Poezia e Adam Zagajewskit vjen në shqip nga Harallamb Fandi
ADAM ZAGAJEWSKI, poet polak
PROVONI TE SHKRUANI VARGJE PER BOTEN E GJYMTUAR
(Poezi për aktin terrorist të 11 Shtatorit, që u bë e famshme në gjithë botën, pas botimit në gazetën “New Yorker”).
Provoni të shkruani vargje për botën e gjymtuar,
kujtoni ditët e gjata të qershorit
dhe luleshtrydhet, pikat e verës së holluar,
hithrat që mbulonin vazhdimisht
shtëpitë e braktisura nga ata që u dëbuan prej tyre.
Duhet të shkruani patjetër për botën e gjymtuar.
Keni parë jahte dhe anije elegante
ndonjëra gati për udhëtim të gjatë
teksa mbi të tjerat rrinte pezull harresa e kripur.
I patë refugjatët duke shkuar drejt askundit,
i dëgjuat xhelatët që këndonin të gëzuar.
Ju takon dhe duhet të shkruani për botën e gjymtuar.
Kujtojini në vargje dhe çastet kur ishit bashkë
në një dhomë të bardhë, me perden që lëvizte,
shkruani dhe për koncertin ku muzika shpërtheu,
për vjeshtën kur mblodhët gogla në park
ndërsa gjethet fluturonin mbi plagët e tokës.
Këndoni psalme lutëse për botën e gjymtuar,
këndoni për puplën gri të humbur nga një mëllenjë
dhe për dritën delikate që endet, zhduket e kthehet përsëri.
Shqipëroi: Harallamb Fandi.