Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Triptik për Havzi Nelën!

Kukës, më 12 Nëntor 2012, ceremoni përkujtimore për Havzi Nelën. Në fjalën time thashë:

  1. SHENJTI TE BALTA, TE GURIT E MALI

Kjo përkjutesë për poetin Havzi Nela është mallëngjyese, njëkohësisht është edhe shprehje e detyrimit fisnikrues që ka çdo rreth për të përkujtuar bijtë e tij më të mirë, bij, të cilët kanë sjellë shpresë dhe dritë, kur mbi të gjithë ishte vënë pllaka e errësirës.

Një ndër nga këta shpirtra fisnikë është dhe do të mbetet përjetësisht poeti martir Havzi Nela.

Janë thënë shumë gjëra te vyera per Havziun. Dhe libra janë shkruar e do të shkruhen për Havzi Nelën. Krijimtaria e tij duhet botuar e studjuar.

Ka diçka prej shenjti ai njeri. Shenjtëri prej një shenjti këtu në tokë, shenjt atje te fshati, atje te balta, te mali, te arat e bukës; një shenjt që del pikërisht nga këto brazda dheu, nga drurt dhe nga shkëmbi del.

Ky zë i fortë i thoshte atij sistemi: “Ti je një sistem hipokrit. Ju që na sundoni jeni gjarpërinj. Ju po na kërkoni që dhe ne të bëhemi të tillë: hipokritë. Ju po na dhunoni dhe kërkoni që t’iu themi sa mirë po nai bëni. Ju jeni gjarprinj”!

Këto fjalë që sapo thashë, janë fjalë që thuhen në Dhiatën e Re… në përballjen e Jezu Krishtit me Farisenjtë.

Me fjalën e tij Hazi Nela është përballur hapur me “gjarpërinjtë”.

Publikisht ai ngrihet dhe u kundërvihet porosive të të dërguarve të sistemit, të Partisë. Kjo kërkonte guxim përtej të zakonshmes. Duhet të bëje llogari kokën nëse shqiptoje fjalë të tilla. Havziu e mohoi kokën dhe jetën e tij edhe të familjes. Ai u ka thënë përfaqësuesve të pushtetit: “Janë tri gjilpëra helmi që ky populli s’i duron dot: Ndërrimi i veshjes tradicionale, heqja e fesë dhe kolektivizimi, futja në kooperativë e fshatrave të zonave malore, janë shumë për këta banorë, për ne si popull”.

Të gjithë ata që i pranonin këto ishin hipokritë. Ky njeri bënte të kundërtën e të gjithë të tjerëve dhe këtë mund ta bëjë vërtetë një njeri që dëgjon brenda vetes zërin e një shenjti, zë që thotë: “Fund hipokrizisë. Mos u tallni me këtë popull. Mos u tallni me veten tuaj se ju së pari po talleni me veten, me familjet tuaja! Dëgjojeni si është e vërteta…”.

Domosdo. Ai që zgjedh këtë rrugë, ai që kundërvihet ballas, ai është një poet, ai është martir.

Ai vdiq në litar, vdiq se diku tjetër besonte, vdiq për atë që besonte.

Havzi Nela sot për sot është një martir pa tempull mbi tokë, veç në e pastë në kujtesën tonë, në ndërgjegjen tonë si shoqëri.

2. SHTËPIA E RE E HAVZI NELËS

Dje më 10 gusht 2018, në fshatin Kollovoz të Kukësit, në 30-vjetorin e ekzekutimit me varje në litar, u përurua ringritja e shtëpisë së Havzi Nelës. Kishin ardhur vendas, shkrimtarë dhe të tjerë të ftuar nga rrethet, nga Tirana. Me këtë rast, u shtrua një drekë për të pranishmit.

Pllakën përkujtimore të shtëpisë e zbuluan Kryetari Bashkisë së Kukësit dhe studenti Vilson Blloshmi, nipi i poetit Vilson Blloshmi, të pushkatuar më 1977.

Shtëpia u ringrit me shpenzimet e Bashkisë së Kukësit. Reshep Shahu dhe Izet Duraku kishin përgatitur një numur special të revistës “Illëz” dhe të librit me tekste të shkrimtarëve për Havzi Nelën.

Në krahë, midis shumë të tjerëve, kisha mikun tim, Prof. Shefqet Hoxhën. Më 1993 bashkë me Pjetër Arbnorin ata erdhën me helikopter këtu për të varrosur Hazi Nelën, në vendlindjen e tij.

Edhe sot ishte e vështirë të shkoje në Kollovoz.

Kur më dhanë fjalën, falënderova Bashkinë e Kukësit që e bëri Havzi Nelën me çati mbi krye. E bënë prapë me shtëpi, të varurin në litar, poetin, të përndjekurin me 18 vjet burg, malësorin Havzi Nela.

Në mendësinë shqiptare shtëpia është simboli më kryesor i ekzistencës. Edhe sot pyetet: a ka shtëpi? Thuhet: Shtëpi e mirë, shtëpi e nderit, shtëpi bujare, shtëpi ku pihet kafja… shtëpi pushke… shtëpi, e ëmbla shtëpi… shtëpi o bukë e hi, m’u bëftë varri si ti…

Gratë labe e urojnë shoqja-shoqen me fjalët: Të rruatë binaja. Të të rrojë shtëpia, që nënkupton të të rrojë i zoti i shtëpisë, burri, rreth të cilit mblidheshin fëmijtë, gruaja, toka, gjëja, pasuria e familjes.

Shteti i diktaturës kishte një mëri të madhe me shtëpitë e atyre që i quante armiq. I rrafshonte me themel. Qëllimshëm i rrënonte, i kthente në gërmadha, u vidhte dhe gurët. Pasardhës të këtyre shtëpve banonin në kasolle…

Për këtë fakt flet poezia “Kur në dritare rri me mall” e poetit të pushkatuar Genc Leka më 1977, botuar dhe te revista “Illëz”. Kur u arratis i ati i Gencit, shtëpinë e madhe të fëmijërisë, shtëpinë me dy kate të armikut Bardho Leka, e rrëzuan rrafsh me tokën. Familja u shpërnda, u internua. Mbas vitesh kur u mblodhën prapë, një i afërm u dha për banesë kasollen e tij. Përballë kishin gurët e shtëpisë së babait. Genc Leka ka shkruar:

Kur në dritare rri me mall

Me lulet e saksisë

Më shfaqen si vegim përballë

gërmadhat e shtëpisë.

Pastaj më ngjan sikur bën zë

E drojtur fëminia,

Që fle mes gurësh përgjithënjë

me ëndrrat e mia.

Të gjithë e kemi me vete një shtëpi të fëmijërisë. Ajo ka qenë shtëpia e lumturisë sonë. Shtëpia e Parajsës. Me kohë atë e humbasim. Ajo shtëpi mbase është diku. Është këtu, është atje… është në tokë a në qiell.

Sot Havzi Nelën e bëtë me shtëpi. Havzi Nela e ka prapë një çati mbi krye. Atje te themelet e shtëpisë së vjetër. Ju e kthyet në shtëpinë e lumturisë, atje ku u ndje djalë i ri ku u bë dhëndërr.

Ju të Bashkisë Kukës keni bërë një vepër të madhe.

Me vete po thosha: sonte kur të erret, shpirti i Havzi Nelës do të shkojë të futet në shtëpinë e tij të re. Mbase do të flejë atje.

Nuk i thashë se do të dukesha patetik. Por kaq herë i mendova.

3. “O LIRI, O VDEKJE”

“O LIRI, O VDEKJE” – thirrje e fuqishme për liri, për dinjitetet njerëzor.

Poezia “O LIRI, O VDEKJE” është shkruar pak muaj përpara se Havzi Nelaj (1934 – 1988) të linte internimin në fshatin Arrën.

Poezia të lë të mendosh edhe për vetëvrasjen si rrugëdalje e poetit.

Me një armë të vjetër në brez Havzi Nelaj braktisi internimin në fshatin Arrën. E kapën, plagosjen e një polici ia quajtën akt terrorist dhe… e varën në litar si terrorist.

Në gjyq Havziu ka pohuar se revolen e kishte për të vrarë veten, pasi të shihte nënën.

Mundet Havziu të kishte zgjedhur vetëvrasjen, për t’i dhënë fund vuajtjeve që iu bënë të padurueshme. “Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund”.

Por idetë, ndjeshmëria shpërthyese te poezia “O liri o vdekje” nuk të përçojnë nga nënshtrimi, por nga fryma e kundërshtimit.

Poeti në internim po përballej me frikën e vdekjes dhe turpin e të jetuarit në nënshtrim. Me guximin që e karakrerizoi gjithë jetën ai i kundërvihet situatës ekzistenciale të nënshtrimit, ngrihet mbi veten dhe shqipton bindjen morale se të jetosh pa liri është një tradhti ndaj vetes:

“T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,

Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue”.

Poezia është jo vetëm kryevepra e autorit, por është dhe një ndër poezitë e çmuara të shkruara në gjuhën shqipe. Poezi që meriton të mbetet në kujtesën kolektive të kohërave.

U shkrua në një kohë ku fjala e lirë ishte krim, u shkruar nga një poet që u dënua me burgim e internim deri me varje në litar, u dënua e vdiq se mendonte ndryshe.

Vargjet:

“Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,

Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë”…të rrënqethin nga dhimbja e pa fund që ka pllakosur mbi këtë njeri.

Poezia “Liri o vdekje” shpërthen thirrjen për një jetë me dinjitet kundrejt një rruge të mbijetesës me çdo kusht, dhe kokulur ndaj robërimit, rrugë që e ndiqnin shumica.

Është një nga thirrjet më fisnike dhe më të bukura, pa dyshim më e madhja thirrje për liri dhe dinjitet, që ka shqiptuar njeriu shqiptar i asaj periudhe 40-vjeçare.

“Jeta dhe vdekja duhen merituar…

Liria më thërret, vdekja nuk më tund”.

Është klithma personale dhe urgjente e Havzi Nelës së ngujuar, si një i vdekur për së gjalli. Është klithma e mbytur e një populli që uli kokën, vuajti varfërimin, robërimin.

Me këto që thashë më lart, ndaj mendim tjetër nga ata që thonë se kjo është një poezi e vetëvrasjes, poeza e njeriut në cakut e fundit të dëshpërimit, e ndeshjen primitive të njeriut me vdekjen.

Fjala poetike mund të mbajë peshën e një epoke duke dëshmuar njëherësh se poezia nuk është vetëm art, por edhe rezistencë. Pak muaj si shkroi poezinë, poeti braktisi internimin e gjeti vdekjen. Kjo e bën poezinë jo vetëm një akt artistik, por një dokument historik, një testament i shpirtit të pathyeshëm.

“Vdekja për liri nuk më tremb aspak,

Si e duron robninë zemra e nji trimi”.

Vargje që të çojnë te thelbi i poezisë: një sfidë ndaj frikës, një përqafim i sakrificës.

Simbolet kryesore të kësaj poezie janë Liria, Vdekja, Robëria.

Liria nuk përbën një koncept abstrakt, por mishëron domosdoshmëri jetike, është më e rëndësishme se vetë jeta.

Vdekja nuk shihet si fundi, por si një çlirim nga robëria, vdekja me nder mirëpritet nëse vjen për një kauzë të drejtë, të lartë.

Robëria është turpi më i madh, një gjendje që nuk përputhet me shpirtin e një trimi.

Poeti del kundër mendësive tradicionale të durimit dhe të shpresës, koncepte që justifikojnë mbijetësën e nështruar. “Me durim e shpresë nuk due të vdes”.

Poezia nuk ka shumë zbukurime stilistike. Fjalët kanë peshën e gurit të malit, të vendit, janë të ngarkuara me mendim dhe ndjenjë. E ndërtuar me vargje të shkurtra, të drejtpërdrejtë, me një ritëm të ngjeshur poezia përforcon urgjencën e mesazhit, të lirisë dhe të dinjitetit: jo të mbetesh gur varri: jeta dhe vdekja duhen merituar.

O LIRI, O VDEKJE

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,

Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;

Vdekja për liri nuk më tremb aspak,

Si e duron robninë zemra e nji trimi?

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!

Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!

T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,

Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?

Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?

Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,

Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?

Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.

Me durim e shpresë nuk due të vdes.

Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri

Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.

Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!

Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Arrën, nandor 1987.

——————-