emrit
dhe petkave të saj të shndritshme asaj errësire të madhe.
*
Tani është verë, shtator. Qielli është blue me re
të bardha drite.
*
Unë shikoj qiellin,
ku shoh hartat e petkave blu e të bardha.
Një blu magjepse, si sy që shfaqin porta drejt gëzimit,
me re të bardha që ecin udhëve të qiellit.
*
Dhe pyes veten:
A mund të priten reshjet e dashurisë tereziana,
në tokën tonë të tharë për ujëra dashurie?
*
Se këtu, vyshkjet më të mëdha të jetës,
janë pasojë e mungesës së dashurisë,
ulërin një zë brenda meje
dhe me sytë e mi shfletoj testamentin e saj,
qytetërim qëndisur me fjalë dhe dashuri,
me drita në secilin kënd errësire
dhe shenja paralajmëruese,
në secilën stinë dëshpërimi.
Dhe pyes veten:
a mund ta shfaqim në qiell tonë,
flamurin e pikturuar me sytë plot dritë të Nënës Tereze,
ata sy që sfidojnë secilën errësirë
dhe të këqyremi në ata sy?
NdueUkaj
Letnicë, 4 shtator 2025